Ndërlidhjet

SFIDAT PËRBALLË ARSIMIT TË LARTË NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Procesi i Bolonjës është duke u zbatuar në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, ndërkaq bashkëpunimi akademik ndërkombëtar është kryesisht i orientuar në përmbushjen e standardeve, që i ka përcaktuar ky proces. Kështu ka thënë Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Agim Veliu, në një konferencë ndërkombëtare për arsimin e lartë, të mbajtur në Prishtinë. Kjo ministri është aktualisht duke hartuar planin për zhvillimin e politikave integruese të Kosovës në Zonën Evropiane të Arsimit të Lartë, por kusht për integrim në këtë zonë, është që Kosova të jetë anëtare me të drejta të barabarta në Procesin e Bolonjës. Ministri Veliu shpreson se Kosova do të përfshihet edhe zyrtarisht në këtë proces në muajin maj, në konferencën që do të mbahet në Londër. “Një hap i tillë, përveç që do të kompletonte hartën e vendeve evropiane, anëtare të këtij procesi, do t’i jepte edhe një shtytje të fuqishme pjesëmarrjes së institucioneve tona të arsimit të lartë në procesin integrues, dhe do të rezultonte me një shkallë më të lartë të bashkëpunimit akademik evropian“, tha ministri Veliu. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, ndërkaq thotë se në këtë drejtim Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm, por sipas tij, mbetet edhe shumë për të bërë, që të diplomuarit kosovarë të jenë konkurrentë me të diplomuarit në universitetet evropiane. “Shpreh besimin e thellë, se ky sistem me një angazhim më të madh dhe me një sigurim më të madh të cilësisë, do t’i bëjë diplomat tona të lexueshme, të pranueshme dhe të çmuara në Kosovë, e në veçanti në Evropë e më gjerë”, theksoi zëvendëskryeministri Haziri. Patricia Waring, e cila ka folur në emër të kryeadministratorit të Kosovës, Joachim Ruecker, ka paralajmëruar diskutim serioz mbi ndikimin dhe zbatimin e plotë të reformave sipas Procesit të Bolonjës. ”Universiteti i dytë publik në Kosovë, Universiteti i Mitrovicës është riakredituar. Por, që të jemi realë, nuk janë zgjidhur të gjitha problemet dhe së bashku duhet të ecim përpara, që të merremi me to një nga një. Sistemi është në drejtim të punës, është arritur shumë në tërë Kosovën, por duhet bërë më shumë për fuqizimin dhe për modernizimin e sistemit të arsimit”, tha zonja Waring. Enver Hasani, rektor i Universitetit të Prishtinës, mosanëtarësimin e Universitetit të Prishtinës në Procesin e Bolonjës dhe atë të Lisbonës, e lidh me kohën e vështirë në të cilën ka kaluar sistemi i arsimit në vitet e 90-ta. Ai tha se në vitin 1999, kur vendet tjera evropiane nënshkruanin Procesin e Bolonjës, në atë kohë Kosova bënte përpjekje që ta kthejë normalitetin në sistemin e arsimit. Ndërkaq në vitin 2002, tha rektori Hasani, sistemi i arsimit të lartë në Kosovë filloi t’i zbatojë reformat e Bolonjës, pa pasur një përgatitje paraprake. “Në kohën e fillimit të reformave sipas sistemit të Bolonjës, kemi hyrë në një proces pa një përgatitje paraprake, duke marrë për bazë këtu edhe njohjen e paktë të mënyrave të zbatimit të reformave nëpër universitetet evropiane, me një informim të mangët”, u shpreh rektori Hasani. Me gjithë faktin se në të gjitha institucionet e larta të arsimit të Kosovës, zbatohet sistemi i Bolonjës, ekspertë të kësaj fushe kanë deklaruar se institucionet përkatëse nuk kanë qenë të përgatitura për këtë proces dhe kjo, sipas tyre, ka bërë që edhe cilësia e arsimit të mos jetë në nivelin e duhur.
XS
SM
MD
LG