Ndërlidhjet

ROLI I KUVENDIT PËRBALLË PAKOS SË AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Kuvendi i Kosovës do të marrë rolin që i takon në formulimin e qëndrimit të Prishtinës ndaj pakos së Ahtisaarit, vlerësojnë deputetë nga partitë më të mëdha parlamentare në Kosovë. Naim Jerliu, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se pasi që pakoja e Ahtisaarit t’i dorëzohet Ekipit Negociues më 2 shkurt, Kuvendi i Kosovës në bazë të përgjegjësive që ka, do të duhej të ushtronte rolin e vet në këtë proces.
“Unë besoj se pasi që kjo pako t’i dorëzohet ekipit të Prishtinës, sigurisht që do të ketë parasysh që Parlamenti të ketë rolin e vet në përputhje me mandatin që ka, dhe në përputhje me përfaqësimin që synon Parlamenti i Kosovës, si institucioni më i lartë dhe që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës”, tha Jerliu.
Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, thotë se roli i Kuvendit përcaktohet qartë dhe në Rezolutën për Kosovën shtet të pavarur e sovran, të miratuar nga ky institucion. Kjo Rezolutë, pohon Krasniqi, përcakton jo vetëm rolin e Kuvendit, por edhe të Ekipit Negociues lidhur me vendimin për statusin e Kosovës.
“Edhe në Rezolutën që është miratuar kohë më parë në Parlament, thuhet decidivisht se për të gjitha dokumentet, sidomos dokumentet përfundimtare që do t’i prodhojë Ekipi Negociues, duhet të miratohen në Kuvendin e Kosovës. Pra, edhe mënyra ose forma se si do ta pranojë Ekipi Negociues dokumentin e Ahtisaarit, duhet të kalojë nëpër Parlamentin e Kosovës”, tha Krasniqi.
Për një rol aktiv të Kuvendit të Kosovës në procesin e statusit dhe formulimit të qëndrimit të Prishtinës ndaj pakos së Ahtisaarit, angazhohet dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bajram Kosumi. Pakoja e Ahtisaarit, sipas Kosumit, do të duhet t’i shpërndahet edhe Akademisë së Shkencave, si dhe institucioneve tjera relevante, në mënyrë që Kosova të dalë me një qëndrim shumë të matur dhe në interes të qytetarëve të saj.
“Kuvendi duhet ta ketë rolin vendimtar. Ekipi Negociues obligohet që të gjitha dokumentet relevante t’ia dorëzojë Kuvendit të Kosovës dhe Kuvendi të votojë për ato dokumente. Kjo është rruga legjitime. Gjithçka që del jashtë kësaj është jo vetëm jolegjitime, por është e gabueshme politikisht dhe në aspektin ligjor”, vlerësoi Kosumi.
Qëndrim të përafërt me partitë tjera parlamentare ka dhe Grupi Parlamentar i Partisë Reformiste Ora. Teuta Sahatçia, shefe e Grupit Parlamentar të Ora-s, thotë se deputetët patjetër që do të duhet ta kenë në duart e tyre pakon e Ahtisaarit dhe ta vënë atë në shqyrtim parlamentar.
“Kuvendi është institucioni më i lartë i secilit vend, secilit shtet dhe kështu njësoj, është edhe në Kosovë. Pasi që të vijë pakoja e Ahtisaarit, do të ishte e udhës që ajo pako t’u shpërndahet deputetëve dhe të ketë një debat, një diskutim në lidhje me dispozitat e kësaj pakoje”, pohoi Sahatçia.
Ndryshe, emisari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Martti Ahtisaari ka paralajmëruar tashmë se më 2 shkurt do të sjellë propozimin e tij për statusin e Kosovës në Prishtinë. Më pas, ai ka thënë se do t’i presë edhe qëndrimet e Prishtinës, e njësoj edhe të Beogradit, lidhur me këtë propozim, para se të hartojë versionin final që do t’ia adresojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara.
XS
SM
MD
LG