Ndërlidhjet

ENDE NUK DIHET KUR FILLON ZBATIMI I CEFTA-S


Nadie Ahmeti

Institucionet vendore ende nuk e kanë të qartë, se a do të fillojë zbatimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë të Evropës Qendrore, që njihet me emrin CEFTA, e cila është dashur të hyjë sot në fuqi. Shefi i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Joachim Ruecker, në dhjetor të vitit të kaluar në Bukuresht, ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, në të cilën është thënë se zbatimi i saj do të fillojë në fillim të muajit maj. Igballe Rexha, zyrtare për marrëdhënie me jashtë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pohon se deri më tash, në këtë ministri nuk ka arritur asnjë informacion zyrtar. “Deri më tani nuk kemi asnjë informatë, edhe pse flitej se kjo marrëveshje mund të shtyhet deri më 1 qershor, por nuk ka ndonjë informatë tjetër. Dhe për këtë, vlen nënshkrimi i marrëveshjes më datën 18.12.2006, që të hyjë në fuqi më 1 maj 2007”, tha zonja Rexha. Megjithatë, ajo pohon se Kosova tashmë është integruar në Marrëveshjen e Evropës Qendrore për Tregti të Lirë dhe zbatimi i saj mund të fillojë. “Meqë ashtu ka qenë e paraparë dhe nuk ka asnjë element për shtyrje, me siguri se kjo marrëveshje vlen. Ne, si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë nuk mund të themi diçka tjetër, pasi që nuk ka të dhëna të tjera për shtyrje”, theksoi zonja Rexha. Por, Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se zbatimi i marrëveshjes së CEFTA-s ka mundësi që të shtyhet për dy muaj. “Është e vërtetë se është pritur, që në muajin maj të bëhet ratifikimi i marrëveshjes së nënshkruar në Bukuresht, lidhur me krijimin e CEFTA-s. Mirëpo, për fat të keq, për arsye shumë më tepër burokratike, një gjë e tillë nuk është bërë. Arsye vendimtare ka qenë se nuk ka mundur të konstituohet bordi mbikëqyrës i CEFTA-s, i cili do të ketë selinë në Bruksel”, u shpreh zoti Gërxhaliu. Ai ndërkaq thotë, se shtyrja e afatit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje mund të konsiderohet si një mundësi shtesë për komunitetin e biznesit, që të përgatitet më mirë për konkurrencën që do të pasojë. “Të përgatitet në arritjen e standardeve të kërkuara nga konsumatorët evropianë, që me rastin e zbatimit të CEFTA-s të jenë të përgatitur për një qasje më pragmatike të kësaj problematike“, theksoi zoti Gërxhaliu. Nga Zyra e Paktit të Stabilitetit për Kosovën, më herët është thënë se pa status të zgjidhur, Kosova nuk mund të jetë e barabartë me vendet tjera të rajonit, të përfshira në këtë marrëveshje, aq më tepër për faktin se Kosova nuk ka bar-kod të vetin dhe prodhimet kosovare nuk mund të dëshmojnë prejardhjen në tregun e jashtëm. Por, Igballe Rexha, nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se kjo nuk ka ndonjë peshë të madhe, meqë sipas saj, Kosova e ka nënshkruar marrëveshjen e CEFTA-s, pa e zgjidhur ende statusin. “Këto gjëra, megjithatë, është dashur të mendohen dhe të parashihen kur është nënshkruar kjo marrëveshje. Mendoj se ashtu siç vlejnë marrëveshjet bilaterale edhe pa nënshkrimin e statusit, siç ka vlejtur nënshkrimi i katër marrëveshjeve tjera, edhe kjo nuk prish ndonjë punë, sepse kjo vetëm hyn në vazhdën e nënshkrimit të marrëveshjeve të tjera të deritanishme”, tha zonja Rexha. Ndryshe, CEFTA ka për synim krijimin e marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë midis vendeve që e kanë nënshkruar atë. Integrimi i Kosovës në këtë marrëveshje është vlerësuar si mundësi, për të pasur qasje të çliruar nga ngarkesat tatimore në tregun prej 30 milionë konsumatorësh të vendeve anëtare të CEFTA-s.
XS
SM
MD
LG