Ndërlidhjet

TEATRI NË LUFTË KUNDËR DROGËS


Bekim Bislimi

Është hap i mirë kur shoqëria kosovare përkujdeset që njerëzve të privuar nga liria, e posaçërisht të miturve, t’u sigurojë kushte dhe standarde të mira, trajtim njerëzor, si dhe mundësi që të komunikojnë me botën e artit. Kështu thotë Sokol Plakolli, regjisor dhe skenarist i shfaqjes teatrore “Droga vret”, e cila gjatë kësaj jave do të shfaqet në shtëpinë korrektuese në Lypjan, nga trupa teatrore e studios Filizat nga Fushë Kosova. “E kam marrë një ftesë prej Drejtorisë së Rendit Publik, që kjo shfaqje, pasi që ka mesazh shumë edukativ, të jepet edhe për të miturit e shtëpisë përmirësuese në Lypjan. Ajo do të shfaqet këtë javë, të premten ose të shtunën”, tha Plakolli. Duke u nisur nga përvoja e deritashme me shfaqjen “Droga vret”, e cila është shfaqur rreth 30 herë para nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme të Prishtinës, Sokol Plakolli thekson se, pret që ajo të komunikojë mirë me të rinjtë të cilët janë në shtëpinë korrektuese në Lypjan. “Fëmijët do të luajnë për fëmijë, pra ata do t’i shohin moshatarët e tyre duke luajtur. Mesazhi është shumë i qartë, shumë konkret dhe shumë i përtokshëm. Ngjarja fillon prej më të mirës dhe kalon tek ajo që është më e keqja. Ata mund ta shohin qartë, se ku dërgon narkomania, mosvijimi i rregullt i mësimeve, problemet shoqërore, familjare dhe sociale”, theksoi Plakolli. Ai thotë se përveç shfaqjes “Droga vret”, që do t’ju shfaqet të rinjve në shtëpinë korrektuese në Lypjan, po ashtu planifikon një projekt me të cilin do të angazhojë këta të rinj, që të merren edhe vetë me artin. “Jam befasuar kur kam dëgjuar se aty ka edhe skenë. Kjo më ka shtyrë të mendoj, që të punoj diçka edhe me nxënësit që janë brenda burgut”, u shpreh Plakolli. Ai tregon se aktualisht është duke e përgatitur shfaqjen “Pa dialog”, në kuadër të provimit të fundit në degën e regjisë, në Fakultetin e Arteve në Prishtinë. Lidhur me pohimet e mjaft artistëve teatrorë se mungon hapësira për angazhimin e tyre, ai thotë se ata të shumtën e rasteve janë të paarsyeshëm. Sipas tij, artistët duhet të jenë vetë kreativë, të kenë ide dhe ta krijojnë atë hapësirë. “Unë nuk e shoh vetëm teatrin si hapësirë, ku aktorët dhe njerëzit që mirren me art, regjisorët, mund ta paraqesin talentin e tyre. Rast konkret, javën e kaluar, ka qenë një shfaqje shumë e mirë në Pallatin e Shtypit, jashtë skenës së teatrit, në një hapsirë që nuk ka të bëjë aspak me teatrin. Por, ajo ishte një shfaqje e shkëlqyeshme, e cila ka komunikuar shumë mirë me të gjithë ata njerëz që e kanë parë atë. Definitivisht, unë mendoj se ka hapësirë”, pohon Plakolli. Sidoqoftë, regjisori i shfajes “Droga vret” thotë se në Kosovë ekziston kriza e teatrove, por këtë gjendje, sipas tij, duhet të përpiqen që ta ndryshojnë vetë artistët e teatrit. “Ka edhe krizë. Këto ditë po flitet, se një nga teatrot ka krizë për ekzistencën e tij. Shpeshherë teatrot tona me muaj nuk punojnë shfaqje, por ka edhe teatro ku çdo dy javë ka shfaqje të re. Unë mendoj se ka hapësirë për punë për studenta dhe ka hapësirë për të gjithë këta artista, që shkollohen dhe që janë këtu. Nuk duhet të kërkohet perspektiva, para se të bëhet puna. Në këtë kontekst, unë mendoj që ka perspektivë, por vetëm duhet punuar dhe të jemi optimistë”, thotë Sokol Plakolli.
XS
SM
MD
LG