Ndërlidhjet

FRIED: ASNJËRA PALË NUK DO TË FITOJË GJITHÇKA DHE ASNJËRA NUK DO TË MBETET PA ASGJË


Rrahman Paçarizi

Asnjëra palë nuk do të fitojë krejt çka kërkon, ashtu siç asnjëra palë nuk do të mbetet pa asgjë në statusin përfundimtar të Kosovës, tha sot në pjesën veriore të Mitrovicës ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Daniel Fried. Pas qëndrimit njëditësh në Serbi, vizitën në Kosovë, ndihmëssekretari amerikan i shtetit Daniel Fried e ka nisur në pjesën veriore, ku është takuar me kryetarët e komunave veriore me shumicë serbe. “Asnjëra palë nuk mund të fitojë gjithë atë që kërkon dhe asnjëra palë nuk duhet të mos marrë asgjë”, tha ndihmëssekretari Fried, ndërkohë që bashkëbiseduesi i tij, kryetari i komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq, tha se ky ishte një rast i mirë që zotit Fried t’i transmetohej qëndrimi i serbëve, lidhur me pakon e Ahtisaarit. “I thamë zotit Fried se propozimi i Ahtisaarit për statusin e Kosovës, është refuzuar nga Kuvendi i Serbisë dhe nuk është pranuar”, tha Miloviq. Ndërkaq, zoti Fried, theksoi se serbët duhet të jetojnë në Kosovë edhe pas statusit. “Sipas pikëpamjes së qeverisë sime, serbët e Kosovës duhet ta dinë se ne besojmë, që ata duhet dhe do të kenë të ardhme në Kosovë”, tha Fried, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk duan të shohin që ndonjë agjendë nacionaliste e dikujt të përmbushet diku, pasi në këtë vend ka pasur së tepërmi nacionalizëm. Kryetari i komunës së Zveçanit tha se serbët i kanë mbështetur shpresat në takimin e nivelit të lartë, që mbahet më 10 mars në Vjenë. “Në bisedimet e 10 marsit, ne shpresojmë se ka hapësirë që një pjesë e amendamenteve të ekipit serb, mund të futen në pako”, tha zoti Miloviq, duke shpjeguar se para së gjithash, e kishte fjalën për amendamentet që kanë të bëjnë me pozitën dhe mbrojtjen e pakicave si dhe me decentralizimin. Zoti Fried u pajtua se takimi i 10 marsit në Vjenë është i rëndësishëm. “Unë shpresoj se Ekipi Negociues i Qeverisë së Serbisë, do të sjellë propozime praktike dhe serioze në takimin e 10 marsit në Vjenë”, tha ndihmëssekretari amerikan i shtetit, i cili nesër do të ketë takime të veçanta me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe me kryeministrin, Agim Çeku, si dhe një takim të përbashkët me Ekipin Negociues të Kosovës.
XS
SM
MD
LG