Ndërlidhjet

BUGAJSKI:"A DO TË ANASHKALOHET KS NË RASTIN E KOSOVËS..."?


Janusz BUGAJSKI, ekspert për Ballkanin /SHBA/

RADIO EVROPA E LIRË
Tash kemi një situatë ku Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm planin e Ahtisaarit, pjesa më e madhe e vendeve të BE-së poashtu e mbështesin këtë plan, por Rusia kërcënon me veto në Këshillin e Sigurimit. Si e shihni ju gjithë këtë situatë?

JANUSZ BUGAJSKI
Ekziston ndarje brenda Këshillit të Sigurimit. Ju i keni të gjitha vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara në njërën anë, Kina parashihet të abstenoj, ndërsa Rusia e kundërshton planin. Kjo do të thotë se do të jetë shumë vështirë për ta miratuar Rezolutën e re në Këshillin e Sigurimit. Uashingtoni shpreson që së paku të arrihet minimumi për rezolutë, e cila do ta zëvendësonte rezolutën 12- 44 dhe do të lejonte hapësirë që çon në mundësi që Kosova të lëvizë drejt pavarësisë. Duket se Rusia po kërkon një betejë të gjatë me Shtetet e Bashkuara lidhur me këtë çështje. Mendoj se çështja kryesore është që Uashingtoni dhe Brukseli të ruanjë unitetin absolut për çështjen e statusit. Në këtë situatë Rusia do të ishte në pozitën e pakicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Rusia është kërcënuar me veto që ta parandaloj rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkluara për statusin e Kosovës. Nëse kjo ndodhë, nga këndëvështrimi juaj, cilët janë skenarët e mundshëm për zhvillimet lidhur me statusin e Kosovës?

JANUSZ BUGAJSKI
Janë dy skenarë të mundshëm. Rusia, pas përpjekjeve për shtyrje të procesit, do ta kuptoj se është e mbivotuar dhe nuk u shërben qëllimeve të saj që të vazhdoj të rezistoj dhe atëherë do të abstenoj nga votimi për rezolutën. Ky është skenari më optimist. Skenari tjetër është që Rusia të vazhdoj të kundërshtoj dhe Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja thjeshtë të paraqesin një afat, qoftë ky fundi i muajit maj ose qershori në samitin e G-8-tës, se vendimi duhet të merret. Nëse kjo nuk ndodhë, atëherë procesi do të sillet jashtë Këshillit të Sigurimit dhe Kosova, në esencë, do të lëvizte drejt pavarësisë dhe do të njihej nga Shtetet e Bashkuara, nga shumica e vendeve të BE-së dhe nga shumë vende në mbarë botën. Pra, ky është skenari i mundshëm gjatë dy ose tre muajve të ardhshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë rast, pra në rast të vetos së Rusisë, sipas jush, cili do të tjetë fati i planit të Ahtisaarit?

JANUSZ BUGAJSKI
Nuk mendoj se do të paraqitet plan për votim nëse dihet se Rusia do të vërë veto. Prandaj, Këshilli i Sigurimit nuk do të marrë vendim, pasi procesi nuk do të shkoj atje. Ajo që mund të ndodhë, edhe me kundërshtimin rus, është se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja do ta mbështesin planin, duke argumentuar fundamentalisht se ky është plan për Evropën, ky është plan që është miratuar nga vendet kryesore të BE-së së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe ky është plani më i mirë i mundshëm, në situatë ku çdo shtyrje mund të shkaktoj rritje të jostabilitetit në rajon. Me fjalë të tjera, nuk nevojitet mbështeja ruse për ta pranuar planin.

RADIO EVROPAE LIRË
Pra, sa po kuptoj, me ose pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit, ky plan do të implementohet?

JANUSZ BUGAJSKI
Shtetet e Bashkuara janë të vendosura që së bashku me BE-në, ta implementojnë këtë plan. Shumë herë Këshilli i Sigurimit është dashur të anashkalohet, pasi thjeshtë, nuk mund të marë vendime. Pra kemi situatë ku secili vend mund ta bllokoj këtë unitet. Pra, në disa situata Këshilli i Sigurimit thjeshtë është i paralizuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht ka shumë diskutime për Veriun e Kosovës. Disa thonë se situata është e paqartë, por sipas parimeve të Grupit të Kontaktit, ndarja nuk është opsion. Si i shihni ju zhvillimet në situatat me rezolutë apo pa të?

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se është shumë me rëndësi për Kosovën, që të jetë një vend, administrata e të cilit e kontrollon gjithë territorin. Mendoj se është shumë e mirë që NATO-ja dhe BE-ja, janë të përkushtuar për ta mbajtur praninë dhe ta mbikëqyrin situatën. Mendoj se është përgjegjësi e NATO-s që të jetë e sigurtë se nuk ka elemente ekstremiste në mesin e komunitetit serb në veri të Kosovës, që përpiqen t'i bllokojnë autoritetet qeveritare. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të kontrollohen kufijtë me Serbinë dhe në gjithë këto çështje, misioni i vazhdueshëm i NATO-s me pjesmarjen e Shteteve të Bashkuara do të jetë shumë i rëndësishëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bugajski, në fund të kësaj interviste dëshiroj t'ju pyes për një orar të mundshëm kohor për statusin e Kosovës. Ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara tha se kjo është çështje javësh....

JANUSZ BUGAJSKI
Mendoj se në fund të majit, Shtetet e Bashkuara do të dëshirojnë që të formojnë vendimin nga Këshilli i Sigurimit, nëse do ta miratoj ose jo paketën e Ahtisaarit. Nëse Këshilli i Sigurimit nuk është në gjendje për ta miratuar, atëherë, Shtetet e Bashkuara së bashku me partnerët në BE, do të veprojnë jashtë këtij organi të Kombeve të Bashkuara. Vërtetë, mendoj se shumica e anëtarëve të OKB-së, shumica e vendeve në Asamblenë e Përgjithshme, përfundimisht do ta njohin Kosovën. Pra, në këtë rast, rusët do të jenë pakicë.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG