Ndërlidhjet

VJENË


Bisedimet për statusin e Kosovës përfunduan pa rezultate, tha kryenegociatori Marti Ahtisari pas takimit të fundit në Vjenë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Ahtisaari tha se "nuk kishte vullnet" nga palët që të pajtohen për zgjidhjen.
Tashmë janë shterrur mundësitë për negociata dhe "kurrfarë bisedimesh shtesë nuk do ta ndryshonin këtë", tha Ahtisari, i cili propozimin e tij e quajti "kompromis realist".
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se takimi i sotëm ishte rast për të mbyllur bisedimet në Vjenë dhe për caktimin e statusit të Kosovës, pavarësinë.
"Prishtina e përkrah dokumentin e Ahtisarit, megjithë kompromiset e dhimbshme për ta arritur atë. Këto kompromise nuk e lëndojnë pavarësinë e Kosovës, por u kontribuojnë marrëdhënieve të mira me fqinjët dhe stabilitetit në rajon" tha Sejdiu. Sipas tij, Kosova do të garantojë të drejtat dhe perspektivën për të gjithë qytetarët.
Përfaqësuesit e Serbisë thanë se për Serbinë është e papranueshme pavarësia e Kosovës.
Presidenti Boris Tadiq tha se Serbia asnjëherë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës, dhe se autonomia substanciale është zgjidhja e vetme.
Ndërkaq, kryeministri Vojisllav Koshtunica bëri thirrje për vazhdimin e bisedimeve.
Në konferencën për shtyp pas takimit, Ahtisari gjithashtu paralajmëroi se gjatë këtij muaji do të dorëzojë në Këshillin e Sigurimit të KB propozimin final për statusin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG