Ndërlidhjet

PRISHTINA MIRËPRET NDRYSHIMET NË PAKON E AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Delegacioni i Kosovës për statusin është deklaruar sot, se është plotësisht i përgatitur dhe unik, para takimit të 10 marsit me palën nga Serbia, që do të mbahet në Vjenë, nën ndërmjetësimin e presidentit, Martti Ahtisaari. Ekipi Negociues ka shprehur qëndrime pozitive ndaj dokumentit final të presidentit Ahtisaari, lidhur me statusin e Kosovës. Pas takimit të sotëm të Ekipit Negociues, presidenti Fatmir Sejdiu tha se plotësimet e bëra në tekstin e dokumentit të Ahtisaarit, vetëm sa kanë qartësuar përmbajtjen e tij. Kurse dokumenti në tërësi, sipas Sejdiut, paraqet një bazë të mirë për formimin e shtetit të Kosovës. “Është thënë dhe mund të thuhet edhe tash, se është një bazë e rëndësishme për mëvetësinë e Kosovës. Në brendinë apo në substancën e saj, janë të gjitha elementet e nevojshme dhe të domosdoshme për funksionimin e një shteti normal, pra parashihet kontura apo skeleti i tij. Prandaj, si i tillë është pranuar, duke pasur parasysh shumë qasje afirmative apo kompromise të bëra, për të bërë një akomodim të qytetarëve apo të komuniteteve pakicë në Kosovë”, theksoi Sejdiu. Ai tha se pala kosovare është e bindur, se procesi po përmbyllet me pavarësinë e Kosovës dhe se Ahtisaari menjëherë pas takimit të 10 marsit, pakon e tij do ta adresojë në Këshillin e Sigurimit, duke mos lënë dilema, por duke rekomanduar qartë se pakoja e tij nënkupton pavarësinë si zgjidhje. Ndërkohë, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, tha se është shumë e rëndësishme që Prishtina po shkon me qëndrime unike në Vjenë. “Prishtina ka mirëpritur dhe pranuar pakon e presidentit Ahtisaari. Tash do të jepen dhe sugjerimet e fundit në kuptimin më konstruktiv të mundshëm, në mënyrë që dokumenti të jetë sa më përmbledhës dhe t’i përgjigjet realitetit për Kosovën e ardhshme, shtet të pavarur dhe sovran”, tha Hashim Thaçi. Procesi i negociatave nuk ishte i lehtë dhe se marrëveshja është rezultat i kompromiseve me bashkësinë ndërkombëtare, u shpreh anëtari tjetër i delegacionit, Veton Surroi. Sipas kryetarit të Partisë Reformiste Ora, pakoja e Ahtisaarit nuk është përmbajtje e qëndrimeve vetëm të njërës palë, por është rezultat i kompromiseve. “Është një proces i kompromisit të arritur në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Ky partneritet do të vazhdojë me përmbylljen e pakos. Me rëndësi është që kjo fazë e re e arritjes së pakos në Këshillin e Sigurimit, të na gjejë jo vetëm të bashkuar këtu brenda, por edhe në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, sepse kemi ndërmend që këtë rrugë ta bëjmë të gjithë së bashku”, tha Surroi. Vendimi për statusin e Kosovës nuk arrihet me pakon e Ahtisaarit, por arrihet me vendimin që do ta marrë Kuvendi i Kosovës, pasi që të ketë ardhur momenti i duhur, ka theksuar Veton Surroi. Në pjesën e parë të këtij takimi, ka marrë pjesë edhe shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara, Joachim Ruecker. Ai tha se takimi i 10 marsit, paraqet përmbylljen e procesit intensiv të negociatave, për ta kaluar çështjen e statusit nga Vjena në New York, tek Këshilli i Sigurimit. “Ky është menduar të jetë takimi final i fazës së quajtur periudhë e bisedimeve intensive. Unë pres që, pasi dokumenti të finalizohet nga Ahtisaari, ai më pas ta drejtojë atë për në New York”, tha shefi i UNMIK-ut. Nesër, delegacioni i Kosovës nën drejtimin e presidentit Fatmir Sejdiu, niset për në Vjenë, ku të shtunën, nën ndërmjetësimin e presidentit Ahtisaari, do të marrë pjesë në takimin e fundit në këtë proces negociues me delegacionin nga Serbia. Në këtë takim, pritet që Ahtisaari t’u prezantojë palëve dokumentin e tij final, si dhe t’i dëgjojë vizionet e tyre. Gjithashtu, pritet që Ahtisaari do t’i njoftojë të dyja palët për hapat e mëtejmë deri në dorëzimin e pakos së tij, si propozim final për statusin e Kosovës, tek Këshilli i Sigurimit.

XS
SM
MD
LG