Ndërlidhjet

ROMËT NË MITROVICË – DILEMAT MIDIS JETËS NË JUG DHE VERI


Rrahman Paçarizi

Në ish-kampin ushtarak Osterode, në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë qenë të vendosura më shumë se 50 familje rome, të zhvendosura nga pjesa jugore. Po aq familje, nga ky kamp dhe kampet tjera, janë kthyer në lagjen e romëve javën e kaluar, por në këtë kamp ka ende të zhvendosur. 32 vjeçarja Behare Bajrami jeton në kampin Osterode, bashkë me burrin dhe pesë fëmijë. Ajo thotë se kushtet në kamp janë të vështira, prandaj kthimi në lagjen e romëve në pjesën jugore, për të dhe për familjen e saj ka kuptimin e jetës më të mirë dhe të sigurisë ekonomike. “Nëse kthehen të gjithë, do të kthehem edhe unë, pasi nuk mund të jetoj gjithmonë në këtë kamp, pasi nuk është i yni”, thotë Behare Bajrami. Ndryshe nga ajo, Agron Qosa, po ashtu i zhvendosur nga pjesa jugore, thotë se kushtet në kamp janë të këqija, por nuk mendon të kthehet në pjesën jugore, pasi frika dhe paqartësia lidhur me statusin e Kosovës, nuk e lejojnë të mendojë për kthimin në lagjen e romëve, ndërkohë që thotë se ka krijuar tashmë më shumë të njohur në veri. “Unë kam vendosur të mbetem këtu bashkë me serbët. Nuk kemi dallime, prandaj nuk kam arsye të kthehem në jug, pasi këtu kam më shumë të njohur sesa atje”, thotë Qosa, duke shpresuar se në pjesën veriore do t’u sigurohet strehim. Agron Qosa pranon se jeton vështirë dhe i duhet të kontrollojë madje edhe kontejnerët dhe të përpiqet të gjejë punë derë më derë. “Nëse vazhdon kështu, do të jetë shumë vështirë”, shprehet Qosa, ndërsa 29 vjeçari, Jastreb Haziri, para luftës ka jetuar në pjesën jugore të qytetit në lagjen e romëve, ndërsa tash me familjen pesanëtarëshe jeton në një shtëpi në veri, të cilën ia ka lënë për shfrytëzim një mik i tij. “Punoj privat dhe nëse punoj kemi për të ngrënë, e nëse jo, nuk kemi as për të ngrënë, pasi një pension familjar nuk mjafton”, thotë Jastreb Haziri. Ai thotë se nuk merr kurrfarë ndihmash, nuk ka asgjë në shtëpinë e tij dhe dëshiron të kthehet në lagjen ku ka jetuar para luftës dhe që gjithçka të jetë si më parë. Këtë muaj ka nisur edhe zyrtarisht kthimi i romëve në lagjen e tyre, në pjesën jugore të Mitrovicës. Tatar Shahmaran, i cili deri tash ka jetuar si refugjat në Mal të Zi, bashkë me familjen është kthyer në lagjen e romëve dhe shpreson të mos ketë probleme. “Ne shpresojmë, që edhe shqiptarët edhe serbët të na respektojnë dhe të jetojmë si përpara”, thotë Shahmaran, duke shtuar se askujt nuk i kanë as borxh e as faj. Para luftës në Kosovë, në lagjen e romëve, kanë jetuar rreth 8 mijë romë. Deri sivjet, shumica prej tyre kanë jetuar në kampet në veri. Sivjet, në përfundim të fazës së parë të kthimit të romëve në jug, në lagjen e romëve janë kthyer rreth 50 familje.
XS
SM
MD
LG