Ndërlidhjet

PROBLEMET NË NDJEKJEN PENALE TË TRAFIKANTËVE


Nadie Ahmeti

Ndjekja penale e trafikantëve të qenieve njerëzore, mbetet problem shqetësues në Kosovë. Disa lihen të lirë për shkak të mungesës së provave, të tjerët ndërkaq kalojnë në ndjekje penale dhe akuzohen e dënohen me dënime shumë të vogla, thonë përfaqësues të organizatave joqeveritare. Sipas tyre, këtu edhe qëndron shpjegimi pse Kosova është bërë vend destinacioni për trafikim. Organet e rendit thonë se prej vitit 2004 e deri në vitin 2006, pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës kanë arrestuar 161 trafikantë dhe persona që kanë ndihmuar prostitucionin. Veton Elshani, zëdhënës në këtë shërbim, pohon se këto arrestime janë bërë me ndihmën e qytetarëve kosovarë. “Për vepra me trafikim me njerëz, në vitin 2004 kemi pasur 56 persona; në vitin 2005, 33 persona; në vitin 2006, 36 persona. Ndërsa, për mundësim në prostitucion, në vitin 2004 nuk kemi pasur raste, në vitin 2005, 15 persona dhe në vitin 2006, 21 persona”, tha zoti Elshani. Reshat Millaku, nga Prokuroria e Qarkut në Prishtinë, pohon se në vitin 2006 janë ngritur aktakuza vetëm për 24 persona, 16 prej të cilëve janë gjykuar me burgim efektiv. Ai tha se dënimi më i rëndë për këtë vepër, deri më tash ka qenë tri vjet e katër muaj, ndërkaq dënimi më i lehtë pesë muaj. “Kundër njërit është shqiptuar masa e shërimit të obliguar psikiatrik. Kurse, për vitin 2006 prokuroria ka ngritur akuza kundër 24 personave. Në vitin 2005, dënimi maksimal ka qenë tre vjet e katër muaj, për një person”, tha zoti Millaku. Dënimet e lehta të trafikantëve me qenie njerëzore, e pikërisht kur bëhet fjalë për viktimat e mitura, kanë ndikuar në krijimin e rrethanave të lehta për ta ushtruar këtë veprimtari, tha Igballe Rexha, nga Rrjeti i Grave të Kosovës. “Duke pasur parasysh edhe moshën e atyre që kanë të bëjnë me trafikim, kryesisht dënimet ende janë shumë të vogla, në krahasim me të gjitha veprimet që bëhen, e posaçërisht ndaj të miturave”, tha zonja Rexha. Pikërisht, sipas saj, kjo është arsyeja kryesore pse numri i trafikantëve dhe i prostitucionit në përgjithsi rritet. “Duke marrë parasysh se dënimet janë shumë të vogla dhe masat ndaj tyre nuk janë ato që duhet të merren, natyrisht se edhe numri i trafikantëve rritet. Dhe ata nuk heqin dorë prej veprimtarisë së tyre, pavarësisht edhe pse ndonjëri prej tyre dënohet”, u shpreh zonja Rexha. Trafikantët në shumicën e rasteve, viktimat i joshin duke u bërë oferta punësimi, por ato kryesisht përfundojnë duke punuar në lokale nate dhe detyrohen të merren me prostitucion. Veton Elshani, zëdhënës në Shërbimin Policor të Kosovës, tha se vetëm në vitin 2006 janë bastisur mbi 1000 lokale, ndërkaq janë mbyllur vetëm 21 prej tyre. “Numri i lokaleve që janë në shënjestër të policisë, është 140 në mbarë Kosovën”, tha zoti Elshani.
Ndryshe, prej vitit 2001 e deri në vitin 2006, Shërbimi Policor i Kosovës ka identifikuar mbi 500 viktima të prostitucionit. Në dy vitet e fundit ndërkaq, 88 prej tyre janë identifikuar si viktima kosovare.




XS
SM
MD
LG