Ndërlidhjet

O’BRIEN: KËSHILLI I SIGURIMIT DO TË MIRATOJË PLANIN E AHTISAARIT


Jim O'BRIEN, ''The Albright Group''

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti O’Brien, raundi i ri i konsultimeve midis Prishtinës dhe Beogradit duket se ka thelluar edhe më shumë hendekun midis të dyja palëve. Si e shihni ju përmbylljen e këtij kapitulli?

JIM O’BRIEN
Mendoj se me këtë përmbyllet kjo periudhë dhe tani gjërat lëvizin drejt Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Fillimisht, ishte paraparë që pas prezantimit të planit të presidentit Martti Ahtisaari, të dyja palët do të mund të ulen bashkë dhe të shqyrtojnë mundësitë e kompromisit. Megjithatë, asnjë person i arsyeshëm nuk ka pritur nga ky raund ndonjë kompromis. Hapi i ardhshëm i presidentit Ahtisaari është që t’i raportojë sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, i cili pastaj do ta bartë çështjen tek Këshilli i Sigurimit. Ajo që nuk e dimë është se sa do t’i duhet kohë Këshillit të Sigurimit për këtë çështje dhe çfarë saktësisht do të bëjë në marrjen e vendimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa analistë kanë thënë se bisedimet në Vjenë u ngjajnë atyre që janë mbajtur në Rambuje, tetë vjetë më parë. Ju keni qenë të pranishëm në Rambuje, a shihni ndonjë ngjashmëri?

JIM O’BRIEN
Nuk e di, sepse nuk kam qenë i pranishëm në Vjenë. Në Rambuje ka pasur shumë zhvillime para-prapa në hartimin e propozimeve, ndërkaq në rastin aktual mendoj se është më ndryshe, meqë propozimet janë të gatshme dhe të dyja palët mbase kanë arritur të bëjnë disa qartësime teknike. Atëbotë, nuk ka pasur substancë të vërtetë dialogu dhe ajo që po ndodhë tani, është një periudhë shumë më e largët se ajo që kemi arritur në Rambuje apo Paris, tetë vjetë më parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se në marrëveshjen për Kosovën me gjasë do të shmanget emërimi i statusit. Cilat do të ishin ndikimet e një paqartësie të këtillë?

JIM O’BRIEN
Mendoj se me miratimin e rezolutës së Këshillit të Sigurimit, pasi ta kenë përfunduar diplomatët punën e tyre, do ta dimë se çfarë kuptimi do të ketë. Ngjarjet në 12 dhe 15 muajt e fundit janë zhvilluar në mënyrën që lë të kuptohet se Këshilli i Sigurimit do të miratojë planin e Ahtisaarit. Këtu do të përfshihet edhe një periudhë prej disa muajsh, gjatë së cilës Kosova do të fitojë Kushtetutën e saj dhe në këtë mënyrë edhe do të themelojë institucionet e saj qeverisëse. Gjithashtu, edhe misioni i Bashkimit Evropian do të fuqizohet dhe do të vendoset. Në këtë pikë, vendimi do t’i mbetet popullit të Kosovës, nëse ai dëshiron të jetë i pavarur dhe mendoj se të gjithë e dimë se përgjigja do të jetë po. Dhe pasi Kosova ta ketë shpallur pavarësinë e saj, atëherë do të jetë vendim i secilit shtet dhe marrëdhënieve të tyre bilaterale, nëse duan ta njohin këtë pavarësi. Ajo që jam duke dëgjuar, ndonëse nuk e di me saktësi, është se tashmë është një numër shtetesh janë të gatshme ta njohin Kosovën, përfshirë këtu edhe të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, nëse Këshilli i Sigurimit mbështet planin e presidentit Ahtisaari.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë kuadër, ende mbetet i paqartë pozicioni i Rusisë rreth kësaj çështjeje në Këshillin e Sigurimit. Beogradi padyshim llogaritë në veton e Moskës, por a mendoni se vetoja do të shfrytëzohet?

JIM O’BRIEN
Nuk e di dhe kjo është çështje e rëndësishme. Unë mendoj se Rusia do të donte të ketë një rol konstruktiv, të jetë konstruktive në rrafshin global dhe të jetë konstruktive në kuptimin që Këshilli i Sigurimit të jetë vendi qendror ku do të bisedohet për çështje të këtilla. Dhe gjithashtu mendoj se rusët duan të jenë konstruktivë për serbët që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë. Ata mund t’i bëjnë të gjitha këto, duke i lejuar Kosovës që të jetë e pavarur. Sipas mendimit tim, ajo që do të ndodhë është se rusët do të luajnë për më shumë kohë; do të kërkojnë edhe disa raunde shtesë të bisedimeve, do të synojnë shqyrtimin e mëtejshëm të gatishmërisë së Kosovës për vetëqeverisje, por mendoj se të gjitha këto duhet të zgjidhen gjatë muajit prill dhe muajit maj. Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara janë presidente të rradhës të Këshillit të Sigurimit në prill dhe në maj dhe mendoj se që të dyja vendet duan që kjo çështje të marrë fund nën mbikqyrjen e tyre. Gjermanët gjithashtu preferojnë këtë periudhë, sepse samiti i G8-shit do të mbahet në Gjermani gjatë muajit qershor dhe ata duan që kjo të jetë festa e përmbylljes së kësaj çështjeje. Mendoj se ky do të jetë orari i veprimeve. Rusët do të jenë ndoshta konstruktivë në një formë dhe njëkohësisht mendoj se rusët nuk do të duan të shihen si mbështetës të pavarësisë së Kosovës. Prandaj, ata do të kërkojnë një lloj formule që u lejon për të thënë se nuk janë edhe aq mbështetës të pavarësisë së Kosovës, por se nuk do t’i dalin përpara atyre që do të duan ta njohin.

RADIO EVROPA E LIRË
Në cilindo rast, si e shihni zbatimin e marrëveshjes, duke marrë parasyshë kundërshtimin që përfaqësuesit e serbëve të Kosovës i kanë bërë pakos së hartuar nga Martti Ahtisaari?

JIM O’BRIEN
Një gjë për të cilën më vjen keq është fakti se nuk jemi duke i dëgjuar mjaft ata serbë që duan të jetojnë në Kosovë. Mendoj se Kisha Serbe në Kosovë është duke luajtur një rol të mirë dhe është e përkushtuar të qëndrojë në Kosovë. Kjo meriton shumë respekt dhe është një zë i mirëseardhur. Megjithatë, jam i shqetësuar se 100 mijë serbët tjerë, veçanërisht ata që jetojnë në jug të lumit Ibër, nuk janë lejuar që të angazhohen aq sa ka qenë e mundshme. Ata janë me arsye nervozë, sepse nuk janë politikanë dhe mendoj se Beogradi nuk ka ndihmuar, ndërkohë që do të doja që edhe udhëheqësit në Prishtinë të kenë bërë më shumë. Janë shënuar disa përpjekje të udhëheqësve për të shtrirë dorën, por të gjithë e dijnë se kanë mundur të bëjnë më shumë. Sa për zbatimin, mendoj se është thelbësore që qeveria në Prishtinë, të përmbushë obligimet që marrë mbi vete. Serbia ndërkaq duhet ta lë Kosovën të ecë përpara pa u përzier dhe natyrisht është e rëndësishme që misioni i Bashkimit Evropian të jetë thellësisht i angazhuar me qeverinë e re në Kosovë. Kjo në fakt është shumë e rëndësishme, e di se është kundërthënëse midis disa qarqeve në Kosovë për të pasur një prani ndërkombëtare, ndërkaq unë mendoj se është diçka shumë e mirë. Ky mision do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet çdo shtet i ri dhe do të bëjë që Bashkimi Evropian të ndihmojë Kosovën që të bëhet anëtare e bllokut evropian. Pasi të bëhet e pavarur, Kosova do të përballet me sfidën për t’u anëtarësuar në BE dhe sa më shumë që BE-ja është e pranishme në terren për të ndihmuar, aq më mirë do të zhvillohet procesi i anëtarësimit.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe si e shihni fuqinë e këtij misioni të ardhshëm të BE-së, a mendoni se duhet të jetë një prani e lehtë ashtu siç është thënë fillimisht apo duhet të jetë prani e fuqishme, ashtu siç rekomandohet tani?

JIM O’BRIEN
Ta kesh një mision të këtillë në terren dhe ta kesh kompetent, mendoj se është gjëja më e rëndësishme. Unë shpresoj se do të jetë i angazhuar duke bërë dy gjëra; fillimisht, duke i përqëndruar përpjekjet në fushat, ku autoritetet vendore do të kenë probleme. Këtu hyjnë çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë, mbrojtjen e komuniteteve, veçanërisht komunitetin serb dhe me hetimet rreth krimit te organizuar, krimit ndërkufitar dhe çështjet tjera që janë të vështira për t’u zgjidhur nga cilido shtet i ri. Nuk do të dëshiroja fare që ku mision të përpiqet të shndërrohet në një UNMIK tjetër. Së dyti, shpresoj se ky mision do të veprojë në përputhje me procesin. Është e rëndësishme që ky mission të dëshmojë se është duke zbatuar një qeverisje efektive dhe jo vetëm të japë mësime për autoritetet vendore mbi domosdoshmërinë e kësaj qeverisjeje. Tani, janë disa njerëz shumë të mirë të cilët janë angazhuar për ta udhëhequr këtë mision dhe mendoj se do të bëjnë një punë të mirë. Kam shpresa të mëdha për misionin e Bashkimit Evropian. Ekziston rreziku që në fillim ta ketë “dorën e rëndë”, por mendoj se do të jetë në këmbët e veta shumë shpejtë.

INTERVISTOI: ARBANA VIDISHIQI
XS
SM
MD
LG