Ndërlidhjet

SA ËSHTË I SIGURTË SISTEMI BANKAR NË KOSOVË?


Nadie Ahmeti

Zyrtarë të Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave dhe analistë për çështje ekonomike, japin mendime të ndryshme rreth sigurisë së sistemit bankar në Kosovë. Analisti Ibrahim Rexhepi, pohon se situata në sistemin bankar nuk mund të vështrohet ndaras nga ambienti i përgjithshëm që ekziston në Kosovë, e konkretisht, kur është fjala te siguria ekonomike dhe te biznesi. Ai tha se situata në këtë sistem është latente, por për fat të mirë, deri më tani nuk ka ndodhur ndonjë thyerje e rëndë në këtë fushë.
“Problem është struktura kapitale që kanë bankat. Realisht, themelues të bankave janë njerëzit, për të cilët nuk është shumë e qartë prejardhja e kapitalit. Janë njerëz të cilët kanë biznese të vogla, që do të thotë se nuk kanë një fuqi të madhe të kapitalit”, tha Rexhepi.
Problem tjetër, sipas analistit Rexhepi, është edhe mungesa e kulturës për menaxhimin e bankave dhe përvojës së re të vetë themeluesve për mbajtjen dhe ruajtjen e sistemit bankar.
“Problem tjetër në këtë fushë është edhe koncepti i funksionimit të bankës. Bankat janë shoqëri aksionare, ku në të shumtën e rasteve, aksionarët paraqiten edhe si menaxherë. Ata diktojnë me politika të bankës, ata diktojnë me mënyrën e plasimit të mjeteve, kush duhet të marrë kredi, kush jo”, tha Rexhepi.
Ajri Begu, drejtor i Bordit të Autoritetit Qendror të Bankave dhe Pagesave, ndërkaq thotë se sistemi bankar në Kosovë është i qëndrueshëm dhe i besueshëm. Në asnjë moment, sipas tij, nuk është vënë në pikëpyetje stabiliteti i sistemit bankar.
“Mund të them me përgjegjësi së vërtet kemi sistem të qëndrueshëm dhe të besueshëm dhe askush nuk do t’ia ketë frigën. Për asnjë moment nuk është vënë në pikëpyetje likuiditeti i bankave“, tha Begu. Sipas tij, të gjitha bankat në Kosovë mbikëqyren nga Autoriteti Qendror i Bankave dhe Pagesave për të evituar parregullsitë eventuale.
“Parregullsitë, është detyra jonë që t’i ndjekim, të punojmë dhe t’i evitojmë. Përcjellim aktivitetin e bankave dhe kur vërejmë parregullsi, atëherë natyrisht se marrim masat përkatëse”, tha Begu.
Por, Ibrahim Rexhepi, thotë se Autoriteti Qendror i Bankave dhe Pagesave, nuk ka potencial të mjaftueshëm njerëzor për mbikëqyrjen e bankave.
“Unë kam një përshtypje se pos rregulloreve, Autoriteti Bankar nuk është i përgatitur me njerëz për mbikëqyrje, jo vetëm në numër por edhe në kuadër të aftë, i cili në preventivë do të ndërhynte apo do të reagonte në raste kritike. Edhe një detaj duhet ta dimë, se Autoriteti i tashëm, nuk është bankë qendrore”, tha Rexhepi. Ai pohon se në sistemin bankar në Kosovë, nuk ka ndonjë aftësi që në rast të dështimit të ndonjë banke, ta bëjë kompensimin banka tjetër.
“Nuk ka agjenci për sigurimin e depozitave, ku në rast të dështimit të ndonjë banke, do të jetë dikush që u garanton qytetarëve se do t’u kthehen mjetet. Për këtë arsye, çdo rënie është me implikime shumë më të rënda, se sa po të ndodhë kjo në Japoni apo në Gjermani”, tha Rexhepi.
Sidoqoftë, për shkak të parregullsive dhe rrezikut për kursimet e qytetarëve, Autoriteti Qendror i Pagesave të Kosovës, në muajin mars të vitit të kaluar ka mbyllur Bankën Kreditore të Kosovës. Ndryshe, në Kosovë funksionojnë edhe gjashtë banka të tjera komerciale.
XS
SM
MD
LG