Ndërlidhjet

ZBATIMI I DECENTRALIZIMIT S’DO TË JETË I LEHTË


Albana Isufi

Anëtarët e delegacionit kosovar në bisedimet për decentralizimin, vlerësojnë me tone pozitive ndryshimet e fundit të pakos së Ahtisaarit, përderisa pranojnë se zbatimi i pakos, veçanërisht i pjesës që ka të bëjë me decentralizimin, do të jetë i vështirë. Ministri i Ambientit, Ardian Gjini, që ishte pjesë e delegacionit, thotë se institucionet e Kosovës do të kenë shumë punë për të bërë. “Asgjë nuk është e lehtë. Edhe sikur të mos kishte pjesë të decentralizimit në pako, nuk do të ishte lehtë. Do të ketë shumë punë për institucionet e Kosovës, do të ketë shumë punë për të gjithë. Mirëpo, të gjitha ato janë punë që mund të kryhen dhe nuk do të krijojnë probleme të mëdha për shtetin e Kosovës”, thotë ministri Gjini. Anëtari tjetër i delegacionit për decentralizimin, Fehmi Mujota, thotë se parimet e decentralizimit në Kosovë, kanë qenë të veçanta nga praktikat tjera në rajon dhe demokracitë perëndimore. Kjo, sipas tij, do ta bëjë të vështirë zbatimin e këtij procesi. “Meqë ka të bëjë me diçka që nuk ekziston si përvojë në vendet me traditë demokratike, atëherë me siguri se në zbatimin e saj do ketë vështirësi të caktuara. Për shembull, çështja e shërbimeve të qytetarëve në ato zona, të cilat tani kalojnë disa kilometra larg qendrave të tyre, ku do të mund t’i merrnin shërbimet, në vend se ato t’i marrin në qendrat më të afërta”, thotë Mujota. Megjithatë, ai mendon se me planin e ndryshuar të Ahtisaarit, janë shtuar disa ndryshime pozitive sa i përket planit të decentralizimit. “Sa kam informata, ende pa e studiuar mirë si dokument, të sjellë tash rishtazi në Prishtinë, ka shenja të mirë. Të merret shembulli i Vitisë, ku katër zona kadastrale janë të hequra nga komuna e Kllokotit dhe besoj se këto po shkojnë në këtë trend, që të kuptohet sa më tepër funksionalizimi dhe shërbimi për qytetarët”, thotë Mujota. Plani i ndryshuar i Ahtisaarit gjatë periudhës konsultative, është sjellë dje në Prishtinë. Ministri Ardian Gjini thotë se ndryshimet e bëra në dokument, kanë nuanca pozitive. “Shumica e ndryshimeve prapë janë në favor të përmirësimit të të gjitha elementeve, që i përmban pakoja”, thotë Gjini. Në dokumentin e Martti Ahtisaarit parashihet një periudhë 120 ditëshe nga hyrja në fuqi e dokumentit, që të miratohen ligjet përkatëse për të mundësuar zbatimin e decentralizimit. Ministri Gjini është optimist se pala kosovare do ta zbatojë këtë pikë, pa pasur ndonjë problem, meqë sipas tij, shumica e legjislacionit të duhur, tanimë është në fuqi. ”Me siguri se shumë shpejt, pas hyrjes në fuqi të pakos, do të jenë të gjitha të përgatitura. Dhe brenda 120 ditësh, pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, do të jetë legjislacioni në vend dhe do të zbatohen të gjitha ato që dalin nga marrëveshja”, thotë Gjini. Por, Fehmi Mujota mendon se megjithatë, gjatë kësaj periudhe do të mund të ketë probleme, për shkak të interpretimit në forma të ndryshme të pakos. “Nuk e them që do të jetë krejt punë e lehtë, me siguri se do të ketë mjaft vështirësi ose më mirë të thuhet, shumë interpretime të ndryshme ne kuadër të kësaj marrëveshjeje. Por, besoj se profesionistët që janë brenda në Kosovë dhe ata ndërkombëtarë, do të jenë partnerët tanë në këtë rast, dhe do t'i gjejnë interpretimet më të mira, më të lehta dhe më të zbatueshme në kuadër të marrëveshjes, që do arrihet në fund”, tha Mujota. Ai shton se miratimi, por edhe zbatimi i ligjeve të duhura për decentralizimin, do të jetë i vështirë, meqë rrethanat për procesin e decentralizimit në Kosovë, janë të vështira dhe të veçanta.
XS
SM
MD
LG