Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

IVANOVIQ: SHTIZAT THYHEN PËR STATUSIN


Rrahman Paçarizi

Pala serbe do të përpiqet që nga plani i Ahtisaarit të hiqen të gjitha elementet që flasin për shtetësinë e Kosovës, thonë përfaqësues të serbëve të Kosovës, duke folur për pritjet e tyre nga konsultimet që do të mbahen në Vjenë nga 21 shkurti. Bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, tha se në qoftë se Ahtisaari dëshiron që pala serbe të pajtohet me planin e tij dhe që ai të kalojë në Këshillin e Sigurimit, atëherë nga ai duhet të flakë atributet e pavarësisë. “Këtë Serbia nuk mund ta pranojë dhe këtu duhet qenë shumë inventiv për të gjetur zgjidhje, që nuk i mundësojnë Kosovës ulëse në Kombet e Bashkuara, nuk mundësojnë riemërimin e kufijve shtetërorë dhe politikë, të jashtëm krejt të pavarur”, tha Ivanoviq, sipas të cilit, Serbia e vlerëson të rrezikshëm edhe ekzistimin e ushtrisë së Kosovës për stabilitetin e saj. Ivanoviq mendon se negociatat do të përqendrohen te statusi, e shumë më pak në çështjet e tjera lidhur me planin. Në këtë pikë, sipas tij, ka një problem serioz, pasi Serbia nuk mund të pranojë pavarësinë, ndërsa bashkësia ndërkombëtare nuk mund ta imponojë atë. “Nuk bën të mashtrohemi, pasi të gjitha temat e tjera janë nën hijen e asaj që është më e rëndësishmja, e kjo është se si do të quhet ai status dhe çka do të thotë”, tha Ivanoviq, sipas të cilit, pikërisht aty do të thyhen shtizat dhe nuk ka asnjë mundësi që pala serbe të bëjë lëshime në këtë pikë. Zoti Ivanoviq, në anën tjetër, mendon se pavarësisht nga rrjedha e konsultimeve të Vjenës, Këshilli i Sigurimit do ta shqyrtojë propozimin e Ahtisaarit dhe do të miratojë një rezolutë, e cila nuk është e thënë t’i ngjajë planit të Ahtisaarit. “Dyshoj që Këshilli i Sigurimit do të vendosë, përderisa nuk arrihet ndonjëfarë pajtueshmërie. E kjo do të thotë se kemi përpara një proces ende të gjatë negociatash, harmonizimesh, heqjesh e shtesash të amandamenteve nga plani i Ahtisaarit, i cili mund të mos jetë i njëjtë me versionin përfundimtar të rezolutës së Këshillit të Sigurimit”, tha Ivanoviq. Shpresat e serbëve të Kosovës janë mbështetur te Rusia, e cila sipas tyre, do të kundërshtojë çfarëdo rezolute me të cilën Kosovës do t’i jepej pavarësia. Sipas tyre, pala serbe tash duhet të koncentrohet për t’u siguruar që Rusia të mos mbetet e vetmuar në Këshillin e Sigurimit, në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG