Ndërlidhjet

PARAGJYKIMET PËRBALLË VIKTIMAVE TË TRAFIKIMIT


Nadie Ahmeti

Trafikimi me qenie njerëzore është shumë i përhapur në Kosovë dhe grupet më të rrezikuara janë gratë dhe vajzat e reja, të cilat jetojnë në viset rurale, në gjendje të rëndë sociale, që kanë nivel të ultë të arsimimit dhe që janë të painformuara për këtë çështje. Kështu është thënë sot, gjatë publikimit të një hulumtimi mbi njohurinë e popullatës për këtë fenomen. Hulumtimi është hartuar nga Shërbimi Katolik i Ndihmave dhe Fondacioni Kosovar për Popullsi, në bashkëpunim me zyrën e kryeministrit për qeverisje të mirë. Vigan Behluli, nga kompania hulumtuese PRISM, pohon se në bazë të të anketuarve, Kosova është vend transit për trafikim të qenieve njerëzore, ndërkaq vetëm një e katërta prej tyre mendojnë se është vend origjine. “Shumica e respodentëve nga të dy grupet janë të brengosur me prezencën e trafikimit të qenieve njerëzore. Ata shprehin brengën se mund të jenë drejtpërdrejt të ndikuar nga ky fenomen. Trafikantët e qenieve njerëzore dhe mosangazhimi i autoriteteve të rendit, konsiderohen më së shumti përgjegjës për praninë dhe shtrirjen e trafikimit në Kosovë”, tha zoti Behluli, sipas të cilit, viktimat në të shumtën e rasteve trafikohen nga të afërmit e tyre, duke i premtuar punësim dhe oferta për martesë jashtë vendit. Ai thotë se problem në vete paraqet riintegrimi i viktimave në shoqëri. “Është skeptike ajo se viktimat e trafikimit mund të pranohen sërish në familjet dhe komunitetin e tyre. Njëra nga arsyet kryesore është stigmatizimi i tyre dhe paragjykimet që i kanë ato viktima të riintegrohen, të pranohen prapë në familjet e tyre. Megjithatë, vajzat e reja kanë një besim më të madh se viktimat mund të kthehen në familjet e tyre”, thekson zoti Behluli. Shifrat tregojnë domosdoshmërinë që kjo dukuri të parandalohet, thotë Heather Goldman, nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar. “92 përqind e të intervistuarve, besojnë se trafikimi me qenie njerëzore është dukuri e pranishme në Kosovë”, tha zonja Goldman, duke shtuar se kjo tregon se është e rëndësishme që të punohet në riintegrimin e qenieve të trafikuara në shoqëri. Prioritet kryesor i Qeverisë për vitin 2007, është implementimi i planit të veprimit kundër trafikimit, plan ky që ka për qëllim parandalimin, mbrojtjen dhe ndjekjen penale, tha Habit Hajredini, nga zyra për qeverisje të mirë në kryeministri. “Ky kontribut është një hap shumë i rëndësishëm në çështjen e parandalimit dhe luftimit të trafikimit me qenie njerëzore. Besoj se ky hulumtim do të jetë një kontribut konkret në këtë çështje”, pohon zoti Hajredini. Ndryshe, më tepër se 80 përqind e të intervistuarve nga popullata dhe 90 përqind e grupit të rrezikuar, mendojnë se vajzat e trafikuara janë viktima, ndërkaq trafikantët kriminelë. Sipas tyre, viktimat duhet më tepër të ndihmohen nga institucionet në pushtet, ndërkaq organet e rendit duhet më shumë të angazhohen në arrestimin e trafikantëve. Hulumtimi i publikuar sot, përfshin anketimin e 500 kosovarëve nga popullsia e përgjithshme, 300 vajza të reja nga mosha 14 deri në 18 vjeç, 10 ish-viktima të trafikimit dhe 18 shfrytëzues të shërbimeve që ofrojnë viktimat.
XS
SM
MD
LG