Ndërlidhjet

BURNS: SHBA-TË DO MBËSHTESIN DEKLARATËN PËR PAVARËSI TË POPULLIT TË KOSOVËS


Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mbështesin deklarimin e popullit të Kosovës për pavarësi, nëse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk miratohet rezoluta e re, ka deklaruar nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns.
Në debatin e mbrëmshëm para Këshillit për Marrëdhënje të Jashtme në Uashington Nikolas Bërns ka thënë se Shtetet e Bashkuara megjithate besojnë se rezoluta e re do të miratohet dhe pastaj do të pasojë edhe njohja e Kosovës.
Zyrtari i lartë amerikan ka thënë se Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se opcioni i vetëm për Kosovën është pavarësia, për të shtuar se mbështetja e fuqishme e Uashingtonit për pavarësinë e Kosovës nuk do të shkaktoj dëmë të përhershëm në marrëdhënjet me Serbinë.
Nënsekretari amerikan i shtetit ka vlerësuar se heqja dorë nga Kosova, Serbisë do t'i mundësonte integrim më të shpejtë me Evropën Perendimore dhe tejkalim të tensioneve në marrëdhënjet me Uashingtonin.
Nikolas Bërns ka vënë në pah se "Serbia është një vend i madh me të cilën Shtetet e Bashkuara kanë pasur marrëdhënje të mira dhe të ngrohta gjatë historisë, duke përjashtuar 10 – 15 vitet e fundit".
Por, nënsekretari amerikan i shtetit ka pohuar se tash "gjendemi para një zhvillimi të madh, përkatësisht lindjes së Kosovës së pavarur si shtet në sistemin ndërkombëtar". Nikolas Bërns ka vënë në pah se Shtetet e Bashkuara e kanë shumë të qartë se ardhmëria e Kosovës duhet të jetë pavarësia dhe Uashingtoni do të prijë në këtë rrugë si autor i rezolutës që do të mundësoi që ajo të realizohet".
Në debatin e zhvilluar në Këshillin për Marrëdhënje të Jashtme i pranishëm ka qenë edhe ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara Ivan Vujaçiç. Në pyetjen e tij se përse Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë të shqyrtojnë propozimin e Serbisë për autonomi të gjërë për Kosovën, Nikolas Bërns është përgjegjur:
"Çdo gjë flet se se kjo zgjidhje për të cilën angazhohen Rusia dhe qeveria serbe më parë do të çonte drejt më shumë dhe jo më pak dhune.
Nikolas Bërns ka vlerësuar se Beogradi efektivisht e ka humbur Kosovën në vitet e 90-ta kur represioni brutal nga ish presidenti serb Sllobodan Millosheviq çoi te intervenimin i NATO-s në vitin 1999.
"Ju keni propozuar autonomi. Ne mendojmë se ajo është e vonuar për 10 deri 12 vjet", ka thënë Nikolas Bërns.
I pyetur nga ambasadori serb Ivan Vujaçiç nëse Shtetet e Bashkuara përjashtojnë njohjen e njëanshme të Kosovës, nëse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk do të miratohet rezolutë, Nikolas Bërns ka thënë:
"Ne do të mbështesim deklaratën për pavarësi të popullit të Kosovës".
Nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns megjithate e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara presin që rezoluta në Këshillin e Sigurimit të miratohet dhe mëpastaj edhe njohja e pavarësisë së Kosovës.

XS
SM
MD
LG