Ndërlidhjet

VJENË: FILLON RAUNDI FINAL I BISEDIMEVE PRISHTINË-BEOGRAD


VJENË: FILLON RAUNDI FINAL I BISEDIMEVE PRISHTINË-BEOGRAD

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë gjasa që të bien dakord lidhur me të ardhmen e Kosovës. "Sa i përket çështjes së statusit asgjë nuk ka treguar se palët do lëvizin në drejtime të ndryshme nga ato që kanë pasur deri tani", ka deklaruar sot në Vjenë i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari.
Deklarata e kryenegociatorit erdhi sot në ditën e parë të bisedimeve konsultative mes delegacionit të Kosovës dhe Serbisë, të parat bisedime që nga fillimi i muajit, kur Ahtisari i paraqiti planin e tij për të ardhmen e Kosovës, Prishtinës, Beogradit dhe bashkësisë ndërkombëtare.
Në bisedimet që pritet të vazhdojnë deri në 1 mars të dyja delegacionet dhe përfaqësuesit e zyrës së Ahtisarit do diskutojnë propozimet e përfshira në planin e kryenegociatorit. Mëngjesin e sotëm, para fillimit të bisedimeve Ahtisari deklaroi së janë të hapur për të pranuar ndryshime në plan apo propozime për të cilat palët janë dakord.
"Është e rëndësishme që të diskutojmë, të dëgjojmë cilat janë pikëpamjet e palëve për detajet. Nëse ata bien dakord për diçka që momentalisht nuk është e përfshirë në plan ne do ta shqyrtojmë atë seriozisht", tha Ahtisari.
Ndërkaq Veton Surroi, shefi i delegacionit të Kosovës dhe anëtar i Grupit të Unitetit lidhur me raundin e bisedimeve që filloi sot deklaroi:
"Ajo çfarë presim është një raund final sqarimesh rreth asaj se çfarë është paketa, e cila në substancë ka formësuar rrugën në të cilën do funksionojë Kosova pas përcaktimit të statusit", tha Surroi. Ndërkaq shefi i delegacionit serb Sllobodan Samarxhiç shprehu pakënaqësinë e Beogradit lidhur me propozimin e Ahtisarit.
"Ne hedhim poshtë vetëm pjesën e cila shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë", tha Samarxhiç.
Ndërkohë Surroi ka përsëritur qëndrimin se Kosova do të jetë një shtet i pavarur.
"Ne kemi qenë të pakënaqur për shumë vite, por ajo çfarë kërkojmë dhe ajo çfarë duam nga populli ynë është të kenë durim në këto hapa të fundit të kësaj maratone. Ne besojmë se Kosova do jetë shtet i pavarur. Kemi ardhur këtu me këtë bindje dhe do kthehemi sërish me këtë bindje" vlerësoi Surroi lidhur me ecurinë e bisedimeve dhe të ardhmen e Kosovës.
Duke folur për paraqitjen e projekt propozimit përfundimtar kryenegociatori ka hedhur poshtë mundësinë e një shtyrje të mëtejshme. Burimet diplomatike bëjnë të ditur se projekt propozimi final do paraqitet më 10 mars në Vjenë. Ahtisari sot në Vjenë theksoi se gjendja e sigurisë në Kosovë do të mund të përkeqësohet në rast të shtyrjeve të mëtejshme. "E kam shtyrë shumë planin tim deri tani. Nëse ka shtyrje të pakufi në këtë proces gjendja e sigurisë bëhet problematike", theksoi kryenegociatori Ahtisari në hapje të bisedimeve të sotme në Vjenë. Pas Vjenës debati për Kosovën do zhvendoset në Nju Jork, ku Këshilli i Sigurimit do duhet të vendosë për statusin.

Përgatiti: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG