Ndërlidhjet

AGJENCITË E PAVARURA NDIHEN TË PASIGURTA TË PUNOJNË


Zijadin Gashi

Agjencitë e pavarura, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës, kanë kërkuar nga autoritetet më shumë mbështetje për sigurinë e tyre. Gjatë një dëgjimi publik, që u organizua nga Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, u tha se këto agjenci po punojnë nën presion të vazhdueshëm. Ministria e Drejtësisë, ajo e Punëve të Brendshme dhe drejtuesit e Shërbimit Policor të Kosovës thanë se nuk do të tolerojnë asnjë sulm ndaj këtyre agjencive. Shqetësimet lidhur me sigurinë e personave që drejtojnë këto agjenci, janë shtuar pas sulmit të dyfishtë të para disa ditëve ndaj kreut të Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit, Anton Berisha. Shefi i Agjencisë Anti-korrupsion, Hasan Preteni, si njëri prej atyre që drejton një agjenci të tillë, tha se nuk mund t’i kursente nga kritikat Kuvendin dhe Qeverinë për mospërkrahje. Ai tha se është e kotë, nëse këto Agjenci janë krijuar vetëm si kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare për ta përmbushur një standard dhe nuk e gëzojnë mbështetjen e autoriteteve vendore. Me këtë rast, ai u shtroi disa pyetje përfaqësuesve të Kuvendit, për të cilat ai tha se nuk ka marrë asnjëherë përgjigje. “Çka bëri Kuvendi që Agjencia të jetë funksionale? Sa dha buxhet? Si i motivoi ata të punësuar? Me cilat detyra i ngarkoi dhe për cilat çështje me ta bisedoi? Sa herë u dëgjua fjala e tyre, ose si ata ndikuan, ose kërkesat e tyre a hasën në mirëkuptim apo jo?”, u shpreh Preteni. Pyetjet e Hasan Pretenit nuk kanë gjetur një përgjigje adekuate, por zyrtarët nga institucionet përgjegjëse e pranuan se duhet bërë më shumë, që agjencive t’u garantohet punë e sigurt dhe pa ndikime nga jashtë. Kryetari i Komisionit për Siguri të Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, tha se ankesat dhe kritikat e parashtruara në këtë debat janë të arsyeshme. Ndërkohë, që ai tha se e mbështet një rol shumë më aktiv dhe një vendosmëri më të fuqishme nga ana e prokurorisë dhe gjykatave në trajtimin e rasteve të tilla. “Ata i kanë hyrë një pune dhe duhet të mos hezitojnë në marrjen e rasteve të rënda nga prokurorët. Ata janë në frontin e parë dhe efikasiteti i tyre është masa më parandaluese në ndodhjen e krimeve në të ardhmen”, tha Maloku. Në anën tjetër, ministri i Drejtësisë, Jonuz Salihaj, shprehi brengosjen për sulmet që kanë ndodhur. Ndërkaq, për të ardhmen paralajmëroi, që në bashkëpunim me institucionet tjera përkatëse, të krijohet një 'task force' apo komitet sigurie. “Kur kemi prokuror të mbrojtur, kur kemi polici gjyqësore që u ndihmojnë në hetime prokurorëve, kur kemi aplikim të ligjeve në fuqi, sepse kodin e procedurës penale e kemi në fuqi, do ta shpijmë mesazhin e qartë, se do të ndëshkohen të gjithë ata që do të bien ndesh me ligjin”, ka pohuar Salihaj. Duke e vlerësuar gjendjen jo të përshtatshme në trajtimin e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj agjencive të pavarura, edhe ministri i Punëve të Brendshme, Blerim Kuçi, premtoi një angazhim më të madh në krijimin e kushteve për sigurinë fizike të personave që punojnë në këto agjenci. “Siguria fizike e zyrtarëve, jo vetëm në agjencitë e pavarura, por edhe në institucionet vendore dhe ndërkombëtare, mbetet preokupim i Ministrisë së Brendshme. Dhe, do t’i rekomandojmë SHPK-së që të ngritë nivelin e vigjilencës rreth objekteve të këtyre institucioneve, por edhe të hulumtojë ndjenjën, perceptimin lidhur me sigurinë fizike të zyrtarëve të këtyre institucioneve”, tha Kuçi. Deri më tash, sulmi më serioz ndaj agjencive të pavarura, të themeluara nga Kuvendi i Kosovës, ndodhi ai i tentim-atentatit në kreun e ART-së, Anton Berisha. Për këtë rast, policia ka arrestuar disa persona dhe ata po mbahen në paraburgim me urdhrin e gjykatës.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG