Ndërlidhjet

VËSHTIRËSITË E ZHVILLIMIT EKONOMIK NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Me gjithë faktin se zhvillimi ekonomik viteve të fundit ka shënuar një rritje prej 3.5 për qind në sektorin privat, gjendja e përgjithshme ekonomike në Kosovë mbetet e vështirë, thonë ekspertë vendorë për çështje ekonomike. Ymer Havolli, nga Instituti për Hulumtime Zhvillimore ”RIINVEST”, pohon se me gjithë rritjen ekonomike dhe shtimin simbolik të numrit të punëtorëve, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë ballafaqohen me probleme të ndryshme, të cilat në vendet e rajonit janë tejkaluar prej kohësh. “Ne ende kemi probleme të evazionit fiskal, probleme të konkurrencës jo legale, kemi probleme të cilat këtij biznesi nuk i mundësojnë që të zhvillojë një aktivitet ekonomik, i cili do të ketë një rritje më të shpejtë, që është më se e nevojshme për situatën aktuale në Kosovë”, tha zoti Havolli. Zyrtarë në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se problemi kryesor që ka penguar zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme kosovare, është politika fiskale. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike, pohon se politika fiskale duhet të reformohet. “Sidomos te tatimi në fitim dhe tatimi në korporatë, i cili tatim në të vërtet është më i larti në rajon. Dhe, Kosova ka mbetur si e izoluar në këtë aspket. Përerisa shtete në rajon e kanë zbritur tatimin në fitim dhe korporatë 9-10 për qind, përkundër kësaj, Kosova ka mbetur në nivelin më të lartë, deri 20 për qind”, pohoi zoti Keqa. Për shkak të vështirësive, me të cilat po përballet komuniteti i biznesit në Kosovë, ndërmarrjet kosovare shumë shpesh e ndërrojnë veprimtarinë e tyre për të mbijetuar, thotë zoti Havolli. “Është zhvendosja nga sektori i prodhimit në sektorin e shërbimit dhe sektorin e tregtisë, dhe këto mund të konsiderohen edhe si falimentime, për shkak të kushteve që këto biznese operojnë”, shprehet zoti Havolli. Por, të gjitha këto probleme kanë rrugëdalje, nëse institucionet vendore i kushtojnë një seriozitet më të madh këtij sektori, vlerëson zoti Havolli. Sipas tij, fondi i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit, i krijuar nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, duhet të zhbllokohet urgjentisht dhe të shfrytëzohet për zhvillimin ekonomik. “Krahas investimeve të jashtme, duhet të merret një vendim shumë i shpejtë politik, lidhur me çështjen e mjeteve nga privatizimi, të cilat ende qëndrojnë të ngrira dhe nuk i kthehen sektorit privat. Dhe nga ato mjete, të gjenerohet zhvillimi ekonomik edhe më i madh, dhe të bëhet zvogëlimi i papunësisë dhe varfërisë në Kosovë”, tha zoti Havolli. Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike, ndërkaq shpreson se pas zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës, do të përmirësohet edhe gjendja e përgjithshme ekonomike, por jo në një afat të shkurtër kohe. “Mendoj se në afat më të gjatë, me krijimin e kushteve dhe një klime më të mirëfilltë për biznes, atëherë kjo do të ndikojë edhe në kualitetin e produkteve dhe shërbimeve kosovare, të cilat prej 1 majit do të inkuadrohen në integrimin rajonal CEFTA”, tha zoti Keqa. Sidoqoftë, edhe ekspertë tjerë për çështje ekonomike tashmë sa herë kanë deklaruar, se me zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, do të përmirësohet edhe zhvillimi ekonomik, por një pjesë tjetër e ekspertëve nuk janë optimistë në këtë çështje, duke tërhequr vërejtjen se statusi nuk është shkop magjik, i cili mund t’i zgjidhë problemet aktuale në këtë drejtim.
XS
SM
MD
LG