Ndërlidhjet

PETROVIQ:"INTEGRITETIN E SERBISË DO TA MBROJMË ME TË GJITHA MJETET DIPLOMATIKE"


Rrahman Paçarizi

Serbia nuk guxon të jetë udhëheqëse e luftërave, por e zhvillimit ekonomik në të gjithë rajonin, thanë sot në Mitrovicë zyrtarë të Partisë Demokratike Serbe të kryetarit aktual të Serbisë, Boris Tadiq. Ata i bënë këto vlerësime në një tubim parazgjedhor në pjesën veriore të Mitrovicës, në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare të 21 janarit në Serbi. Duke folur para të pranishmëve në një sallë të shkollës së mesme teknike në pjesën veriore, të mbizotëruar nga serbët në qytetin e Mitrovicës, nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Dushan Petroviq ka prezantuar kandidatët e kësaj partie nga Kosova për Kuvendin e ri të Serbisë. Petroviq, tha me këtë rast, se gjatë disa viteve të shkuara, që nga Zoran Gjingjiqi e deri te kryetari aktual i Serbisë, Boris Tadiq, është krejtësisht e qartë politika që kjo parti ndjek në raport me Kosovën. Ai tha se lufta e kësaj partie mbështetet në mjete demokratike dhe diplomatike.
“Ne e mbrojmë integritetin territorial të vendit tonë, e mbrojmë sovranitetin e Serbisë dhe këtë do ta bëjmë me të gjitha mjetet diplomatike që kemi në dispozicion”, tha Dushan Petroviq. Ai tha se Serbia është një vend që dëshiron paqe dhe marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët. Serbia demokratike, tha Petroviq, dërgon sinjale të paqes, të fqinjësisë së mirë dhe të jetesës më të mirë për të gjithë në rajon.
Partitë politike të Serbisë kanë nisur fushatat zgjedhore në disa enklava serbe në Kosovë, duke u përqendruar kryesisht në pjesën veriore të Mitrovicës, ku edhe është numri më i madh i serbëve që votojnë për zgjedhjet e Serbisë.

XS
SM
MD
LG