Ndërlidhjet

ANALISTËT MBI HAPAT E ARDHSHËM NË PËRCAKTIMIN E STATUSIT


Zijadin Gashi

Për hir të harmonizimit të qëndrimeve ndërkombëtare për statusin e Kosovës, procesi mund të shtyhet deri në arritjen e pëlqimit të Rusisë për miratimin e rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit, vlerësojnë analistët në Prishtinë. Ilir Dugolli, nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), thotë se insistimi rus, që të ketë një marrëveshje të pranueshme për statusin e Kosovës nga palët në bisedime, tregon se rreziku i zvarritjeve nuk është eliminuar. “Mendoj se për hir të arritjes së konsensusit brenda bashkësisë ndërkombëtare, mund të përfundojmë në atë situatë, ku do të ketë tentime për t’i shtyrë çështjet edhe më, edhe për një kohë, për të gjetur atë farë pajtimi në mesin e forcave kryesore ndërkombëtare”, thotë Dugolli. Në anën tjetër, analisti Shkëlzen Maliqi vlerëson se puna më e madhe në procesin e statusit, ka përfunduar me mbylljen e procesit të negociatave në Vjenë. Kurse hapat e ardhshëm, sipas tij, duhet të sigurojnë nxjerrjen e rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Mirëpo, në rast të pengesave eventuale për shkak të kundërshtimeve apo mospajtimeve të Rusisë, Maliqi parasheh që kriza eventuale do të mund të zgjidhej në takimin e presidentëve, Xhorxh Bush dhe Vladimir Putin. “Skenari më i mundur ose ai që supozohet, është se nëse deri në fund të majit nuk arrihet ndonjë marrëveshje në Këshillin e Sigurimit, atëherë pritet takimi ndërmjet presidentit Bush dhe Putin, në takimin e G8-it në Gjermani. Pritet që atje, ndoshta në pako me çështjet tjera që i shqyrtojnë këta dy kryetarët, eventualisht të gjendet një zgjidhje që edhe Rusia ta përkrahë, sponsorojë rezolutën për Kosovën”, thotë Maliqi. Ai vlerëson se ka pak gjasa që Rusia ta përdorë veton për rezolutën e re për Kosovën, e cila në fakt besohet se do t’i hapë rrugën pavarësisë së Kosovës. Maliqi parasheh si mundësi edhe nxjerrjen e një rezolute që nuk e përmend pavarësinë, çka sipas tij, do të siguronte abstenimin rus në Këshillin e Sigurimit. Maliqi thotë se kompromisi vetëm se është arritur, pasi që në Kosovë do të ketë edhe një mision mbikëqyrës të Bashkimit Evropian, kurse në anën tjetër, Kuvendit të Kosovës do t’i jepet mundësia e shpalljes së pavarësisë. “Mendoj se ndoshta mund të ishte një kompromis, që të aprovohet një rezolutë pak më e butë dhe të lejohet që në Kosovë të kemi një mision mbikëqyrës evropian, por edhe të nënkuptohet në njëfarë dore se u lejohet shteteve që individualisht ta njohin pavarësinë e Kosovës, ngase atëherë nuk do të kishte instancë që do ta pengonte shpalljen e pavarësisë nga ana e Kuvendit të Kosovës”, thekson Maliqi. Në anën tjetër, Ilir Dugolli thotë se faktori kosovar nuk do të dalë nga skenari i bashkësisë ndërkombëtare, dhe do të presë që të shterren të gjitha mundësitë e arritjes së pëlqimit në Këshillin e Sigurimit për rezolutën e re, para se të mund të shkohet në veprime unilaterale të shpalljes së pavarësisë. Dugolli vlerëson po ashtu, se as bashkësia ndërkombëtare nuk ka treguar shenja se ka një plan tjetër, nëse në Këshillin e Sigurimit nuk arrihet marrëveshja për rezolutën e re. “Skenari kryesor është shterrja e të gjitha mundësive për të siguruar rezolutën e re, që do të kalojë nëpër Këshillin e Sigurimit. Kështu që, nuk është menduar fare se cila do të jetë alternativa e saj nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, ndonëse është përfolur aty-këtu për mundësinë e shpalljes së drejtëpërdrejtë, si dhe njohjes së drejtëpërdrejtë të pavarësisë nga ana e shteteve të tjera edhe pa rezolutën e Këshillit të Sigurimit. Mirëpo, kjo nuk ka fort gjasa që të ndodhë dhe bashkësia ndërkombëtare parapëlqen, që rezoluta e re të kalojë në Këshillin e Sigurimit”, vlerëson Dugolli. Pas procesit të negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të zhvilluara në Vjenë, dhe nën ndërmjetësimin e emisarit të Kombeve të Bashkuara, që zgjati më shumë se një vit, presidenti Martti Ahtisaari pritet t’ia dorëzojë pakon e tij si propozim për zgjidhjen e statusit të Kosovës, Këshillit të Sigurimit. Ndërkaq, Këshilli i Sigurimit pritet të nxjerrë rezolutën e re për Kosovën, për të cilën analistët në Prishtinë, si pengesë kryesore e shohin qëndrimin aktual të Rusisë.
XS
SM
MD
LG