Ndërlidhjet

ME GJITHË DËSHIRËN PËR PAVARËSI TË PLOTË, QYTETARËT MBËSHTESIN EDHE ATË TË KUSHTËZUAR


Bekim Bislimi

Propozimi i presidentit Ahtisaari për pavarësinë e mbikëqyrur për Kosovën është një propozim i cili ka qenë i pritur, por edhe një shpërblim për konstruktivitetin e kosovarëve. Kështu thonë disa qytetarë të Prishtinës, lidhur me propozimin e zotit Ahtisaari për Kosovën. Besim Kokollari thotë se aspiratë e shqiptarëve të Kosovës ka qenë dhe mbetet një Kosovë e pavarur dhe sovrane, por për momentin propozimi i Ahtisaarit mund të shikohet si propozim real. “Ky propozim, në qoftë se kalohet në Këshillin e Sigurimit dhe miratohet një rezolutë e re për Kosovën, për një pavarësi të mbikëqyrur, e then atë akullin, e then atë monotoninë që ka mbijetuar që disa vite në Kosovë, që nga instalimi i OKB-së, UNMIK-ut në Kosovë, që e ka mbajtur një lloj niveli të njëjtë të gjendjes në Kosovë, pa pasur ndonjë ndryshim të madh”, u shpreh Besim Kokollari. Riza Brada po ashtu, thotë se propozimi i zotit Ahtisaari për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, është real dhe si i tillë ka qenë i pritur. “Konsideroj që është shpërblim për popullin, shqiptarët e Kosovës, nga një njeri i ndershëm siç është presidenti Ahtisaari. Për momentin, madje edhe për një kohë të gjatë, një pavarësi e mbikëqyrur na duhet. Dihet çfarë armiku kemi. Aty është realizuar rruga për shtetin e pavarur të Kosovës, aty është sovraniteti. Unë konsideroj se është sovranitet i mbrojtur e jo sovranitet i kontrolluar”, tha zoti Brada. Ndryshe, Luan Jahja shpreh mendimin se propozimi i Ahtisaarit nuk është real dhe se kosovarët kanë merituar pavarësi të plotë. “Për mendimin tim, nuk është reale pavarësia e mbikëqyrur, sepse dëshira jonë meritore dhe shekullore është pavarësia e pakushtëzuar dhe pavarësia e plotë. Por s’e di, sa ka pasur ndikim politika jonë e mirëfilltë deri më tash. Ishte dashur të jetë pavarësi e plotë”, theksoi zoti Jahja. Ndërkaq Shkumbin Munishi, thotë se propozimi i Ahtisaarit për pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën, është konform situatës aktuale. “Fakti se kjo do të jetë pavarësi e mbikëqyrur, është rezultat i të gjitha atyre problemeve, të cilat institucionet tona i kanë treguar, i kanë shfaqur gjatë këtyre viteve, për aq kohë sa kanë pasur përgjegjësi. Mendoj që për momentin është propozim real, dhe për t’u konsoliduar ne si shtet, si dhe për t’i konsoliduar institucionet, edhe për një kohë do të kemi nevojë për mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Shkumbin Munishi. Të njëjtit qytetarë, mbështetjen e shefit të OKB-së, Ban Ki-moon, si dhe të disa vendeve për planin e Ahtisaarit, e shohin si rezultat të natyrshëm. Besim Kokollari thotë: “Ky propozim, që besoj se është mbështetur shumë nga Shtetet e Bashkuara dhe është mbështetur nga vendet e Bashkimit Evropian, është një shpërthim i mirë për popullin e Kosovës, dhe besoj që do të kemi një të ardhme shumë të sigurt”. Ndërkaq, Riza Brada shprehet: “Shumica do të na mbështesin. E dimë. Të gjithë e dinë situatën tonë, në saje të disciplinës së popullit tonë. Është mirë që të jemi akoma më shumë të disciplinuar”. Në anën tjetër, Luan Jahja thekson: “A e meritojmë më shumë apo jo, sipas të gjitha gjasave, ma merr mendja, se shumica janë edhe për pavarësi të plotë dhe të pastër”. Kurse, Shkumbin Munishi thotë: “Mbështetja që vjen nga Ban Ki-moon është mbështetje natyrore, për arsye se Ahtisaari është i dërguari i tij. Gjithashtu mbështetja që vjen prej SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe është rezultat i procesit të diskutimeve, që kanë ndodhur në Grupin e Kontaktit. Mendoj që në këtë kuptim as Rusia, në momentet vendimtare, nuk do të bëjë ndonjë problem të madh”.
XS
SM
MD
LG