Ndërlidhjet

SIGURIA DHE MUNGESAT FINANCIARE – PENGESA KRYESORE PËR KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Rrahman Paçarizi

Megjithëse kthimi i të zhvendosurve është formalisht në krye të agjendave, si të Kosovës ashtu edhe të Serbisë, asnjëra palë nuk ka bërë mjaft konkretisht për realizimin praktik të kthimit, thanë sot përfaqësues të serbëve të Kosovës, ndërkohë që zyrtarë të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës theksuan se mungesa e mjeteve financiare është pengesa kryesore, ndërkohë që kanë mohuar akuzat për mosangazhim të mjaftueshëm. Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Branislav Gërbiq, tha se askush nuk është i kënaqur me kthimin, por kaq ka mundur të bëhet deri më tash. “Në këtë kuptim, numri prej 16 mijë të kthyerish, nga viti 1999 e deri më tash, është një numër shumë i vogël nga ai në të cilin thirren të gjithë, që mund të jetë deri në 200 mijë”, u shpreh Gërbiq. Bartësi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, tha se në këtë situatë është vështirë të flitet për kthimin. “Në një situatë të këtillë, kur flitet për statusin dhe në një situatë relativisht të paqartë, pakkush është i gatshëm të mendojë sinqerisht për kthimin”, tha Ivanoviq, sipas të cilit, as pala serbe dhe as ajo kosovare nuk kanë punuar mjaft konkretisht, për të përmirësuar kushtet dhe për të mundësuar kthimin. Sipas tij, pala kosovare duhet të japë garanci, se në rast se kthehen, askush nuk do t’i rrezikojë në kuptimin fizik apo në ndonjë mënyrë tjetër. “Ka deri më tash premtime verbale dhe deklarata në mbështetje të kthimit, mirëpo në terren ndodhin gjëra që tregojnë të kundërtën”, u shpreh Ivanoviq, sipas të cilit, incidentet që kanë ndodhur me të kthyerit e pengojnë seriozisht procesin e kthimit. Mirëpo, ministri Gërbiq mendon se të gjithë kanë përgjegjësi për kthimin dhe për sigurinë. “Nëse kërkojmë përgjegjësi, duhet të themi se situata e sigurisë nuk mund të konsiderohet si pengesë themelore, lidhur me përparimin e procesit të kthimit të qëndrueshëm”, ka theksuar Gërbiq, duke shtuar se në krijimin e ambientit të sigurt, të gjithë e kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë. Ndërkohë, sipas ministrit Gërbiq, buxheti është i pamjaftueshëm. “Procesi i kthimit është një proces shumë i shtrenjtë dhe buxheti i ministrisë, që sivjet ka qenë 5 milionë e 200 mijë euro, nuk mund t’i përmbushë nevojat për kthimin”, vlerësoi Gërbiq. Edhe Ivanoviq tha se buxheti, që aktualisht ka Ministria për Kthim dhe Komunitete në kuadër të Qeverisë së Kosovës, është i pamjaftueshëm. “Kur dihet se kthimi për një familje kushton 25 deri 30 mijë euro, si dhe keqpërdorimi i mundshëm i atyre mjeteve, si dhe numri i madh i të zhvendosurve, atëherë shuma prej 5 milionë euro për të kthyerit nuk është as përafërsisht e mjaftueshme”, tha Ivanoviq. Sidoqoftë, përparimi në procesin e kthimit të të zhvendosurve, para së gjithash të serbëve të zhvendosur, mbetet një nga kërkesat kryesore, që bashkësia ndërkombëtare ka shtruar para autoriteteve kosovare.
XS
SM
MD
LG