Ndërlidhjet

STEELE:"DHUNA DO TA KTHENTE KOSOVËN PRAPA"


Jonathan STEELE, analist i gazetës The Guardian

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Steele, i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, pritet ta publikojë propozimin e tij për statusin. Është thënë se ai do të shmangë emërimin e statusit. Si mendoni se do të ndikojë një gjë e tillë dhe si do të pritet plani në Prishtinë?

JONATHAN STEELE
Me sa kam kuptuar, mund të ketë disa vështirësi, mund të ketë protesta, ato janë mbajtur edhe para disa muajsh. Dhe natyrisht, mund të ndodhë diçka edhe më e keqe, si ajo që kemi parë para tre vjetësh gjatë marsit të vitit 2004. Pra, njerëzit mund të humbin durimin dhe të dalin nga kontrolli, por mendoj se një gjë e këtillë do ta kthente Kosovën prapa edhe më shumë dhe shpresoj se nuk do të ketë më dhunë.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të ndikojnë zhvillimet e fundit në Beograd pas zgjedhjeve parlamentare atje në këtë proces?

JONATHAN STEELE
Unë mendoj se është shumë e qartë se serbët nuk do të pajtohen me ndonjë ndryshim të madh të statusit të Kosovës, sigurisht se nuk do të pajtohen me pavarësinë. Mua më duket se nuk ka shumë kuptim në vazhdimin e negociatave me Serbinë, sepse ata nuk do ta pranojnë zgjidhjen dhe do t’i shfrytëzojnë negociatat për ta shtyrë edhe më shumë procesin, mbase me shpresën se në Kosovë do të ketë dhunë për shkak të padurimit të njerëzve dhe se një gjë e këtillë do të krijonte një imazh të keq për Kosovën dhe do ta ndihmonte Serbinë. Mendoj se komuniteti ndërkombëtar duhet ta pranojë pa mëdyshje planin e Ahtisaarit dhe ta dërgojë atë tek Kombet e Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Në shkrimin tuaj të fundit të publikuar në të përditshmen “The Guardian” keni ngritur çështjen e “iluzionit të Perëndimit se Serbia është e ndarë në ‘nacionalistë’ dhe ‘pro-evropianë’”. Pse mendoni se është iluzion?

JONATHAN STEELE
Mendoj se është shumë e qartë se klasa politike serbe, ose të paktën pjesa më e madhe e saj, është nacionaliste në kuptimin se nuk është e gatshme ta pranojë faktin se Kosova nuk është më pjesë e Serbisë dhe se ajo nuk mund t’i kthehet më kurrë Serbisë. Madje edhe në çështjet që kanë kontekst më të gjerë, siç është përgjegjësia për luftërat në Ballkan, shumë pak serbë e pranojnë se Millosheviqi në fakt ishte arkitekti i gjakderdhjes edhe në Bosnjë dhe në Kroaci. Pra, nuk ka gatishmëri në Serbi për t’u përballur me historinë e re. Dhe kjo e përshkruan pothuajse gjithë spektrin politik në Serbi, me përjashtim të një apo dy partive të vogla politike. Prandaj, për të menduar se këto forca mund të përshkruhen si pro-evropiane apo demokratike është diçka e pakuptimtë. Unë mendoj se arsyeja pse Boris Tadiq, lideri i Partisë Demokratike, ka dalë mjaft mirë në zgjedhjet e fundit ka të bëjë pikërisht me faktin se ai është nacionalist. Një gjë të këtillë e ka dëshmuar me vizitën e tij shumë provokative në Kosovë gjatë vitit të kaluar, me mbështetjen e qartë dhe entuziazmin që i ka dhënë Kushtetutës së re në Serbi, e cila në fakt është kthim prapa. Përpjekjet për të pohuar se vetëm radikalët e Sheshelit janë nacionalistë, është nonsens. Edhe kryeminstri Koshtunica është qartësisht nacionalist dhe megjithatë shpesh përkshkruhet si pro-evropian nga disa diplomatë dhe ambasadorë të Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni pra demokratizimin e Serbisë, kur mendoni se do të ndodhë një gjë e këtillë?

JONATHAN STEELE
Mendoj se Serbia duhet ta pranojë trashëgiminë që kanë lënë luftërat në dhjetëvjetëshin e fundit. Dhe deri në kohën kur Kosova të bëhet e pavarur dhe bashkësia ndërkombëtare ta pranojë si të tillë, serbët do të jetojnë në të kaluarën. Mendoj se tani është koha për ta bërë një thyerje, serbët duhet ta kuptojnë se loja ka marrë fund, se e kanë humbur atë për shkak të veprimeve të tyre, e veçanërisht të Millosheviqit dhe se nuk mund të synojnë më që ta kthejnë Kosovën prapa. Ata duhet ta shikojnë të ardhmen dhe e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian, në aspektin gjeografik ata nuk kanë ndonjë alternativë tjetër. Prandaj shpresoj se ata do të lëvizin në drejtim të Evropës, ndonëse mendoj se nuk mund ta bëjnë këtë para se të zgjidhet çështja e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi ka pasur mjaft diskutimet mbi rolin që Rusia e ka dhe do ta ketë në Këshillin e Sigurimit në raport me Kosovën. Shumë analistë mendojnë se Kremlini është vetëm duke shfrytëzuar mundësinë për të sforcuar ndikimin në botë. A pajtoheni edhe ju me këtë mendim?

JONATHAN STEELE
Natyrisht, kjo çështje është me rëndësi për Rusinë, meqë çështja e Kosovës do të diskutohet në Kombet e Bashkuara. Rusia ka të drejtën e vetos dhe mund të kërcënojë me shfrytëzimin e saj. Një çështje tjetër është edhe Irani, rreth së cilës Rusia ka qëndrim të ngjashëm. Por, unë mendoj se roli i Rusisë nuk duhet ekzagjeruar rreth çështjes së Kosovës. Në fakt, më e rëndësishme është që Bashkimi Evropian ta njohë Kosovën, duke mundësuar në këtë mënyrë investime të shumta në Kosovë dhe duke i lejuar asaj dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Do të ishte ideale nëse Kombet e Bashkuara do ta njihnin Kosovën, por nëse kjo nuk ndodhë për shkak të vetos ruse, atëherë hapi i ardhshëm më i mirë do të ishte që Bashkimi Evropian ta bëjë këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe si mund ta bëjë këtë Bashkimi Evropian?

JONATHAN STEELE
Në bazë të propozimeve të zotit Ahtisaari, mendoj se do të jetë e mundshme për Kosovën që ta shpallë pavarësinë dhe pastaj do të varej nga secili shtet nëse duan ta njohin këtë pavarësi. Nëse Bashkimin Evropian e njeh dhe nëse Shtetet e Bashkuara e njohin, janë dy çështje të rëndësishme. Fakti se Kosova mund të mos jetë pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe të mos ketë ulëse në këtë institucion, mendoj se nuk është shumë i rëndësishëm. Ulësja në Kombet e Bashkuara është çështje më shumë simbolike, ndërkaq çështje thelbësore është që Bashkimi Evropian ta njohë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Steele, për fund, si e shihni përmbylljen e çështjes së Kosovës, kur mendoni se do të marrë fund?

JONATHAN STEELE
Unë shpresoj se do të marrë fund në muajt e ardhshëm, do të ishte ideale po të merrte fund në javët e ardhshme, me shpalljen e pavarësisë nga Kuvendi i Kosovës dhe me njohjen e kësaj pavarësie nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Unë shpresoj se me këtë edhe serbët do ta kuptojnë se kësaj çështjeje i ka ardhur fundi. Natyrisht, ka çështje të brendshme të cilat duhet zgjidhur. Pakicës serbe duhet t’i garantohet një pozicion më i mirë dhe mendoj se duhet të arrihet një lloj pajtimi. Më vjen keq pse Kosovës i duhet një kohë kaq e gjatë për t’i pranuar serbët. Ata kanë të drejtë për të jetuar në Kosovë, shumica prej tyre janë njerëz të rëndomtë, të moshuar dhe nuk kanë qenë pjesë e makinerisë vrasëse të Millosheviqit. Ata duhet të kenë më shumë liri të lëvizjes, më shumë gjasë të t’u punësuar në Prishtinë dhe të qarkullojnë tërësisht të lirshëm.

Intervistoi: Arbana VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG