Ndërlidhjet

Si të mbulohet deficiti?


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Buxheti i Kosovës gjatë këtij viti rrezikon të hyjë në deficit. Ekspertët e ekonomisë thonë se Qeveria e Kosovës nuk do të mund ta mbulojë këtë deficit, pasi, sipas tyre, nuk ka projekte investive, të cilat mund të sjellin të mira ekonomike dhe të sigurojnë rritje ekonomike.


Deficiti buxhetor, i cili sipas ekspertëve të ekonomisë, mund të jetë mbi 5 për qind, nuk do të mund të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Si rrjedhojë, ekspertët thonë se Kosova gjatë këtij viti mund të hyjë në krizë financiare.

Eksperti i ekonomisë, Isa Mulaj, thotë se buxheti i Kosovës në formën që është miratuar, gjendet në deficit deri në 300 milionë euro.

“Ky deficit, nga të hyrat që planifikon t’i mbledhë Administrata Tatimore e Kosovës, nuk është në gjendje t’i përballojë shpenzimet që janë mbi 1 miliard e 434 milionë euro, pasi të hyrat janë vetëm 1 miliard e 264 milionë euro. Edhe të hyrat e planifikuara nuk është e sigurt se do të sigurohen në nivelin e paraparë”,
thotë ai.

Në bazë të standardeve evropiane, niveli i deficitit buxhetor nuk guxon të kalojë më shumë se 3 për qind të GDP-së.

Vendet evropiane kanë hyrë në deficite shumë më të thella, por këtë e kanë arsyetuar me projekte invetsive, të cilat sjellin të mira për ekonominë dhe sigurojnë rritje ekonomike.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, si projekt investiv në Kosovë përmend autostradën. Por, megjithatë, ai thotë se nuk është e sigurt nëse projekti në fjalë mund të sjellë të mira në ekonominë kosovare.

Rukiqi thotë se në Kosovë nuk ka bazë ligjore që mjetet, siç janë ato të Trustit Pensional dhe të privatizimit, të mund të përdoren për projekte investive.

“Është gabim që deri tani nuk është krijuar nj bazë ligjore që këto mjete të përdoren në forma të fondeve të caktuara invetsive apo si mjete që do të financonin projekte investive. Por, ato duhet drejtpërdrejt të alokohen në buxhet dhe të mbulojnë kategoritë e shpenzimeve, qoftë publike, qoftë të tjera”, deklaron Rukiqi.

Qeveria e Kosovës, deficitin buxhetor të këtij viti ka paraparë ta mbulojë me shitjen e Post-Telekomit të Kosovës. Por, sipas ekspertëve të ekonomisë, kjo nuk është mënyra më e mirë e mundshme.

Isa Mulaj thotë se Qeveria e Kosovës, për të mbuluar deficitin, është dashur t’i përcjellë rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ka propozuar që të mos bëhet rritja e pagave në nivelin deri në 50 për qind.

“Po ta përcillte Qeveria e Kosovës rekomandimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të shkonte në nivelin e rritjes së pagave fillimisht për 20 për qind, atëherë do të ishim në gjendje t’i marrim 200 milionë dollarë si ndihmë nga FMN-ja dhe deri diku do të mund ta zbusnim këtë deficit të madh që e kemi”, thotë Mulaj.

Shpenzimet e përgjithshme buxhetore të Kosovës janë projektuar të jenë 1 miliard e 434 milionë euro.

Të hyrat nga tatimet në kufi dhe brenda vendit pritet të arrijnë shumën prej 1,060 milion eurosh, duke shënuar një rritje rreth 18.6 për qind krahasuar me vitin 2010. Shpenzimet kapitale janë paraparë të jenë 572 milionë euro, që paraqet një ngritje gati 25.6 për qind krahasuar me realizimin e shpenzimeve të vitit 2010.
XS
SM
MD
LG