Ndërlidhjet

HAZIRI: FORMULA QEVERISËSE LDK-AAK ËSHTË E QËNDRUESHME


Lutfi HAZIRI, zëvendëskryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, pas procesit negociues të Vjenës, tani priten hapat e ardhshëm deri në rezolutën e re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Cilat konsideroni se do të jenë sfidat kryesore për nxjerrjen e kësaj rezolute, e cila në fakt do t’i paraprijë vetë definimit të statusit të Kosovës?

LUTFI HAZIRI
Për ne është e rëndësishme që sot zoti Rohan, zëvendësi i përfaqësuesit të veçantë për Kosovën, do t’ia dorëzojë zyrtarisht sekretarit gjeneral dokumentin. Ne presim që kah fundi i këtij muaji apo fillimi i prillit, zoti Ahtisaari ta japë rekomandimin e tij për të ardhmen e Kosovës, që padyshim presim të jetë për shtet të pavarur dhe që një prezencë ndërkombëtare do ta mbikëqyrë dhe monitorojë implementimin e marrëveshjes për status edhe obligimet ndërkombëtare që merr Kosova në këtë fazë, që sigurisht është e mirëseardhur. Sfida kryesore e miratimit apo sfida kryesore proceduriale e miratimit të një rezolute të re, ka të bëjë me të drejtën e shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, që janë edhe pjesë e Grupit të Kontaktit. Lidhshmëria e tyre me BE-në, si mekanizëm dhe si familje evropiane tashmë përmes Gjermanisë, e cila nuk është anëtare e Këshillit të Sigurimit, dhe anëtarë të tjerë të botës së re që përfaqësojnë interesa të ndryshme dhe, për dallim nga anëtarët e Grupit të Kontaktit dhe të BE-së, ato janë më pak të njoftuara, janë më pak të familjarizuara me problemin si rast unik dhe me kërkesën e popullit tonë, me të cilat shtete ne po punojmë në mënyrë aktive për të sqaruar pozitën tonë. Mbi të gjitha, sfidë kryesore dhe e përballueshme do të mbetet Rusia, e cila deri në momentet e fundit nuk po qartësohet rreth mbështetjes së një rezolute të re, apo mbështetjes të së ardhmes së Kosovës, si formë e përbashkët e rekapitulimit të këtij procesi tashmë 17 vjeçar, që po ec Kosova.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë procesit negociues keni qenë njeriu kryesor për palën kosovare lidhur me decentralizimin. Kur konsideroni se ky proces do të mund të fillojë të zbatohet në Kosovë, pas qershorit kur edhe pala kosovare pret që të dihet se çfarë do të jetë statusi i Kosovës?

LUTFI HAZIRI
Po, keni të drejtë. Decentralizimi apo aneksi tre i dokumentit ka qenë procesi më i mundimshëm, më i rëndësishëm. Ka qenë proces i cili në zgjidhjen e tij, në propozimin e tij final, ka eliminuar dyshimet e ndarjes së brendshme të Kosovës, dyshimet për mundësinë e ndarjes territoriale të Kosovës mbi parimet që Beogradi e ka shtyrë si pjesë të starategjisë së tyre, që është parimi i ndarjes së dy etnive, parimi i vendosjes së nivelit të tretë të pushtetit dhe themelimit të mekanizmave bllokues ndaras. E që padyshim kishin çuar në konflikt në mes të etnive dhe kishin çuar në ndarje territoriale të Kosovës, kurdo që kishte ndodhur ajo si pjesë e këtij presioni. Është rasti i dytë në regjion dhe në këtë pjesë të botës në Evropë, kur parimi etnik forcohet në procesin e decentralizimit. Kjo ka të bëjë me Marrëveshjen e Ohrit, e cila ka adresuar kërkesat e shqipatrëve etnikë në ish-republikën jugosllave të Maqedonisë, që ka ardhur pas konflikitit të armatosur. Ndërsa, në Kosovë mirren këto kërkesa pas ngjarjeve të 17 marsit 2004, dhe vendosen si pjesë e parimit, e cila është shqyrtuar dhe është mbështetur nga ne. Ne mendojmë që, çdo rrezik që e ka kërcënuar këtë proces është eliminuar dhe tash vështirësitë në implementim do të ndodhin në një Kosovë të pavarur, të pranuar ndërkombëtarisht dhe të garantuar që sovran në këtë shtet është populli i Kosovës. Edhe pse do të ketë shumë vështirësi, do të ketë një mirëkuptim edhe nga shumica edhe nga pakica në implementim.

RADIO EVROPA E LIRË
Dje në një debat në Kuvendin e Kosovës u tha se periudha e ardhshme nuk do të jetë e lehtë për Kosovën. Andaj, sa kanë institucionet e Kosovës kapacitete të mjaftueshme që të zbatojnë marrëveshjen për statusin, apo pakon e Ahtisaarit, si quhet në opinion?

LUTFI HAZIRI
Po në radhë të parë vështirësitë që janë paraparë në implementimin, sepse marrëveshja për statusin e Kosovës, apo për ne marrëveshja për shtetin e Kosovës, e cila në vete ka Kushtetutën si pjesë të procesit, ka ruajtjen e kufijve, integritetin territorial, miratimin e simboleve të shtetit dhe garantimin e të drejtave të grupeve etnike, janë pjesë e angazhimeve tona serioze, jo vetëm nga rrafshi që dikush mendon. Ekziston një mosbesim ndaj kapaciteteve njerëzore dhe të institucioneve të Kosovës në zbatimin e kësaj marrëveshjeje, por ekziston edhe një mungesë kapacitetesh, sepse mbajtja e shtetit kërkon përveç kapaciteteve njerëzore-humane, kërkon edhe mbështetje të madhe financiare. Dhe, kjo duhet të kombinohet në fazën e pas statusit. Prezenca ndërkombëtare në formën e monitoruesit, çfarë është dhe të korrektuesit në disa raste, do të përfundojë. Këtu është interesi ynë që gjendjen e pas statusit, ashtu siç do ta marrë për të udhëhequr sovranitetin e vet, ashtu edhe të ecë në rrugëtimin e saj për shtetësi dhe për integrime evropiane në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri, ditëve të fundit mediat kosovare shkruajnë në vazhdimësi për mundësinë e krijimit të një koalicioni të ri qeverisës në Kosovë. Andaj, sa janë reale pritjet për një koalicion të ri para zgjedhjeve të ardhshme?

LUTFI HAZIRI
Një përafrim, apo një formë e bashkëpunimit që ka ndodhur muajve të fundit në mes të LDK-së dhe PDK-së, për interesat e përbashkëta të vendit, ka shkaktuar një lloj debati të brendshëm, e ka mundur të shkaktojë edhe një lloj xhelozie në funksionimin e jetës sonë në përgjithësi. Kjo nuk ka të bëjë me automatizëm mundësinë e rishikimit apo mundësinë e ndërtimit të koalicioneve të mëdha. Ajo që është interes i yni i përbashkët në këtë fazë, është që përveç bashkëpunimit institucional që ne e kemi në kuadër të delegacionit të unitetit dhe në kuadër të jetës politike në Kosovë, LDK-ja e sheh PDK-në, si njëra prej partive më të mëdha opozitare, partner në angazhimin dhe ndërtimin e shtetit çfarë është duke ndodhur tash. Është e nevojshme që në këtë fazë të bashkëpunohet ngusht edhe në kuptimin partiak edhe në eliminimin e dallimeve dhe të gjithë asaj, që ne e shohim si problem në funksionimin tonë në të ardhmen. Për ne në këtë fazë, është në interes përmbyllja e statusit final dhe moslejimi apo moskrijimi i anjë mundësie, që bashkësia ndërkombëtare apo dikush ta shohë si derë për shtyrjen e statusit. Ju e dini se Serbia nuk ka qeveri, e ka qeverinë në dorëheqje, nuk po ka mundësi të nërtojë institucione kredibile, që prodhojnë stabilitet pas zgjedhjeve atje. Kjo nuk do të ishte mirë që të ndodhë edhe te ne në Kosovë.

RADI EVROPA E LIRË
Dhe shkurt, do të thotë, koalicioni LDK- AAK, mbetet i qëndrueshëm deri në zgjedhjet e ardhshme?

LUTFI HAZIRI
Absolutisht, kjo formulë qeverisëse është në jetën e Kosovës dhe si e tillë po funksionon. Por, garantuese e krejt këtij procesi do të jetë sigurisht edhe forma e bashkëpunimit me partitë e opozitës, sot me partnerët e mëdhenj në opozitë dhe me hulumtimin e rrugëve që ndërtojnë një stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë.

INTERVISTOI: ZIJADIN GASHI

XS
SM
MD
LG