Ndërlidhjet

TERRENOIRE: KOSOVARËT DO TË MARRIN ATË QË E MERITOJNË - PAVARËSINË


Albana Isufi

Drejtues të Unionit Ndërkombëtar Pan-Evropian kanë theksuar sot në Prishtinë mbështetjen e tyre për pavarësinë e Kosovës, të bindur se këtë gjë e ka merituar populli i Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu në konferencën e Pan-Evropës në Kosovë, ka siguruar evropianët se populli i Kosovës do të përmbushë standardet e duhura, për t’u bërë pjesë integruese e Bashkimit Evropian. Presidenti Sejdiu beson se maji do të jetë ndër muajt vendimtarë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. “Tash do të përfundojë ky cikël i vizitave në Kosovë, dhe do të jetë bindje e drejtpërdrejtë me realitetin e ndërtuar pozitivisht edhe me ndonjë vend që ka pasur hezitime apo dilema, se cila është Kosova e pasluftës. Kosova ka rindërtuar vërtet një realitet pozitiv, krahas krejt vështirësive që e kanë përcjellë”, tha presidenti Sejdiu. Ndërkaq, deklaratat e djeshme të ministrit të jashtëm rus, Sergei Lavrov, se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës do të ishte e papranueshme dhe kërkesa e tij për negociata shtesë, sipas presidentit Sejdiu, nuk do të ndikojnë në procesin e zgjidhjes së statusit. “Këto janë çështje që i kemi dëgjuar edhe në periudhat e mëhershme, jo të riciklohen bisedimet, jo të ketë zgjidhje të përbashkët. Ju e dini se mundësitë tona janë shtjerrë, ne nuk kemi qasje tjetër absolutisht. Kemi bërë kompromise të mëdha në takimet e Vjenës. Dhe, planin e Ahtisaarit e konsiderojmë si një dokument të balancuar, që si i tillë ofron perspektivë edhe për të tjerët, flas për komunitetet pakicë, me qasjet afirmative që i kemi në pozicionin e tyre”, theksoi presidenti Sejdiu. Alain Terrenoire, kryetar i Unionit Ndërkombëtar Pan-Evropian, thotë se kosovarët me të gjitha vuajtjet që kanë pasur në histori, përfundimisht do të marrin atë që e meritojnë - pavarësinë e Kosovës. “Është dashur shumë vuajtje, keni njohur të gjitha llojet e vuajtjeve, nën federatë, si autonomi, nën administratën ndërkombëtare. Tani po arrini një pavarësi, të cilën e meritojnë të gjitha përkushtimet e juaja, dhe një përkushtim i popullit tuaj, që vjen nga një histori e gjatë e Evropës, që e ka mahnitur edhe historinë tonë të përbashkët“, tha në konferencën e Pan-Evropës në Prishtinë, Alain Terrenoire. Ai shtoi se situata e re të cilën e ka merituar populli i Kosovës, tani hap detyrime të institucioneve karshi popullit. “Ju rikujtoj, përpara keni një fushë shumë të madhe. Do të keni më shumë se punë në vendin tuaj, jo vetëm ta ndërtoni atë, por edhe të vendosni praktikat e të drejtave të njeriut dhe t’u shmangeni rreziqeve të mëdha, të cilat pasojnë pas periudhave të vështira. Duhet të siguroni progresin, jo vetëm në aspektin e punës, por edhe në harmonizimin shoqëror, që secili ta gjejë vendin e vet”, u shpreh Terrenoire, duke shfaqur besimin se kosovarët do ta arrijnë këtë. Ai tha se nevoja e Kosovës për Evropën është reciproke. “Evropa, e cila deri tash ju ka shoqëruar dhe ndihmuar, do t’ju ndihmojë edhe më tej me mundësi financiare, politike, por edhe nëpërmjet afrimit dhe integrimit në Evropë. Edhe Evropa ka nevojë për ju, për besimin, rininë, shpresat tuaja, ka nevojë që t’i ndani me të vuajtjet e juaja”, tha kryetari i Unionit Pan-Evropian, Alain Terrenoire. Unioni Pan-Evropian është një nga lëvizjet më të vjetra evropiane, qëllimi i së cilës është bashkimi i Evropës.
XS
SM
MD
LG