Ndërlidhjet

SITUATA E SIGURISË PAS NGJARJEVE TË 10 SHKURTIT


Rrahman Paçarizi

Organet qeveritare nuk janë mbështetur në veprime politike, por vetëm në forcën policore, prandaj edhe situata ka eskaluar dhunshëm, tha sot Ramadan Qehaja, ekspert i çështjeve të sigurisë, duke theksuar se duhen ndërmarrë veprimet e domosdoshme politike për të qetësuar situatën, e cila mund të përshkallëzojë rrezikshëm. Zoti Qehaja tha se është i papranueshëm dhe i dëmshëm për proceset aktuale, shndërrimi i protestës së Vetëvendosjes në protestë të dhunshme, e cila përfundoi me pasoja tragjike, me dy të vdekur dhe shumë të plagosur. “Kjo do të ketë implikim të drejtpërdrejtë në çështjen e sigurisë, të cilën edhe ashtu e kemi pasur shumë të brishtë”, theksoi Qehaja. Mirëpo, këshilltari për siguri i kryeministrit Çeku, zoti Ramë Arifaj, tha se nuk ka vend për shqetësim. “Ne mendojmë se nuk ka nevojë për shqetësime. Është e drejtë e çdo qytetari që në mënyrë paqësore të demonstrojë pakënaqësinë e vet, por çdo dhunë eventuale është e papranueshme”, tha Arifaj. Në anën tjetër, zoti Ramadan Qehaja tha se është e kuptueshme që në raste të tilla policia duhet të ndërhyjë dhe nëse ka nevojë ta përdorë edhe forcën, por në bazë të asaj që u pa, mund të thuhet se policia ka qenë e përgatitur që vendosmërisht të përdorë të gjitha mjetet për të shpartalluar demonstruesit dhe duket se nuk pati variant alternativ, pos asaj që ndodhi, e që ishte brutale dhe me pasoja. Qehaja tha se do të kishte qenë e arsyeshme që para protestuesve të dilte dikush nga Grupi i Unitetit, që t’u drejtohej atyre me fjalë qetësuese. “Sikur krijohet përshtypja se organet qeveritare nuk e kanë bërë analizën e duhur të demonstratës së paralajmëruar dhe implikimet që mund të dalin nga ajo, në planin politik dhe në atë të sigurisë. Pra, është dashur të mendojnë politikisht dhe jo të mbështeten vetëm në forcë policore”, u shpreh Qehaja. Ndërkaq, zyrtari i Qeverisë së Kosovës për siguri, Ramë Arifaj tha se Qeveria është e vendosur që të çojë deri në fund hetimet për atë që ka ndodhur. “Pas ngjarjes së të shtunës, e cila e ka tronditur tërë opinionin, ne mendojmë dhe qëndrojmë prapa asaj, se do t’i bëjmë analizat e hollësishme në lidhje me atë se si kemi vepruar dhe si duhet të veprojmë në të ardhmen”, tha Arifaj. Ndërkohë, zoti Qehaja tha se pas asaj që ka ndodhur, pakënaqësia e popullatës është në rritje, për shkak të të vrarëve dhe të plagosurve, mirëpo sipas tij, duhet të qetësohen gjakrat, të bëhet analizë gjithëpërfshirëse dhe të pranohen hapur dobësitë. “Nëse nuk ndërmerren masa të shtuara politike dhe nëse nuk punohet me popullatë, e sidomos me rininë, situata do të eskalojë, apo më mirë mund të eskalojë, gjë që assesi nuk na duhet. Është dashur që deri në këtë ditë, së paku t’i kemi dy deri në tri dorëheqje, nëse për asgjë tjetër, së paku si akt moral, por kjo për çudi nuk ndodhi ende”, tha Qehaja.
Qeveria e Kosovës deri më tash ka theksuar se do të hetohet e gjithë ajo që ka ndodhur dhe do të merren masa në këtë drejtim, ndërkohë që përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që i organizuan protestat, thonë se ato nuk ishin të drejtuara kundër objekteve qeveritare, por kundër planit të Ahtisaarit dhe Grupit Negociues.


XS
SM
MD
LG