Ndërlidhjet

REAGIMET MBI MBLEDHJEN E KS-SË


Albana Isufi

Përfaqësuesit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë
kanë shprehur pakënaqësi, që në seancën e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit nuk i është dhënë mundësia presidentit Sejdiu, që të paraqesë argumentet për statusin e Kosovës. Ndërkaq, vetë seanca, në të cilën u prezantua në mënyrë gojore nga Ahtisaari pakoja e tij për statusin, vlerësohet të jetë fillimi i fundit të procesit të statusit. Kryeministri Agim Çeku tha se moslejimi i presidentit Sejdiu, që të argumentojë qëndrimin e Kosovës për statusin, tregon çmimin që po e paguan Kosova për shkak të mungesës së statusit final. "Jemi shumë të pakënaqur, që nuk i është dhënë vetë mundësia zotit Sejdiu, që të paraqesë argumentet e tij për Kosovën, sepse do të ishte shumë më e fuqishme", tha zoti Çeku. Njëri nga anëtarët e Ekipit Negociator, Veton Surroi, thotë se megjithatë, është e rëndësishme që mesazhi i presidentit Sejdiu është dëgjuar. "Me rëndësi është që ka mbërritur mesazhi i Kosovës. Natyrisht, se do të ishte më mirë që të ishte presidenti Sejdiu, por ne e dimë që Rezoluta 1244 e pengon këtë”, tha lideri i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi. Edhe Partia Demokratike e Kosovës, partia më e madhe opozitare, përmes zëdhënëses së saj, Vlora Çitakut, ka shprehur pakënaqësinë për moslejimin e fjalimit të presidentit. "Shpresojmë që kjo të jetë ndërhyrja e fundit, që Serbia bën mbi Kosovën në rrafshin ndërkombëtar. Presim që në të ardhmen, anëtarët e Këshillit të Sigurimit t'i japin përgjigjen e merituar akteve të tilla", tha Çitaku. Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka përshëndetur qëndrimin e shumicës së vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, që sipas tij, i kanë dhënë mbështetje planit të Ahtisaarit, i cili ofron pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën. "Është për t'u përshëndetur qëndrimi i BE-së, i të gjitha vendeve, përfshirë edhe Sllovakinë, sepse kanë pasur një qëndrim shumë konstruktiv. Është për t'u përshëndetur qëndrimi i Kinës, që ka qenë i padefinuar dhe kryesisht e ka parë këtë si çështje evropiane dhe do ta mbështesë qëndrimin e BE-së, lidhur me Kosovën. Disa vende të tjera, si Indonezia e Katari, kanë treguar një mirëkuptim më të madh për çështjen e Kosovës", u shpreh Çeku. Lideri i ORA-s, Veton Surroi, ndërkaq shpreson se takimi i mbrëmshëm në Këshillin e Sigurimit, është fillimi i një procesi që nuk do të zgjasë shumë. "Besoj që ka një jetë natyrale prej një muaj e gjysmë apo dy. Dhe, në këtë proces duhet të sqarohen pozicionet e të gjitha vendeve. Mendoj se është hap i mirë i zotit Ahtisaari, paralajmërimi se ai do të kalojë për të jetuar disa javë në New York, për të hapur një zyrë, me qëllim që të marrë pyetjet dhe sqarimet, që kanë nevojë t'i marrin vendet e tjera", tha Surroi. Zëdhënësja e PDK-së, Vlora Çitaku, thotë se presin që pas takimit të djeshëm, të ketë një dinamikë më të madhe, që do të çonte në miratimin e rezolutës së re për Kosovën. "Jemi të vetëdijshëm, se jo të gjithë janë partnerë tanë në këtë proces. Në këtë kontekst, jo të gjithë e përkrahin dokumentin e Ahtisaarit, por ne presim që brenda një afati të shpejtë kohor, të arrihet dhe të mbahet konsensusi në kuadër të Grupit të Kontaktit dhe të anëtarëve të tjerë të Këshillit të Sigurimit, në mënyrë që të kemi miratim të rezolutës", theksoi Çitaku. Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës besojnë se zgjidhja e çështjes së Kosovës, do të varet shumë nga pozicioni i vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. "Konsideroj se zgjidhja për Kosovën mund te shihet pas vendimit, që do ta marrë Këshilli i Sigurimit. Dhe, pasi që të dëgjohen aktorët kryesorë në këtë këshill, gjegjësisht anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, në rend të parë Rusia dhe Kina, dhe mënyra se si ato do të përcaktohen lidhur me këtë çështje", tha përfaqësuesi i Listës Serbe për Kosovën, Rangjel Nojkiq. Ndërkaq, Rada Trajkoviq nga Këshilli Nacional Serb, vlerëson se para se të mbahej takimi i Këshillit të Sigurimit, dihej se nuk do të arrihej diçka konkrete për zgjidhjen e statusit. "Ajo për çka është folur në Këshillin e Sigurimit, gjithsesi është kornizë e asaj, që në rend të parë ka të bëjë me parimet bazë të Këshillit të Sigurimit. Pra, fjala është për respektimin e integritetit territorial të vendeve anëtare dhe gjithsesi respektimin e të drejtave të njeriut, si diçka që është me interes global. Më duhet të them, se në këtë kontekst, rrëfimet për njerëzit, qofshin ata shqiptarë apo serbë, janë më pak të rëndësishme, pasi që bëhet fjalë për territor dhe mu për këtë, bisedohet për parimet e ruajtjes së territorit", tha Trajkoviq. Përfaqësuesit shqiptarë kanë thënë se qëndrimi i Rusisë ndaj pakos së Ahtisaarit më shumë ka të bëjë me blerjen e kohës, sesa që ka refuzime ndaj substancës së planit. Kryeministri Çeku ka thënë se pas seancës së mbrëmshme, është e qartë se zgjidhja e vetme për Kosovën është pavarësia, edhe pse sipas tij, do te ketë përpjekje të vazhdueshme për ta penguar, zvarritur dhe komplikuar këtë proces.
XS
SM
MD
LG