Ndërlidhjet

FILLON KONTROLLIMI I SHPENZIMEVE PËR SKEMËN SOCIALE


Nadie Ahmeti

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka filluar kontrollimin e listave të përfituesve të mundshëm të asistencës sociale dhe ka sforcuar kriteret, që mundësojnë kategorizimin e tyre, ka thënë ministri Ibrahim Selmanaj, duke shtuar se kjo nismë e re ka bërë që një numër i madh i përfituesve, që kanë gëzuar nga dy skema sociale paralelisht, të largohen nga lista. Kontrollimi i këtyre listave ka pasuar rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas të cilit Qeveria e Kosovës nuk është treguar e përmbajtur në shpenzimet sociale. Ndryshe, 127 milionë euro është buxheti i kësaj ministrie për vitin 2007, ndërkaq 90 përqind prej tyre shpenzohen për raste sociale. Ministri Selmanaj megjithatë thotë, se me gjithë angazhimet e deritashme që janë bërë për kursim të buxhetit, është vështirë të ketë shkurtim të skemës sociale, për shkak të nivelit të lartë të varfërisë dhe papunësisë në Kosovë. “Në punët dhe veprimet që janë kryer nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në të gjitha nivelet, pra forcimi i komisioneve që bëjnë kualifikimin e të përzgjedhurve dhe familjeve, të cilat kanë aplikuar, kemi arritur që në vitin 2006 të kemi 3 milionë euro kursime”, pohon ministri Selmanaj. Ai thotë, se skema sociale kategorizohet me skema të ndryshme dhe mundësitë për të vepruar në këtë drejtim janë të vogla, meqë, siç thotë ai, numri i atyre që varen vetëm nga ndihma sociale, është shumë i madh. “Familje në asistencë sociale janë afër 40 mijë, pensionet me aftësi të kufizuara janë 20 mijë, pensionet e pleqërisë ose pensionet bazë, sillen rreth 130 mijë. Në këtë radhë janë familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës, me këtë ligjin e ri, i cili ka filluar së zbatuari prej janarit të vitit 2007. Realisht, që ligji të zbatohet në tërësi, nevojiten 22 milionë euro. Për vitin 2007, ne kemi para vetës 8 milionë euro”, thekson zoti Selmanaj. Megjithatë, për të eliminuar parregullsitë, të cilat më së shumti janë vërejtur tek skemat sociale dhe ato pensionale, Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale me anë të një vendimi ka detyruar pensionistët që të lajmërohen dy herë në vit, për të vërtetuar nëse janë ende gjallë. Deri më tash, ministria është përballur me dhënien e pensioneve invalidore edhe personave të vdekur, familjarët e të cilëve nuk e kanë paraqitur vdekjen e përfituesit pensional. Në të gjitha llojet e skemave janë forcuar kriteret. “Te pensionet invalidore, komisionet kanë qenë shumë rigoroze. Edhe te kategoria e asistencës sociale, me një bashkëpunim të ngushtë me komunat, me zyrat e regjistrimit civil dhe me zyrat për gjeodezi dhe kataster, në mënyrë që dokumentacioni të jetë i kompletuar dhe i verifikuar, kemi arritur të kemi një kursim”, u shpreh zoti Ibrahim Selmanaj. Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale ndan nga 40 euro në muaj për pensionistët, 35 deri 75 euro për familjet me gjendje të rëndë sociale dhe deri mbi 100 euro për invalidët e luftës, varësisht nga shkalla e invaliditetit. Ministri Selmanaj, ndërkaq shpreson se pas zgjidhjes së statusit, do të zhvillohet gjendja e përgjithshme ekonomike dhe në këtë mënyrë, do të zbutet edhe gjendja e rëndë sociale.
XS
SM
MD
LG