Ndërlidhjet

STATUSI PËRCAKTON KUSHTE TË REJA PËR ZGJEDHJET NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi

Gjithçka lidhur me zgjedhjet e reja në Kosovë, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qendror, varet nga përcaktimi i statusit të Kosovës dhe nga provizionet e atij statusi, thonë zyrtarë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkimin Evropian në Kosovë. Zëdhënësi i këtij misioni, Sven Lindholm, tha për radion Evropa e Lirë, se OSBE-ja po bashkëpunon ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të përgatitur zgjedhjet, por ende nuk ka dhe nuk mund të ketë një datë për këtë. “Natyrisht se nuk mund ta caktojmë një datë, përderisa nuk ka një zgjidhje për statusin, pasi siç mund të shohim në pakon e Ahtisaarit, zgjedhjet duhet të mbahen jo më herët se nëntë muaj pas zgjidhjes”, tha zëdhënësi i OSBE-së, Sven Lindholm, sipas të cilit shumëçka rreth zgjedhjeve do të varet nga koha, se kur do të ketë një rezolutë të re. Shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt, pati deklaruar rreth një muaj më parë, se zgjedhjet në Kosovë do të duheshin mbajtur jo më larg se në nëntor të këtij viti, por përmbyllja e propozimit të Ahtisaarit ka përcaktuar tashmë kushte të reja për këtë proces, edhe pse deri atëherë skadojnë mandatet si të këshilltarëve komunalë, ashtu edhe të deputetëve kosovarë. Lindholm, megjithatë tha se nuk do t’i cilësonte zgjedhjet peng të statusit, pasi sipas tij, ka shumë çështje të tjera të rëndësishme që po zgjidhen në nivele më të larta, ndërsa zgjedhjet vijnë pas tyre. Me këtë rast, ai ka përmendur posaçërisht decentralizimin dhe mundësinë e formimit të komunave të reja. “Pse të ketë zgjedhje komunale, nëse do të kemi kufij të rinj komunalë herët a vonë”, tha zoti Lindholm, duke mos pasur një përgjigje të saktë, se cilat zgjedhje duhet të mbahen së pari. “Ende mbetet për t’u përcaktuar, nëse zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme do të mbahen të njëjtën ditë apo në kohë të ndryshme”, theksoi zëdhënësi Lindholm. Ndërkohë, nuk është zgjidhur as çështja e sistemit zgjedhor, nëse ai do të jetë mazhoritar, proporcional apo i kombinuar. Po ashtu, nuk është zgjidhur as çështja shumë e diskutuar e listave zgjedhore, nëse ato do të jenë të hapura apo të mbyllura, pra nëse do të votohet për kandidatët apo për partitë si deri më tash. Kjo çështje, sipas zotit Lindholm, do të përcaktohet nga ligji për zgjedhjet. “Ligji për zgjedhjet do të jetë një nga ligjet e para, që do të miratohen pas statusit dhe Kushtetutës”, pohoi Lindholm, sipas të cilit, kjo mbetet një çështje që do të përcaktohet nga propozimi për statusin. Megjithatë, tha zoti Lindholm, vetë ligji do të jetë çështje e pajtueshmërisë ndërmjet subjekteve politike, mirëpo ka disa hapa të veçantë të cilët duhen bërë paraprakisht, siç është mbështetja në rezolutën e re për Kosovën, që pritet të miratohet në Këshillin e Sigurimit.

XS
SM
MD
LG