Ndërlidhjet

PRISHTINË: KTHIMI I RADIKALËVE NË PUSHTET – KTHIM I SERBISË NË TË KALUARËN


Rrahman Paçarizi

Zgjedhja e udhëheqësit të radikalëve, Tomislav Nikoliq, kryetar i Parlamentit të Serbisë, është cilësuar nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe nga partitë politike, si kthim i Serbisë në të kaluarën dhe pengesë për proceset integruese evropiane të të gjithë rajonit. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, zoti Hashim Thaçi, tha se zgjedhja e Nikoliqit ishte zgjidhja më e keqe e mundshme. “Një zgjidhje e keqe nuk është e mirë për askënd. Ne dëshirojmë të kemi partneritet në kuptim të lidershipit demokratik. Kjo është një zgjidhje më e keqe e mundshme për serbët e Kosovës. Por, që të mos ketë reflektime për të ardhmen e serbëve të Kosovës, ata duhet t’i marrin përgjegjësitë e tyre në kuadër të angazhimeve tona të përbashkëta”, theksoi Thaçi. Ndërkaq, Xhavit Beqiri, zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Beogradi po dëshmon, se politikat e tija u përkasin orientimeve të tejkaluara tashmë. “Fatkeqësisht, Beogradi nuk po mund të lirohet nga politikat hegjemoniste të së kaluarës. Dihet qëndrimi i radikalëve të Sheshelit, jo vetëm karshi shqiptarëve të Kosovës, por edhe të të gjithë popujve të tjerë nga ish-federata tashmë e shpërbërë jugosllave. Dhe, ata ende vazhdojnë të kenë mbështetje të gjerë nga elektorati serb. Kjo tregon, se politika në Beograd vazhdon të ketë një qëndrim të tejkaluar, do të thosha”, u shpreh zëdhënësi Beqiri, sipas të cilit, zgjedhja e radikalit Tomislav Nikoliq në krye të Kuvendit të Serbisë, nuk do të ketë kurrfarë ndikimesh në procesin ndërkombëtar të përcaktimit të statusit të Kosovës, por do të ketë refleksione të brendshme negative në vetë Serbinë. Edhe Ramë Manaj, këshilltar politik i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, tha se ky kthim i Serbisë në të kaluarën do të ndikojë në ngadalësimin e proceseve integruese të rajonit në Bashkimin Evropian. “Dhënia e kredibilitetit radikalëve në Kuvendin e Serbisë, me Nikoliqin në krye të tij, është kthim në periudhën e kaluar. Po ashtu, nuk mund të interpretohet ndryshe, përveç faktit se do të krijojë pasoja në ngadalësimin e proceseve integruese dhe në refleksione negative të rajonit, drejt integrimeve evropiane”, tha zoti Manaj, i cili duke komentuar ndikimet eventuale të këtyre zhvillimeve në procesin e përcaktimit të statusit të Kosovës, tha se institucionet kosovare do të donin, që pavarësimin e Kosovës ta ndihmonin më shumë forcat demokratike, por kjo nuk po ndodh, gjë që sipas tij, është një dëshmi e qartë se në çfarë pozicioni po dëshiron të kthehet Serbia zyrtare, duke i dhënë mundësi për udhëheqjen e Kuvendit Nikoliqit, që është pasues dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Vojislav Sheshelit, i cili në Hagë po përballet me akuzat për krime lufte. As përfaqësuesit e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë nuk janë të kënaqur nga zgjedhja e Nikoliqit, kryetar i Parlamentit të Serbisë. Dragisha Kërstoviq tha se meqë i takon një opsioni krejt të ndryshëm politik nga ai i Nikoliqit, theksoi se është i zhgënjyer nga zhvillimet e djeshme në Parlamentin e Serbisë. “Kjo do të ketë edhe implikime të caktuara sa u përket raporteve në Kosovë dhe sidomos pozitës së serbëve të Kosovës”, është shprehur Kërstoviq. Ai tha se Serbia tashmë ka bërë një hap mbrapa, kah periudha para tetorit të vitit 2000, kur ishte rrëzuar nga pushteti Slobodan Milosheviqi dhe socialistët e tij.


XS
SM
MD
LG