Ndërlidhjet

NDIKIMI I STATUSIT NË TËRHEQJEN E INVESTIMEVE TË HUAJA


Nadie Ahmeti

Zgjidhja e statusit përfundimtar pritet t’i hapë dyert për investitorët e jashtëm, kapitali i të cilëve, për shumë ekspertë të çështjeve ekonomike, është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik. Skënder Berisha, profesor i Ekonomisë Ndërkombëtare në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, megjithatë thotë se pavarësia jo e plotë për të cilën po flitet, do të mund të ndikojë negativisht tek investitorët. “Besoj se kjo fjalë e kushtëzuar e zgjidhjes së statusit politik të Kosovës, do të ndikojë negativisht në motivin e investitorëve të jashtëm, që të vendosin që kapitalin e vet ta angazhojnë në ekonominë e Kosovës”, thotë zoti Berisha. Por, gjithsesi pas zgjidhjes së statusit, një angazhim i investimeve private të huaja do të jetë më i madh se deri më tash, vlerëson profesori Berisha. Sipas tij, Kosova është vend atraktiv për investitorët e huaj, si në aspektin e resurseve natyrore, ashtu edhe në atë human. “Fuqia punëtore është prezente këtu, ka mjaft punëtorë të lirë, madje edhe me paga relativisht të ulëta. Edhe pasuritë minerale dhe jominerale ekzistojnë këtu në Kosovë; aty-këtu ndonjë projekt i bujqësisë. Kështu që shpresojmë, se investimet e jashtme direkte do të rriten në Kosovë pas zgjidhjes së statusit politik”, thekson zoti Berisha. Për të arritur tek investimet e jashtme, institucionet vendore pas zgjidhjes së statusit, sipas zotit Berisha, duhet patjetër të përshtasin legjislacionin dhe rregullativat, në atë mënyrë që të rrisin interesimin e investitorëve të huaj për Kosovën. “Politika fiskale (me politikë fiskale përfshihen doganat, akcizat, TVSH-ja etj) të ndryshohet, të modifikohet, ashtu që t’u jepen disa lehtësira investitorëve të jashtëm, që ta zgjojnë motivimin në ta për angazhimin e kapitalit të vet në ekonominë e Kosovës”, thotë zoti Berisha. Sipas tij, investuesit e mundshëm nuk mund të investojnë në Kosovë pa projekte konkrete, duke shtuar se deri më tash, këto projekte ende mungojnë. “Institucionet kosovare edhe më herët është dashur të kenë projekte të gatshme, por edhe tash nuk është vonë që institucionet qeveritare dhe joqeveritare të jenë të përgatitura, që të dalin me projekte konkrete. Por, ekziston neglizhenca dhe duhet ta pranojmë se na mungon përvoja dhe dija”, shprehet Skënder Berisha. Sidoqoftë, ai thotë se në këtë periudhë, institucionet kosovare duhet të interesohen më shumë, që në vende të ndryshme evropiane dhe botërore të hapen zyra për promovimin e investimeve kosovare. Ndryshe, një hap i tillë tashmë është ndërmarrë me hapjen e zyrës në Vjenë, që për synim ka promovimin dhe tërheqjen e investimeve.

XS
SM
MD
LG