Ndërlidhjet

KUÇI:"ÇDO SHTYRJE E STATUSIT ËSHTË SFIDË PËR SIGURINË NË KOSOVË"


Blerim KUÇI, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, ekspertë të sigurisë kanë paralajmëruar se në rast të shtyrjes eventuale të zgjidhjes së statusit përfundimtar, në Kosovë mund të ketë përshkallëzim të situatës së sigurisë. Si e vlerëson Ministria e Punëve të Brendshme këtë çështje por edhe situatën e tërësishme të sigurisë?

BLERIM KUÇI
Ashtu është. Në përgjithësi, ne edhe përmes raporteve tona kemi tërhequr vëmendjen se një sfidë do të jetë procesi i definimit të statusit. Pra, faza prej tash e deri në definimin e statusit. Çdo shtyrje është një sfidë për ne, për t’u ballafaquar me sigurinë e përgjithshme edhe me pakënaqësitë që mund të ketë. Ne, përmes institucioneve tona, e kemi bartur këtë shqetësim edhe te faktori ndërkombëtar relevant.

RADIO EVROPA E LIRË
Në përgjithësi, cilat janë kërcënimet kryesore të sigurisë në Kosovë?

BLERIM KUÇI
Kërcënimet kryesore mund të vijnë nga pakënaqësitë, për shkak të definimit të statusit, për shkak të një rezolute të mundshme, që pritet të vijë. Ato në fakt vijnë nga taborri i Serbisë, sepse ajo haptas edhe përmes institucioneve ndërkombëtare, ka shprehur pakënaqësitë dhe shqetësimet e veta në lidhje me definimin e statusit të Kosovës. Në radhë të parë vijnë prej Serbisë. Po ashtu, edhe grupe të ndryshme brenda faktorit shqiptar kanë shprehur pakënaqësitë e veta, si “Vetëvendosja”. Edhe kjo do të jetë një sfidë. Këto janë probleme, që nëse do të kemi një prolongim të statusit, atëherë menaxhimi me situatën e përgjithshme të sigurisë do të jetë një problem mjaft i madh.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do të jenë sfidat e Ministrisë së Brendshme në Kosovën e pas statusit, kur dihet se Misioni i Bashkimit Evropian do të ketë përgjegjësi në sundimin e ligjit?

BLERIM KUÇI
Ne jemi në fazën e transferit të kompetencave. Një transfer i kompetencave pritet pas definimit të statusit, do të thotë pas rezolutës. Ky transfer do të bëhet prej organeve të UNMIK-ut në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Pastaj, një pjesë e tyre në disa sektorë të ngushtë, do të barten te misioni i ardhshëm i BE-së. Ne kemi një bashkëpunim të mirë me Grupin Planifikues të BE-së dhe mendoj se, shumë çështje veç janë definuar dhe ato janë të parapara me pakon e Ahtisaarit. Misioni i ardhshëm i BE-së ndaj policisë do të ketë një mision më shumë mbikëqyrës, monitorues, përveç në disa sektorë, ndoshta do ta ketë në një formë një pjesë të ekzekutivit (janë disa sektorë si për shembull, krimet e luftës).

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kuçi, keni paralajmëruar më herët se do të ketë ndërrim në strukturën e lartë të Shërbimit Policor të Kosovës. A ka të reja në këtë drejtim?

BLERIM KUÇI
Vizioni jonë është që në Kosovë të kemi një polici ndër më të mirat në Evropë. Krahas këtij vizioni, ne kërkojmë edhe stafin e lartë menaxhues, të ketë përkushtim dhe guxim, që do të shkojë paralel me këtë vizion. Po ashtu, kemi paralajmëruar se do të ketë ndryshime. Një ndryshim do të jetë, sepse komesari do të jetë vendor. Do të ketë ndryshime në strukturën organizative, që besoj se së shpejti do të jetë e prekshme. Normalisht, në këtë fazë do të ketë ndryshime edhe në stafin e lartë menaxhues, si në aspektin vertikal ashtu edhe në atë horizontal, krahas vizionit që ka Ministria e Punëve të Brendshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Kur do të bëhen këto ndryshime?

BLERIM KUÇI
Vizioni jonë përfshin një periudhë trivjeçare. Mirëpo, për ta arritur këtë vizion, duhet të kemi një strukturë, e cila është adekuate ose është e harmonizuar me vizionin tonë. Por, si do të realizohen këto ndryshime? Për t’u realizuar këto ndryshime, ne kemi mekanizmat. I pari është mekanizmi i komesarit, i cili është i obliguar ta japë vlerësimin lidhur me performancën e stafit udhëheqës menaxhues. Po ashtu, kemi mekanizmin që quhet Inspektorati i Policisë, i cili po ashtu do ta japë një vlerësim lidhur me performancën e stafit menaxhues. Edhe vlerësimet e tilla, mekanizmat e tillë, ne do t’i përdorim për të bërë ndryshime.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni marrë ndonjë njoftim nga Qeveria rumune? Dihet që kohë më parë, keni dërguar atje një letër, për shkak të largimit të policëve rumunë, që patën marrë pjesë në protestën e “Vetëvendosjes” së 10 shkurtit. A po lejohet kryerja e hetimeve edhe atje?

BLERIM KUÇI
Ne si Ministri e Punëve të Brendshme, i kemi dërguar një letër zyrës ndërlidhëse rumune në Kosovë, ku kemi shprehur shqetësimin dhe kemi shprehur shpresën se do të ketë një bashkëpunim, do të na mundësojë Qeveria rumune një bashkëpunim me policët, që kanë qenë të kyçur në hetimet që kanë të bëjnë me 10 shkurtin. Për fat të keq, ende nuk kemi marrë ndonjë letër, që konfirmon apo nuk konfirmon dëshirën tonë. Ne shpresojmë, por me kalimin e ditëve kjo shpresë është venitur, është zbehur.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë është bërë me hetimet deri tash?

BLERIM KUÇI
Jemi në fazën përfundimtare. Mendoj që edhe hetimet që kanë të bëjnë me përgjegjësitë individuale dhe përgjegjësitë që kanë të bëjnë me policët e UNMIK-ut, besoj që janë në fazën përfundimtare. Ne si Ministri e Punëve të Brendshme, përmes Inspektoratit të Policisë, e kemi aty një rol mbikëqyrës të këtyre hetimeve. Besoj që së shpejti, do të dalim me një raport lidhur me, pjesën e dytë ta quaj, të hetimeve.

Intervistoi: Albana ISUFI

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG