Ndërlidhjet

PROBLEMET E (PA)NDRYSHUESHME TË ARSIMIT NË KOSOVË


Nadie Ahmeti

Sistemi arsimor edhe gjatë këtij viti shkollor është përballur me vështirësi nga më të ndryshmet, të cilat më së shumti kanë ndikuar në cilësinë e arsimit, thonë përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e mësimdhënësve. Ali Shabani, kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, pohon se pagat e ulëta të mësimdhënësve, cilësia e ulët e arsimit dhe ligji joadekuat për arsimin fillor dhe të mesëm, kanë bërë që sistemi arsimor të jetë nën atë që quhet nivel i duhur. “Një nga çështjet kryesore në sistemin e arsimit publik është edhe cilësia në punë. Prandaj, të gjitha këto lidhen edhe me cilësinë e arsimit. Nëse këto kushte nuk plotësohen, cilësia në punë nuk do të jetë ajo të cilën e dëshirojmë ne të gjithë. Andaj, krahas asaj, duhet të zgjidhen edhe probleme tjera, që janë me interes të veçantë për sistemin e arsimit publik”, thotë zoti Shabani. Sistemi i arsimit në Kosovë është në gjendje alarmante dhe ende nuk është në pajtim me nevojat e një shoqërie demokratike, tha Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim e Kosovës. Ai pohon se sistemi arsimor nuk është gjithëpërfshirës dhe për shkak të cilësisë së dobët në këtë drejtim, ky sistem vazhdon të përballet me fenomenin e braktisjes së shkollimit. “Është problem edhe sfidë e madhe, sepse sistemi i arsimit ende është i ngarkuar me fenomenin e braktisjes së arsimit. Kjo ndodh për shkak se arsimi i tanishëm nuk i përshtatet nevojave të qytetarëve të Kosovës, sepse nuk kanë interes nga ai arsimim, pastaj edhe e braktisin”, pohon zoti Hyseni. Ragip Zekolli, udhëheqës i arsimit të përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Shekncës dhe Teknologjisë, tha se duke marrë parasysh kushtet në të cilat ka qenë sistemi arsimor në të kaluarën, gjendja aktuale ka disa përmirësime. “Ju lutem, ne jemi një shtet që kemi dalë nga tranzicioni, do të thotë nga një luftë. Në fazën e parë kemi pasur fazën emergjente, ndërtimin e objekteve shkollore. Tash, kemi filluar t’i kthehemi edhe këtyre gjërave, do të thotë reformën të cilën e kemi zbatuar dhe sa ajo reformë është efektive”, u shpreh zoti Zekolli. Të gjitha problemet në sistemin arsimor i ka krijuar ligji për arsimin fillor dhe të mesëm, i cili është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit 2002, tha zoti Shabani. Zbatimi i këtij ligji, sipas tij, ka pamundësuar menaxhimin e shkollave nga drejtorët dhe si pasojë e kësaj, thotë zoti Shabani, është rritur përdorimi i dhunës dhe huliganizmit. “Ka vështirësi, sepse ligji për arsimin fillor dhe të mesëm nuk krijon kushte optimale për punë. Duhet ndryshuar ligji për të krijuar një rregull, qetësi dhe arsim më cilësor në shkollat tona”, vlerësoi zoti Shabani. Edhe Halim Hyseni nga Qendra për Arsim e Kosovës, thotë se një sfidë tjetër në këtë sistem është rritja e delikuencës së fëmijëve. “Rritja e delikuencës së fëmijëve është po ashtu rezultat i cilësisë së ulët të arsimit. Sistemi i arsimit nuk i plotëson nevojat dhe interesin e fëmijëve në ato shkolla ku janë”, theksoi zoti Hyseni. Zyrtarë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se ligji për arsimin fillor dhe të mesëm është i ngjashëm me standardet ndërkombëtare. Megjithatë, zoti Zekolli pohon se për shkak të disa vërejtjeve që janë shfaqur nga institucionet arsimore, këtë vit ky ligj do të pësojë ndryshime. “Ne kemi filluar procedurën e ndryshimit të ligjit. Dhe, në këtë vit, ky ligj do të jetë në procedurë në Kuvendin e Kosovës. Komplet komisioni për arsim e ka marrë në shqyrtim këtë çështje. Kështu, të gjitha shkollat dhe qytetarët mund t’i japin vërejtjet dhe sugjerimet e tyre, qoftë në ministri apo në komisionin për arsim, kështu që ligji do të pësojë ndryshime”, tha zoti Zekolli.
XS
SM
MD
LG