Ndërlidhjet

SERBËT E KOSOVËS THONË SE S’DO TË SHPËRNGULEN NË RAST TË PAVARËSISË


Rrahman Paçarizi

Përfaqësues të serbëve të Kosovës kanë hedhur poshtë mundësinë e shpërnguljes kolektive të serbëve nga Kosova në rast të pavarësimit të saj, duke i quajtur këto edhe ide të marra. Këto komente janë bërë pas deklaratës së deputetit të parlamentit boshnjak Sadik Ahmetoviq, sipas të cilit ekziston një marrëveshje ndërmjet autoriteteve të Banjallukës dhe atyre të Beogradit që në rast të pavarësimit të Kosovës, shumica e serbëve kosovarë të shpërngulen në Bosnjë e Hercegovinë, përgjatë lumit Drina, në mënyrë që serbët në atë rajon të bëheshin shumicë. Goran Bogdanoviq nga Lista Serbe për Kosovën dhe anëtar i delegacionit të Serbisë në bisedimet për statusin e Kosovës i cilësoi të pakuptimta dhe qëllimkëqija pohimet e tilla. “Deklaratat e tilla janë më shumë se të pakuptimta, pasi serbët as që mendojnë për t;’u shpërngulur nga Kosova”, tha Goran Bogdanoviq, sipas të cilit nuk ekziston kurrfarë rreziku që jo vetëm serbët e Kosovës por as serbët e Serbisë ta popullojnë Bosnjën e Hercegovinën.
Pohimet e tilla i ka hedhur poshtë edhe Rada Trajkoviq, nënkryetare e Këshillit Nacional Serb. “Unë mendoj se deklarata e tillë është e pakuptimtë dhe asnjë serbi nga Kosova nuk mund t’ia zëvendësojë askush dhe me asgjë ndjenjën e sigurisë dhe të përkatësisë që i ofron Kosova”, tha Rada Trajkoviq, duke i cilësuar pohimet e tilla si marrëzi të rëndomta, pasi askush nuk do të mund të promovonte ide të tilla. Megjithatë, tha zonja Trajkoviq, zgjidhja e çështjes së Kosovës dhe procesi i pajtimit ndëretnik në hapësirat e ish-Jugosllavisë, ku gjithandej ka probleme, nuk do të mund të kryhej kurrë në rast se mënyra e zgjidhjes do të jetë sforcimi i projekteve për shtete njëetnike. Ajo ka thënë se as bashkësia ndërkombëtare dhe as autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë nuk po bëjnë mjaft për ndërtimin e shoqërive multietnike. “Mendoj se është marrëzi të mendohet se mua do të mund të më zëvendësonte cilado pjesë e Republikës Serbe, atë që për përbën kuptim esencial të Kosovës”, tha zonja Trajkoviq.
Ndërkaq, Goran Bogdanoviq tha se këtu po ndodh një keqpërdorim i problemit të Kosovës nga të tjerët. “Fatkeqësisht, kjo është edhe një dëshmi që problemi i Kosovës po përdoret për qëllime politike jo vetëm në Kosovë dhe në Serbi, por në vendet përreth, e sidomos në Bosnjë e Hercegovinë”, tha Bogdanoviq, sipas të cilit deklaratat e tilla vetëm sa e shtojnë mostolerancën, mosbesimin dhe urrejtjen ndërmjet popujve në Ballkan.
XS
SM
MD
LG