Ndërlidhjet

DISA MIJËRA VETA MARRIN PJESË NË MARSHIN “ME RAMUSHIN”


Zijadin Gashi

Disa mijëra veta kanë marrë pjesë sot në marshin paqësor, të quajtur “Me Ramushin”, që është organizuar në Prishtinë, në mbështetje të Ramush Haradinajt, i cili aktualisht po ballafaqohet me procesin gjyqësor në Tribunalin e Hagës. Marshi është organizuar nga Parlamenti Studentor, Aleanca e të Rinjve e Kosovës dhe shoqëria civile, ndërkaq pjesëmarrës në të kanë qenë edhe ministra të Qeverisë, zyrtarë të lartë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe udhëheqës të Komunës së Prishtinës. Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, i është drejtuar masës së tubuar të njerëzve me fjalët e Ramush Haradinajt, se procesi gjyqësor në Hagë është edhe një sakrificë për Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë. “Ne, sot jemi këtu, për të nderuar njeriun me atribute të larta njerëzore, heroin e gjallë të Kosovës dhe ish-kryeministrin e saj. Ne jemi këtu për shumë arsye, sepse besojmë fuqishëm në pafajësinë e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ashtu siç besojmë në pafajësinë e luftës sonë çlirimtare. Ne të gjithë, populli i Kosovës, bota demokratike, kujtojmë me respekt luftën çlirimtare kundër regjimit të Millosheviqit, sakrificën dhe vuajtjet e shumta të qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Isufi. Organizatorët e këtij marshi thanë se i besojnë drejtësisë ndërkombëtare dhe pafajësisë së Ramush Haradinajt, andaj edhe presin që Haradinaj të lirohet dhe të kthehet sa më shpejt në Kosovë. Me këto bindje është prezantuar para të tubuarve edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, Pajazit Nushi. Ai tha se Haradinaj ka qenë një prej figurave kryesore të luftës së drejtë të popullit të Kosovës për liri. “Revolta e sotme nuk është shprehje e ndjenjave dhe e emocioneve të qytetarëve tanë, por është pasqyrim i atyre arsyeve, të cilat e kanë mbështetjen më të fortë e më të fuqishme, pikërisht nga ata që po dëshmojnë në Gjyqin e Hagës. Në emër të këtyre dëshmive, me plot fuqi, gëzojmë të drejtën që të kërkojmë prej të gjithë atyre që marrin pjesë në Gjyqin e Hagës, që të lirohet nga akuza i yni dhe i dashuri, ish-kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj”, u shpreh Nushi. Marshi “Me Ramushin”, i organizuar sot në Prishtinë, ishte përmbyllje e disa marsheve të ngjashme, të organizuara nëpër qytetet tjera të Kosovës në mbështetje të Haradinajt. Gjatë marshimit nga Fakulteti Filozofik deri në qendër të Prishtinës, masës i kanë prirë figurat kryesore politike të AAK-së si dhe përfaqësues të tjerë kosovarë. Në fund, ky marshim ka përfunduar i qetë dhe pa asnjë incident.

XS
SM
MD
LG