Ndërlidhjet

“MURTAJA E PULAVE” NDALON IMPORTIN E SHPEZËVE NGA SERBIA NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, muajin e kaluar ka bërë ndalimin e importit të shpezëve dhe prodhimeve të tyre nga Serbia.
Ndalimi i importit është bërë pas raportimit të Organizatës Botërore për Mbrojtjen dhe Shëndetin e Kafshëve, se në Serbi është e pranishme “murtaja e pulave”, tha Baftir Murati, shef i sektorit për shëndetin e kafshëve në këtë agjenci, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.
“Sipas raporteve nga kjo organizatë, muajin e kaluar e kemi ndaluar importin prej shtetit fqinj të Serbisë sepse nga kjo organizatë është raportuar se në atë shtet është e pranishme murtaja atipike e pulave”, tha zoti Murati.
Ai pohon se pas konfirmimit të kësaj sëmundjeje në Serbi, në pikat kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, deri më tani nuk ka kaluar asnjë dërgesë kontestuese në Kosovë.
“Jo, deri më tani nuk ka pasur. Ato ndalesa respektohen nga ana e inspektorëve veterinarë kufitarë, dhe në atë mënyrë ruhet shëndeti jo vetëm i kafshëve, por edhe shëndeti i qytetarëve”, tha zoti Murati.
Disa shitës në dyqane të ndryshme të Prishtinës, thonë se as që kanë dëgjuar për këtë sëmundje të shpezëve. Resa, shitëse në dyqanin “Kosova e Re”, pohon se i mbajnë të gjitha prodhimet e mishit nga shpezët, por sipas saj, shitja e tyre bëhet në sasi më të vogël, prej kur ishte paralajmëruar gripi i shpezëve. Por, Resa nuk di se nga furnizohet shefi i dyqanit me këtë lloj ushqimi. “Kemi kaçika, pula, mish të bardhë, mushkëri, vezë. Tani kemi shitje më pak. Më shumë kemi pasur në të kaluarën”, tha Resa.
Ngjashëm thotë edhe Ardian Prebreza, shitës në dyqanin “Beni” që gjendet në qendër të Prishtinës. Por, Ardiani thotë se nuk furnizohen më prodhime të ish-Jugosllavisë.
“Jo ende nuk kemi dëgjuar asgjë. Ne furnizohemi nga depo të ndryshme. Prodhime të ish-Jugosllavisë nuk hynë këtu. Vezët janë vendore”, tha zoti Prebreza. Murtaja e pulave, nuk rrezikon jetën e njerëzve, por vetëm të shpezëve, thotë Baftir Murati, nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, duke shtuar se për këtë sëmundje ekzistojnë vaksina parandalimi.
“Ekziston preventiva, ajo preventivë bëhet më anë të vaksinimeve të rregullta të cilave iu nënshtrohen shpezët dhe ai vaksinim, të cilit iu kanë nënshtruar shpezët është kryer vitin e kaluar. Nga buxheti i konsoliduar i Kosovës janë ndarë mjetet për blerjen e vaksinave dhe ato vaksina u janë shpërndarë shpeztarëve të Kosovës. Afër 1 milion e 600 mijë doza vaksina u janë shpërndarë shpeztarëve”, tha zoti Murati. Ndryshe, nëse një sëmundje e tillë paraqitet edhe në Kosovë, zoti Murati tha se agjencia ka mjete dhe mundësi që ta luftojë atë.
“Ne jemi në gjendje gatishmërie dhe po e përcjellim situatën episodike në terren dhe në rast të shpërthimit të kësaj sëmundjeje, do të veprojmë sipas udhëzimeve administrative dhe sipas ligjit i cili është në fuqi”, tha zoti Murati.
Sidoqoftë, në vitin 2003 murtaja e pulave ka qenë e pranishme edhe në Kosovë. Më një udhëzim të Ministrisë së Bujqësisë, në atë kohë në rajonin e Gjakovës, ishte bërë asgjësimi i një numri të madh të shpezëve.
XS
SM
MD
LG