Ndërlidhjet

DI CARLO:"MBËSHTESIM AHTISAARIN, NUK KA COPTIM TË KOSOVËS"


Rosemary Di Carlo, Zëvendës ndihmëse amerikane e shtetit për Evropën Jugore

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë gjasat që projekt rezoluta e paraqitur në Këshillin e Sigurimit bazuar në planin e Ahtisaarit të miratohet brenda presidencës amerikane të Këshillit të Sigurimit, pra brenda majit?

ROSEMARY DI CARLO
Së pari më lejoni t'ju them se synojmë që ta miratojmë projekt rezolutën në fjalë gjatë majit dhe po punojmë për përmbushjen e këtij qëllimi. Jemi shumë të kënaqur që kemi siguruar mbështje për propozimin e zotit Ahtisari në Këshillin e Sigurimit. Vendet anëtare janë shumë të kënaqura me punën e bërë nga presidenti Ahtisaari, me përpjekjet e tij për të afruar dallimet e mëdha që ekzsitojnë mes palëve dhe ata e kanë kuptuar se ai ka sjellë një tërësi masash mbrojtëse për pakicat.
Nga ana tjetër vizita e përfaqësuesve të Këshillit të Sigurimit në rajon ishte shumë e rëndësishme, pasi u dha atyre mundësinë të shihnin drejtpërdrejt gjendjen në terren. U bënë të qarta për vendet anëtare deklaratat e presidentit Ahtisaari si dhe të të dërguarit të Kombeve të Bashkuara Kai Aide, gati dy vjet më parë, se statusquoja nuk mund të vazhdojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Por megjithë optimizmin Rusia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e mbikqyrur për Kosovën që propozohet në planin e Ahtisaairt. Në këtë kuptim çfarë kompromisesh Shtetet e Bashkuara dhe bashkësia ndërkombëtare janë të gatshme të bëjnë që të mënjanojnë veton e Moskës?

ROSEMARY DI CARLO
Ne po diskutojmë me përfaqësuesit e Federatës Rusë, ashtu siç po diskutojmë dhe me përfaqësuesit tjerë rreth planit të Ahtisaarit dhe po shohim mundësinë se si të ecim përpara në këtë çështje. Natyrisht ka dallime në pozicionet tona me Rusinë, kjo është e qartë, por po vazhdojmë të diskutojmë rreth kësaj çështje që të gjejmë një marrëveshje.
Rusia ka qenë anëtare e Grupit të Kontaktit për një kohë të gjatë dhe kemi punuar shumë mirë me të. Rusia ka qenë e përfshirë në një numër bisedash që ka pasur presidenti Ahtisaari me zyrtarët e Prishtinës dhe Beogradit.
Mendoj se Rusia ndan të njëjtin qëndrim me ne dhe se dëshiron një Ballkan stabil dhe të sigurtë, që ka nisur rrugën drejt Bashkimit Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Por Rusia megjithatë këmbëngul se projekt rezoluta është e papranueshme dhe kërkon vazhdimin e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit. Çfarë mendoni rreth kësaj, a jeni dakord me vazhdimin e bisedimeve?

ROSEMARY DI CARLO
Qëndrimi ynë është se kemi pasur biseda të shumta në 15 muajt e fundit. Palët i kanë vënë pozicionet e tyre mbi tryezë dhe mendoj se kemi arritur maksimumin e kompromiseve të mundshme në këto bisedime.
Nuk mendoj se shtyrjet apo vazhdimi i bisedimeve do t'i sjellë palët më pranë njëra-tjetrës.
Mendojmë se tani është koha që bashkësia ndërkombëtare të veprojë.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit për Kosovën rekomandon dhe një moratorium 2 vjecar lidhur me anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. A ka gjasa që bashkësia ndërkombëtare ta marrë parasysh një rekomandim të tillë si rrugë për të gjetur gjuhën me Rusinë?

ROSEMARY DI CARLO
Më lejoni t'ju kujtoj se plani i presidentit Ahtisaari kërkon që Kosovës t'i njihet e drejta për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, si Banka Botërore, Kombet e Bashkuara, OSBE-ja e me rradhë. Ne e mbështesim planin e presidentit Ahtisaari.
Çdo organizatë, është e qartë, se vendos vetë për anëtarësimin në varësi të kritereve. Kështu Banka Botërore kërkon përmbushjen e disa kërkesave si kusht për anëtarësim.
E përsërisë ne mbështesim planin e presidentit Ahtisaari në tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë skenarët e mundshëm nëse projekt rezoluta e hartuar mbi planin e Ahtisaarit nuk miratohet në Këshillin e Sigurimit? A ka gjasa që Shtetet e Bashkuara ta njohin në mënyrë të njëanshme pavarësinë e mbikqyrur të Kosovës?

ROSEMARY DI CARLO
Nuk do spekullojë me atë se çfarë do bëhet nëse nuk ka rezolutë nga Këshilli i Sigurimit. Ajo që do them përsëri është se qëllimi dhe objektivi ynë është të kemi një rezolutë që i hap rrugën pavarësisë së mbikqyrur për Kosovën. Ne besojmë, ashtu si dhe presidenti Ahtisaari se ky është opcioni i vetëm.
Ne duhet ta shohim situatën në Kosovë në kuadër të shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe kthimi i Kosovës nën qeverisjen serbe nuk është opcion aktualisht.
Ne do vazhdojmë të punojmë ngushtë me të gjithë në Këshillin e Sigurimit që ta çojmë këtë çështje përpara.
Mendojmë se nuk është vetëm në interes të Kosovës, por është edhe në interes të Serbisë ta hedhë këtë çështje pas krahëve. Mendojmë se është në interes të gjithë rajonit të Ballkanit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kohë jeni të gatshëm t'i jepni Këshillit të Sigurimit për të gjetur një zgjidhje mbi këtë çështje, një javë, një muaj, deri në vjeshtë...

ROSEMARY DI CARLO
Nuk do të spekulojë me kohën e zgjidhjes së problemit. Qëllimi ynë është ta zgjidhim sa më shpejt që mundemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Pa spekuluar me afatet kohore, por duke pasur parasysh faktin se gjendja në terren mund të përkeqësohet në rast vonesash, çfarë planifikoni të bëni?

ROSEMARY DI CARLO
Siç e thashë dhe më sipër do vazhdojmë të diskutojmë në Këshillin e Sigurimit, të bisedojmë me Rusinë, të vazhdojmë bisedimet me palët në mënyrë që të gjejmë zgjidhje.
Kemi bërë një rrugë të gjatë ndaj dhe duhet të sigurojmë që në Këshillin e Sigurimit do të kalojë rezoluta e duhur në mënyrë që të fillojmë të mendojmë për të ardhmen.
E ardhmja për Kosovën parasheh praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake në mënyrë që t'i ndihmojë kosovarët të zbatojnë planin e presidentit Ahtisaari. Duhet të sigurojmë të ardhmen e Serbisë, një e ardhme e ndritshme në Evropë dhe është e nevojshme ta ndihmojmë Serbinë të lëvizë në këtë drejtim.
Zgjidhja e statusit të Kosovës do ndihmojë dhe do t'i lejojë qeveritarët e Serbisë të përqëndrohen në të ardhmen. Ne shpresojmë që e ardhmja e Serbisë përfshin dhe anëtarësimin e mundshëm në NATO. Ekziston vullneti ynë që të punojmë me Serbinë në përmbushjen e kërkesave të nevojshme për anëtarësi në NATO.
Mendojmë se është jshtëzakonisht e rëndësishme, që të gjithë ne, ta lëmë pas të kaluarën dhe të lëvizim përpara.
Kjo është kyçe veçanërisht në këtë moment të rëndësishëm për rajonin, ndaj duhet të sigurojmë se po e ruajmë momentin aktual për të lëvizur drejt një të ardhme më të ndritshme për të gjithë.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa udhëheqës serbë kanë deklaruar se në rast të njohjes së pavarësisë së Kosovës do të mund ta shpallin veriun e Kosovës një lloj entiteti serb me të drejtë që t'i bashkohet Serbisë. A është i rrezikuar integriteti territorial i Kosovës?

ROSEMARY DI CARLO
E dini se Grupi i Kontaktit në nëntor të vitit 2005 e bëri shumë të qartë se ka disa opcione lidhur me statusin e Kosovës që janë të përjashtuara. Këtu hynte dhe copëtimi. Nuk ka coptim të Kosovës.
Ne nuk mendojmë se coptimi është një opcion i qëndrueshëm që do ta çojë Ballkanin drejt stabilitetit.
Ne vazhdojmë të besojmë në këtë qëndrim.

RADIO EVROPA E LIRË
E nëse serbët i marrin këto hapa të njëanshme për shkëputjen e veriut të Kosovës a është e gatshme bashkësia ndërkombëtare të veprojë dhe nëse po në ç'mënyrë?

ROSEMARY DI CARLO
Sërish nuk do të spekulojë se çfarë do bëjmë nëse ndodh kjo, për më tepër që nuk e kemi dëgjuar një gjë të tillë nga qeveritarët në Beograd. Mund të ketë pasur zëra brenda Serbisë, por nuk ka pasur të tillë brenda qeverisë së re për copëtimin e Kosovës. Ne mbështesim planin e Ahtisarit që është mbi tryezë dhe ky plan kërkon që Kosova të mbetet brenda kufijve të njohur administrativ, të cilët aktualisht janë nën kontrollin e Kombeve të Bashkuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e shihni rolin e vendeve fqinje të Kosovës si Maqedonia e Shqipëria në gjithë këtë proces?

ROSEMARY DI CARLO
Padyshim që është e rëndësishme të kemi marrëdhënie të mira fqinjësie. Çfarë ndodh në rajon është e rëndësishme para së gjithash për vendet e rajonit. E di se të gjitha vendet fqinje me Kosovën, fqinje me Serbinë, duan që ta shohin këtë çështje të zgjidhet shpejt dhe në mënyrë të tillë që rrit dhe nuk zvogëlon stabilitetin. Padyshim e dimë se kjo është një çështje e vështirë për fqinjët e Kosovës, për fqinjët e Serbisë. Kemi parë mbështetje për planin e Ahtisaarit në mesin e vendeve fqinje.

RADIO EVROPA E LIRË
E nëse do t'i drejtoheshit drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës, çfarë do t'u thoshit?

ROSEMARY DI CARLO
Do t'u thosha që të mbeten të angazhuar për ndërtimin e një shoqërie shumëetnike në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron t'i ndihmojë në këtë proces. Ne i kuptojmë shqetësimet e tyre, vështirësitë nëpër të cilat kanë kaluar. Ne kuptojmë dhe çmojmë dëshirën e tyre për qartësi për të ardhmen. Ndajmë të njëjtin mendim se qartësia është e nevojshme që Kosova të jetë stabile, qartësia i duhet qytetarëve të Kosovës që të planifikojnë të ardhmen e tyre. Qartësia padyshim është e nevojshme për zhvillim dhe përmirësimin e ekonomisë.

Bisedoi: Ilirjana A. BAJO
XS
SM
MD
LG