Ndërlidhjet

DY TË ARRESTUAR NËN DYSHIMIN PËR SPASTRIM PARASH


Albana Isufi

Në mëngjesin e sotëm, policia ka arrestuar Jahja Llukën, anëtar i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe këshilltar i kryeministrit, si dhe Milazim Abazin, drejtor i Kasabankës, ka bërë të ditur zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, Veton Elshani. Ai tha se të arrestuarit, dyshohet se janë të përfshirë në veprën penale - pastrim parash. Arrestimet kanë pasuar me bastisjen e selisë qendore të AAK-së në Prishtinë dhe të zyrave të Kasabankës, po ashtu në kryeqytet. “Janë arrestuar dy persona, nën dyshimin se kanë të bëjnë me veprën penale, pastrim të parave. Mandej, me urdhër të gjykatësit, po ashtu janë bastisur shtëpitë dhe zyrat ku ata kanë punuar. Njëri nga të arrestuarit supozohet se e ka pasur zyrën në AAK dhe është bërë bastisja, me qëllim që të merren dokumentacionet e nevojshme nëse ekzistojnë, nëse janë aty. Personi tjetër, nuk mund të konfirmojmë nëse është ithtar i AAK-së, por është zyrtar i lartë i Kasabankës”, tha Elshani. SHPK-ja po vazhdon edhe më tej aksionin e bastisjes në zyrat e AAK-së, në kryeqendër. Zëdhënësi Elshani thotë se bastisja nuk ka të bëjë asgjë me AAK-në si parti, por me individët e caktuar që aderojnë në këtë parti. “Kjo bastisje nuk ka të bëjë asgjë me AAK-në, por me personat dhe individët e caktuar”, tha Elshani. Ndryshe, ai thekson se hetimet rreth këtij aktiviteti penal, kanë nisur më herët. ”Hetimet kanë nisur kohë më herët dhe sot kanë rezultuar me arrestimin e këtyre dy personave”, pohoi Elshani, duke mos konfirmuar nëse arrestimi i drejtorit të Kasabankës, ndërlidhet me bastisjen që kishte bërë kohë më parë policia në këtë bankë. Atëbotë, drejtori i Kasabankës, Milazim Abazi, pati deklaruar se policia ka ndërmarrë aksionin për të hetuar fondin Haradinaj, dhe jo aksionet e bankës. “Nuk mund ta konfirmoj një gjë të tillë në mënyrë eksplicite, pasi këto hetime janë komplekse dhe mund të involvojnë institucione të ndryshme. Prandaj, nuk mund të them në mënyrë eksplicite, se a ka lidhje me një institucion apo jo”, tha Elshani. Zyrtarë të AAK-së kanë thënë se gjatë ditës, do të dalin me qëndrimin zyrtar të partisë rreth bastisjes në fjalë.

XS
SM
MD
LG