Ndërlidhjet

SHBA, BE: KS TË MOS SHTYJË MIRATIMIN E REZOLUTËS PËR KOSOVËN


Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që pa kurrfarë shtyrje të miratojë një rezolutë për statusin e ardhshëm të Kosovës, dhe e kanë mbështetur planin e Martti Ahtisaarit për "pavarësinë e mbikqyrur" për Kosovën.
Në dokumentin e miratuar mbrëmë në Uashington në samitin SHBA-BE, është vlerësuar se ky është "çasti vendimtar për Ballkanin perëndimor", dhe se tash çështja më e rëndësishme është që të gjindet zgjidhja për statusin e Kosovës.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë mbështetur përpjekjet e Martti Ahtisaarit dhe kanë shprehur bindjen se propozimi i tij për statusin e ardhshëm të Kosovës, i cili iu prezantua Këshillit të Sigurimit më 26 mars, është bazë për rezolutën e re të Këshillit të Sigurimit.
"I bëjmë thirrje Këshillit të Sigurimit që në një kohë të duhur të miratojë atë rezolutë. Zgjidhja e statusit të Kosovës do ta forcojë stabilitetin e gjithë rajonit.
Ripërsërisim se zgjidhja e statusit të Kosovës është rast unik, dhe se ajo nuk paraqet precedent", i cili do t'i vendoste rregullat për zgjidhjen e krizave në rajonet tjera, thuhet në dokument.
Më tej, në deklaratë thuhet se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të punojnë së bashku në bashkërendim me NATO-n dhe Kombet e Bashkuara, për të krijuar siguri në Kosovë gjatë periudhës kalimtare pas përcaktimit të statusit.
Në komunikatën e përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë përshëndetur vendimin e BE-së që të formojë forca të sigurisë dhe misionin e vet në Kosovë, si dhe pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në këtë mision.
"E mbështesim përkushtimin e NATO-s që ta vazhdojë misionin e KFOR-it në ofrimin e sigurisë dhe gatishmërinë e OSBE-së që ta vazhdojë misionin e saj në Kosovë", thuhet më tej në dokument.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë mbështetur edhe organizimin e konferencave ndërkombëtare donatore për Kosovën, me qëllim për të ndihmuar zhvillimin e Kosovës pas përcaktimit të statusit.
"E mbështesim perspektivën evropiane dhe evro-atlantike të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe do të vazhdojmë t'u ndihmojmë në rrugën e tyre", konkludohet në dokumentin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.
Në takimin në Uashington morën pjesë presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush, kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso dhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, vendi i së cilës është kryesues i radhës i Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG