Ndërlidhjet

LIGJET QË MBROJNË TË DREJTAT E GRAVE NUK ZBATOHEN


Nadie Ahmeti


Gjatë vitit që lamë pas, institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare në Kosovë kanë trajtuar deri në një masë çështjen e të drejtave të grave, megjithatë rezultatet ende nuk janë të dukshme. Kështu pohojnë përfaqësuese të organizatave që merren me këtë çështje. Igballe Rogova, udhëheqëse e rrjetit të Grave të Kosovës, thotë se për përmirësimin e pozitës së gruas, institucionet vendore kanë miratuar ligje, por ato ligje, zonja Rogova I quan artificiale. “Vetëm duhet t’i zbatojmë ligjet dhe të gjitha këto mekanizma të cilat janë formuar për barazinë gjinore në Kosovë. Ne i kemi këto mekanizma, por qeveria duhet t’i zbatojë. Unë mendoj se janë bërë vetëm për shkak të standardeve e jo për shkak se qeveria duhet t’i zbatojë këto ligje”.
Edhe Hamide Latifi, udhëheqëse e Organizatës joqeveritare “Gratë për Gratë” në Prishtinë thotë se këtë vit duhet patjetër të bëjnë çmos institucionet vendore që të drejtat e grave të cilat janë të mbrojtura me ligj të zbatohen edhe në praktikë. “Pres nga institucionet vendore që të bëjnë pak më shumë edhe shoqërisë civile që drejtat e grave të cilat janë më ligj të krijohen mundësi edhe mekanizma që ato të realizohen edhe në praktikë. Krijohen edhe mundësi për gratë ato janë në ligj por nuk realizohen”, thotë zonja Latifi.
Për shkak të mosrespektimit të të drejtave të grave që duhet t’i gëzojnë më ligj, Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se në këtë vit do të bëhet monitorimi i zbatimit të ligjeve për të drejtave e tyre. “Në vitin e kaluar e kemi parë që nuk po zbatohen këto mekanizma, ndërkaq për vitin në të cilin kemi hyrë, ne do të punojmë më shumë dhe të monitorojmë se sa po zbatohen dhe të lobojmë më shumë për mekanizma. Tash e dimë se si dhe kur do të veprohet”, thotë zonja Rogova.
Por, zonja Latifi, pohon se në këtë vit gjendja e gruas duhet të përmirësohet edhe në proceset vendimmarrëse, duke filluar nga pozita e tyre në familje e deri tek institucionet më të larta vendore. Pasi, sipas saj , gratë nuk janë të përfshira në pozita vendimmarrjeje. “Unë mendoi se e drejta e trashëgimisë tek gratë edhe pse njihet më ligj nuk ekziston në praktikë, pastaj tek divorcet dhe e drejta për fëmijët. Zakonisht e drejta prindërore i jepet babës ose familjes së burrit, në shumicën e rasteve në bazë të traditës zakonore. Edhe këtu duhet të punohet që këto praktika të ndryshohen”, thotë zonja Latifi.
Ndryshe, përfshirja e femrave në institucione është kushtëzuar nga një rregullore e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, sipas së cilës 30 për qind e ligjvënësve kosovarë duhet të jenë të gjinisë femërore. Mirëpo, një rregullore e këtillë, për organizatat joqeveritare paraqet imponim dhe jo një vullnet të mirë dhe gatishmëri të strukturave qeverisëse për një përfshirje të mirëfilltë të femrës në proceset vendimmarrëse. Në Qeverinë aktuale të koalicionit, vetëm një ministri është nën udhëheqjen e femrës.
XS
SM
MD
LG