Ndërlidhjet

VJENË


Në kryeqytetin e Austrisë sot vazhduan bisedimet konsultative të delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit lidhur me planin e Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Palët sot i diskutuan anekset e planit lidhur me kushtetutën, të drejtat e pakicave dhe sistemin e drejtësisë.
Pas takimit, shefi i ekipit negociator të Prishtinës Veton Surroi tha se Beogradi dhe Prishtina i kanë zbutur dallimet mbi dy propozimet e planit. Njëri është që presidenti i Kosovës të mund t'i kthejë ligjet, të cilat do të kishin ndikim negativ te pjesëtarët e bashkësive etnike. Surroi tha se zbutje të dallimeve ka patur edhe për mënyrën e formimit të qeverisë.
"Në pakon e Ahtisaarit insistohet që një ministër i qeverisë të jetë serb, ndërsa tjetri të vijë nga bashkësitë tjera etnike. Me Beogradin u dakorduam që të gjejmë një formulim, i cili nuk do të insistonte në parimin etnik", tha Surroi, për të shtuar se në përgjithësi, dallimet janë të papajtueshme.
Nesër delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të diskutojnë për çështjet ekonomike dhe ato të pronës.
XS
SM
MD
LG