Ndërlidhjet

SA E DIKTON PAGA E MËSIMDHËNËSIT CILËSINË E ARSIMIT?


Nadie Ahmeti

Cilësia e arsimit është në krizë dhe shkaktari kryesor i kësaj krize është paga e ulët prej 180 eurosh, që marrin mësimdhënësit, thonë udhëheqës të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Zenel Zeka, sekretar në këtë sindikatë, thotë se paga destimuluese dhe, sipas tij, poshtëruese, që marrin mësimdhënësit, i ka detyruar ata të braktisin arsimin. Një pjesë tjetër ndërkaq, është detyruar të punojë edhe në ndonjë punë të dytë dhe kjo ka bërë që, sipas zotit Zeka, cilësia e arsimit të jetë e dobët dhe nxënësit të mos kalojnë as testin pranues për shkollë të mesme apo fakultete. “Kriza po hetohet vazhdimisht, nga dita në ditë. Kjo ilustrohet me faktin se nxënësit tanë nuk janë në gjendje ta përballojnë testin pranues nëpër shkolla të mesme dhe fakultete. Kriza tjetër është edhe largimi i nxënësve nga shkolla. Çdo ditë kemi numër të madh të nxënësve që braktisin shkollën”, tha zoti Zeka. Edhe Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës, pajtohet se pagat e mësimdhënësve janë simbolike dhe se cilësia e arsimit nuk është në nivelin e duhur. Por megjithatë, ai thotë se ka pasur përmirësime në këtë fushë, në krahasim me vitet e 90-ta. “Unë mendoj se pagat e mësimdhënësve janë pjesë e problemit, mirëpo nuk do të kisha dashur që mësimdhënësit tanë t’i cilësoj si njerëz që e kryejnë punën vetëm nëse janë mirë të paguar. Unë mendoj se mësimdhënësit e japin maksimumin e tyre”, pohoi zoti Pupovci. Por, zoti Zeka thotë se problem tjetër që ka ndikuar në uljen e cilësisë së arsimit është vetë Ligji për Arsimin Fillor dhe të Mesëm, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Për të zvogëluar numrin e punëdhënësve, sipas ligjit, është paraparë që mësimet në një klasë t’i zhvillojnë mbi 40 nxënës, tha zoti Zeka, duke shtuar madje, se në disa shkolla procesi mësimor zhvillohet deri në katër ndërrime. “Është numër shumë i madh i nxënësve. Me këtë numër kaq të madh të tyre është e pamundur të zhvillohet procesi mësimor, për 45 minuta sa zgjat ora mësimore. E mos të flasim për aty, ku mësimi mbahet në katër apo pesë ndërrime”, theksoi zoti Zeka. Me një gjë të tillë pajtohet edhe Dukagjin Pupovci, nga Qendra për Arsim e Kosovës. “Ne e dimë se në Kosovë kemi shkolla të mbingarkuara me tre apo katër ndërrime, pastaj edhe plan-programet mësimore vazhdojnë të jenë të mbingarkuara. Por, pa dyshim, që stimulimi më i mirë do t’i tërhiqte njerëzit, të cilët për momentin janë jashtë mësimdhënies, t’i kthehen këtij profesioni. Dhe, kjo do të ndikonte në rritjen e cilësisë së arsimit”, tha zoti Pupovci. Ndryshe, për të gjetur një zgjidhje në sistemin e arsimit dhe që të ngritët cilësia në këtë fushë, kjo çështje ka qenë temë diskutimesh edhe në Kuvendin e Kosovës. Ligjvënësit më së shumti janë përqendruar në përqindjen e rritjes së pagave për mësimdhënësit, edhe pse aktualisht, gjasat për këtë rritje janë të vogla. Zenel Zeka thotë se Sindikata e Arsimit ka kërkuar disa herë rritjen e pagave të mësimdhënësve, por asnjëherë nuk ka caktuar ndonjë përqindje. “Ne nuk e kemi shtruar ngritjen e pagave në përqindje, sepse po të rritej edhe 100 për qind, nuk mund të arrihet ajo që ne dëshirojmë. Ne e kemi hartuar një shportë mujore të shpenzimeve për një familje gjashtë anëtarshe. Shuma e mjeteve të domosdoshme për të mbijetuar një familje është afër 500 euro”, u shpreh zoti Zeka.

XS
SM
MD
LG