Ndërlidhjet

PRISHTINA E CILËSON TË RREZIKSHME ÇDO SHTYRJE TJETËR TË PROCESIT


Albana Isufi

Liderët kosovarë kanë kërkuar sot, që të mos ketë më shtyrje të zgjidhjes së statusit final të Kosovës. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Çeku, i kanë paraqitur ministrit të jashtëm holandez, Bernard Bot, pasojat negative që do të sillte ndonjë shtyrje tjetër e procesit të statusit. Presidenti Fatmir Sejdiu ka theksuar se dokumenti i Martti Ahtisaarit, duhet të përmbajë vullnetin politik të popullit të Kosovës, ndërsa çdo shtyrje është e rrezikshme. ”Ne dëshirojmë që ky proces vërtetë të shkojë shpejt. Çdo shtyrje e procesit është e rrezikshme për stabilitetin. Po të kihen parasysh kërkesat e Serbsië, ato janë gjithmonë kërkesa të kundërta me vullnetin që ka populli i Kosovës. Edhe këtë proces, ajo dëshiron që ta shtyjë, komprometojë, stërzgjasë dhe të krijojë tensione të vazhdueshme, prandaj e shihni se i kemi dy qasje krejt të kundërta”, tha Sejdiu, pasi që nga shefi i diplomacisë holandeze ishte njoftuar rreth qëndrimit të fundit të Beogradit zyrtar. Bernard Bot ka inkurajuar kosovarët, që të angazhohen për një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. “Ne e konsiderojmë me rëndësi të madhe që plani, i cili tashmë ndodhet në tavolinë, të çojë në një marrëveshje në mes të të gjitha palëve”, tha Bernard Bot, duke shtuar se Beogradi zyrtar nuk e ka hedhur poshtë në tërësi pakon e Ahtisaarit, por se shpresohet për modifikime të dokumentit. “Ajo çka ata duan, është një zgjidhje e negociuar dhe propozim i negociuar, që vjen në tavolinë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ata mendojnë se në kontekst të përgjithshëm, është e mundur që të gjindet një qasje e përbashkët rreth planit të Ahtisaarit. Nuk më kanë thënë se çka kanë saktësisht në mendje, por e kuptoj se janë të gatshëm të pranojnë një autonomi të plotë dhe pavarësi për Kosovën, por brenda një lloj strukture që ndoshta mund të ngjajë si - një shtet, dy sisteme. Por, sërish ne duhet të presim deri më 21, të shohim këto propozime”, tha Bernard Bot, duke shprehur besimin se do ketë zgjidhje të negociueshme. “Ne kërkojmë nga palët që të mundohen të arrijnë marrëveshje të negociueshme, sepse gjithmonë është më mirë që të kemi diçka kur të gjitha palët pajtohen, madje edhe kur duhet të bësh pak koncesione, sesa të ketë zgjidhje që mund të çojë në shqetësime të tjera për këtë rajon”, tha diplomati holandez, Bernard Bot.
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i ka thënë ministrit Bot se zgjidhja e vetme e pranueshme, është pavarësia e Kosovës. “Ne duam që ky proces të përshpejtohet dhe të mos ketë asnjë lloj vonese të mundshme, të mos ndikohet nga qëndrimet joproduktive dhe jorealiste të Beogradit. Procesi të dinamizohet dhe të përshpejtohet. E vetmja zgjidhje e mundshme është shteti i pavarur dhe sovran”, u shpreh Çeku. Kryeministri i Kosovës ka thënë se rezoluta e Kuvendit të Serbisë, e cila hedh poshtë propozimin e Ahtisaarit për statusin, nuk është befasuese dhe si e tillë nuk do të ndikojë në procesin e zgjidhjes së statusit final.

XS
SM
MD
LG