Ndërlidhjet

SPROVAT EKONOMIKE DHE POLITIKE NË RRAFSHIN SOCIAL


Nadie Ahmeti

Pa krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investitorët e huaj dhe përmirësimin e reformave në kuadër të politikave tatimore, edhe këtë vit nuk do të ketë zhvillim të përgjithshëm ekonomik, thonë ekspertë kosovarë për çështje ekonomike. Bedri Peci, profesor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës thotë se është momenti I fundit që institucionet kompetente të krijojnë mekanizma për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe rrjedhimisht edhe për zbutjen e papunësisë në Kosovë. Në këtë drejtim zoti Peci, pohon se duhet të bëhet një formulim më real I Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik. “Unë mendoj se nuk do të ketë, nëse nuk do të ndërmerren masa rreth eliminimit të atyre pengesave të cilat e kanë shpjerë Kosovën në një situatë të tillë çfarë edhe është. Mendoj se është politika jo e favorshme tatimore rreth investimeve, pastaj mos njohja e subjektivitetit të plotë ekonomik të Kosovës, e cila ka bërë që Kosova të mos ketë të drejtë të marrë hua publike” tha zoti Peci.
Mungesa e një ekonomie të qëndrueshme dhe shkalla e lartë e papunësisë për sociologët ndërkaq është kërcënimi kryesor për sigurinë në Kosovë. Fadil Maloku, thotë se për shkak të zhvillimit të dobët ekonomik, shkalla e papunësisë vazhdon të jetë edhe më tej shumë e lartë. Në pamundësi të gjetjes së një vendi të punës, zoti Maloku, pohon se tek qytetarët është krijuar një lloji frustrimi, që sipas tij, është potencial shqetësues për vitin 2007. “ Në këtë drejtim, unë mendoj se viti 2007 do të jetë vit I sprovave të mëdha sidomos në terrenin social dhe në këtë kontekst unë kam frikë se këto shqetësime sociale mund të keqpërdoren nga grupe të ndryshme. Tash jemi afër definimit të statusit politik dhe këto grupe mund të sjellin probleme dhe mund ta cenojnë sigurinë e përgjithshme” tha zoti Maloku.
Një gjë të këtillë edhe pohon edhe profesori I Fakultetit Ekonomik, Bedri Peci. “Nëse vazhdohet më një zhvillim të tillë atëherë do të ketë pakënaqësi sociale dhe si rezultatet I kësaj mund të ketë edhe destabilitet politik” tha zoti Peci .
Zoti Maloku, udhëheqës I Institutit për Demokraci dhe Relacione Etnike, thotë se në një analizë të bërë nga ky institut është konstatuar se shqetësim kryesor për qytetarët e Kosovës është papunësia. Dikur, rikujton zoti Maloku, ishte çështja e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, por tani njerëzit synojnë një mirëqenie më të volitshme ekonomike për familjet e tyre. “Çështja e definimit të statusit politik në një mënyrë e ka mbuluar atë çështjen e sigurisë sociale. Dhe për këtë shkak kjo është një lloj frustrimi kolektiv në mesin e qytetarëve. Dhe nëse nuk definohet statusi ashtu siç është synimi kolektiv i shqiptarëve, atëherë jam I bindur se pakënaqësia sociale është e paevitueshme ” tha zoti Maloku.
Zhvillimi i dobët ekonomik dhe niveli i lartë i papunësisë, nga zyrtarët e lartë vendorë dhe ndërkombëtarë, shpeshherë janë përmendur si faktorët kryesorë që ndikojnë në stabilitetin e përgjithshëm. Për disa nga këta zyrtarë, statusi i zgjidhur do të hapë rrugë të reja në aspektin ekonomik, por për të tjerët, statusi nuk do të mund të krijojë mrekulli në këtë drejtim.


XS
SM
MD
LG