Ndërlidhjet

CIGARESHITËSIT DHE BETEJA E TYRE PËR TË MBIJETUAR


Nadie Ahmeti

Fatmir Haliti, 18 vjeç, udhëton çdo ditë nga Podujeva për në Prishtinë, për të shitur cigare dhe në këtë mënyrë përpiqet të sigurojë kushtet elementare për familjen e tij 10 anëtarshe. Me një paketë në duar, të mbushur me lloje të ndryshme të cigareve, Fatmiri prej orës 7 të mëngjesit e deri në orën 10 të mbrëmjes, shëtit prej një lokali në lokalin tjetër, për të shitur mallin e tij. Por, sa në të vërtetë mund të fitojë ai me shitje cigaresh? “As 10 euro, 7-8 euro, më shumë jo. Mjaftojnë që mos t’i bëhem barrë dikujt. Rroba blej shumë rrallë, një palë pantallona më bëjnë një vit”, thotë Fatmiri. Xhavit Haliti, nga Prishtina, tash e katër vjet me radhë, shet cigare para Pallatit të Rinisë. Ai thotë se për shkak të pamundësisë për të gjetur një vend tjetër të punës, ka filluar të merret me këtë profesion. “Nuk kisha çka të punoj tjetër. Më është dukur punë e mirë dhe fillova të punoj këtu. Qëndroj këtu nga ora 7 deri në orën 10 të mbrëmjes. Është shumë vështirë. Ka punë, deri 15 euro brenda ditës”, shprehet Xhaviti. Ai ndërkaq thotë, se po të kishte pasur mundësi për të gjetur një vend tjetër të punës, do ta kishte lënë punën që e bën tani. “Normal që do ta kisha lënë, sepse nuk është lehtë të qëndrohet këtu, veç në një vend. Por, pasi nuk ka çka të punoj tjetër, duhet të punoj veç me cigare”, pohon Xhaviti. Nazmi Sadiku, 17 vjeç, ka filluar ta bëjë këtë punë në dy muajt e fundit, i shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike dhe sociale. “Fitoj 10-15 euro. Nuk është edhe aq e vështirë. Kam dëshirë të punësohem në ndonjë punë më të mirë“, thotë Nazmiu. Edhe Bashkim Bajrami, tash e dy vite me radhë, shet cigare para Qeverisë së Kosovës. Ai thotë se familja e tij 8 anëtarshe varet vetëm nga puna e tij. “Deri diku mjafton, por shumë jo. Nuk ka mundësi tjetër. Nuk është aq vështirë, por edhe mirë jo”, tregon Bashkimi. Cigareshitësit në përgjithësi përballen me pobleme nga më të ndryshmet. Fatmir Haliti thotë se ka pasur rast kur edhe është rrahur nga kolegët e tij cigareshitës. “Po, më ka rrahur një herë një djalë, veç se kam filluar të punoj dhe të shes më shumë se ai”, shprehet Fatmiri. Bashkim Bajrami ndërkaq thotë se puna që bën, nuk i ofron mundësi për të shijuar jetën që të rinjtë kryesisht bëjnë. “Po, na mungon shumë. Si të rinjtë që kanë qejf të dalin dhe të shëtisin, ne nuk kemi kohë. Si çdo i ri, kam dëshirë edhe unë të dal dhe të shëtis”, shprehet Bashkimi. Sidoqoftë, përqindja e fëmijëve dhe të rinjve të moshës jomadhore, që janë të detyruar të punojnë, ende nuk dihet, në mungesë të një regjistrimi të mirëfilltë të popullsisë. Studimet që janë bërë deri më tash, flasin vetëm për rrezikun me të cilin përballen fëmijët në punët që bëjnë, qoftë për shëndetin e tyre, qoftë edhe për mirëqenien e tyre të përgjithshme.

XS
SM
MD
LG