Ndërlidhjet

ZVARRITJET NË IDENTIFIKIMIN E PËRFITUESVE NGA PRIVATIZIMI I NDËRMARRJEVE


Nadie Ahmeti

Nga privatizimi i deritashëm I ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka ndarë vetëm 9.5 milionë euro nga 50 milionë euro, sa u takojnë punëtorëve të ndërmarrjeve të privatizuara. Sipas një rregulloreje të administratës ndërkombëtare, 20 përqind nga shuma e përgjithshme e shitjes së ndërmarrjeve u takon punëtorëve. Ekrem Tahiri, zëdhënës në këtë agjenci, tha se shpërndarja e mjeteve financiare është duke u zvarritur për shkak të problemeve në identifikimin e përfituesve në këtë proces, i cili, sipas zotit Tahiri, është detyrim i Odës së Veçantë në kuadër të Gjykatës Supreme të Kosovës. “ Problemet janë të shumta, duke filluar prej listave që krijohen në ndërmarrje fillimisht, rregullorja jo shumë e qartë e cila nuk e specifikon se cilët punëtorë kualifikohen për më marrë 20 për qindëshin” tha zoti Tahiri.
Por, më një arsyetim të këtillë nuk pajtohet Haxhi Arifaj, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Ai thotë se identifikimi i përfituesve nga ky proces bëhet pa përfunduar privatizimi i ndërmarrjeve përkatëse.
Shpërndarja e mjeteve financiare, sipas zotit Arifaj, është duke u zvarritur për shkak të neglizhencës së Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit.
“Do të jap një detaj: Fabrika e Birrës, në Pejë është privatizuar në muajin qershor të vitit 2006, dhe listat atëherë kanë qenë të përgatitura. Dhe që prej 6 muajsh ato rrijnë në sirtarët e AKM në rajon. Kemi ndërmarrje që prej 2 vjetësh janë privatizuar dhe ende nuk e kanë marrë 20 përqindëshin”, tha zoti Arifaj.
Ai dyshon se vonimi i shpërndarjes së mjeteve për punëtorët është në interes të dikujt, meqë edhe fondi i ndërmarrjeve të privatizuara gjendet jashtë Kosovës. “Se ky fond është bukur i madh, që ne nuk e dimë as ku është, është dikund jashtë Kosovës dhe është interes i dikujt. Mos të themi se në një afat të gjatë, nëse 50 milionë euro rrijnë diku pa u shpërndarë, një kamatë ditore e dini se çka do të thotë. Prandaj, është interes i dikujt” tha zoti Arifaj. Edhe ekspertë për çështje ekonomike mendojnë se shkaku i
mosshpërndarjes së këtyre mjeteve është ngrirja e fondeve të procesit të privatizimit në përgjithësi, e në këtë kuadër edhe e fondit të 20 përqindëshit. Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës, pohon se mos shpërndarja e këtyre mjeteve ka krijuar pasoja të mëdha, në aspektin ekonomik dhe atë social. “Të gjitha këto mjete ndoshta në një formë të menaxhimit më modern apo më të mirëfilltë, do të mund të regjeneronin efekte pozitive të gjithmbarshme, qoftë në zbutjen e politikës sociale, qoftë në zvogëlimin e krizës ekonomike. Mirëpo, një gjë e tillë nuk ka ndodh. Por, besoj se edhe qeveria edhe institucionet tjera që janë bartëse të përgjegjësisë në këtë proces, duhet të bëjnë më tepër që ato mjete të paguhen” tha zoti Gërxhaliu.
Pikërisht për këtë arsye, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, gjendet në presion të madh nga punëtorët të cilët kanë punuar në ndërmarrjet tashmë të privatizuara, tha Haxhi Arifaj, kryetar i kësaj sindikate.
“Presionet janë jashtëzakonisht të mëdha të punëtorëve dhe ne jemi në hall, sepse një ditë, ndoshta nuk mund t’i ndalim dhe të bëjmë diçka tjetër, punëtoria mund të dalë nga kontrolli ynë”, tha zoti Arifaj.
Ndryshe për të dalë nga kjo gjendje dhe për të përshpejtuar procesin e shpërndarjes së mjeteve financiare, udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave tashmë kanë filluar bisedimet e tyre me përfaqësues të Odës së Veçantë në kuadër të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe zyrtarë të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG