Ndërlidhjet

FORMULA E SIMBOLEVE – RESPEKTIMI I PAKOS SË AHTISAARIT


Zijadin Gashi

Çështja e simboleve të Kosovës është diskutuar sot sërish nga Ekipi i Unitetit gjatë një takimi, ku kanë marrë pjesë dhe shefja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow, dhe i dërguari i Javier Solanës në Kosovë, Torbjorn Sohlstrom. Pas një takimi që ka zgjatur më shumë se dy orë, anëtarët e Ekipit të Unitetit thanë se kanë formulën, e cila i përcakton këto simbole, dhe se kjo formulë përcaktohet në pakon e Ahtisaarit. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se përveç simboleve, me përfaqësuesit e lartë ndërkombëtarë është biseduar edhe në lidhje me çështjet tjera që kanë të bëjnë me fazën e tranzicionit, siç janë Kushtetuta, zgjedhjet dhe obligimet tjera, që Kosova i merr përsipër që nga dita e vendimit për statusin e Kosovës në Këshillin e Sigurimit. Sejdiu edhe sot shprehi besimin e tij, se përkundër ndryshimit të disa orareve të parapara, çështja e kritereve për simbolet do të procedohet në Kuvendin e Kosovës, ku më pas do të duhej të shpallet edhe konkursi për flamurin, stemën dhe himnin e Kosovës. “Ne jemi në një proces, i cili ka kompleksivitetin e vet. Është shumë e qartë se ne bëjmë një planifikim. Por, nuk është gjithmonë e mundshme, që të arrijmë të saktësojmë përmbushjen e objektivave tona në atë drejtim. Ajo që është e rëndësishme, është që ne do t’i kemi simbolet sipas asaj dinamike që ne jemi duke e përcjellë, në kohën kur do t’i nevojiten Kosovës për prezantimin e saj”, ka thënë presidenti Sejdiu. Edhe pse takimi ka përfunduar pa ndonjë vendim konkret, megjithatë sipas anëtarit tjetër të Ekipit të Unitetit, kryeministrit Agim Çeku, aty është gjetur formula më e mirë për simbolet e Kosovës, që do të respektojë edhe pakon e presidentit Ahtisaari, e cila kërkon që kriter për simbolet e Kosovës të jetë edhe karakteri i saj shumetnik. “Simboleve tona iu nevojitet një legjitimitet ndërkombëtar. Dhe, këto janë përpjekjet tona të përbashkëta që t’i evitojmë përplasjet. Mendoj se me takimin e sotëm, ne e kemi gjetur formulën që simbolet të përcaktohen në harmoni apo në përputhje me pakon e Ahtisaarit dhe të jenë të mbështetura edhe nga faktori ndërkombëtar”, pohoi kryeministri Çeku. Ndërkohë, Hashim Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, shprehi besimin e tij se Ekipi kosovar po e ruan unitetin dhe funksionalitetin e vet edhe në këtë kohë. Si një prej përfaqësuesve të opozitës në këtë Ekip, Thaçi tha se vendimet e rëndësishme po merren në unitet të plotë nga delegacioni më i lartë. Në këtë aspekt, Thaçi tha se Prishtina po e pret e përgatitur ditën e nxjerrjes së rezolutës së re për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. “Ka qëndrim unik. Komisioni do të punojë bashkërisht, i spektrit politik, por natyrisht aty do të ketë edhe ekspertë ndërkombëtarë, edhe ekspertë vendorë. Dhe, kjo çështje do të rregullohet shumë shpejt. Kështu që lirisht mund të themi se edhe jemi shumë të përgatitur, por edhe jemi shumë unikë”, u shpreh Thaçi. Javën e kaluar, Ekipi i Unitetit pati dalë me vendimin që Komisioni Kushtetues t’i hartojë edhe kriteret për simbolet dhe ato t’ia dorëzojë Kryesisë së Kuvendit, pikërisht ditën e sotme. Mirëpo, më pas, u tha se kishte disa joharmonizime, që kishin ndikuar në shtyrjen e këtij vendimi për një afat tjetër. Sot, Ekipi i Unitetit bashkë me Zyrën Amerikane dhe përfaqësuesin e Solanës, megjithatë, duket se në rend të parë e kanë vënë si kriter për simbolet pakon e Ahtisaarit dhe karakterin e Kosovës shumetnike. Kështu që tani, u mbetet grupeve punuese që t’i hartojnë qartë, se cilat janë ato kritere që do të pasqyronin shumetnicitetin e Kosovës përmes simboleve të saj, përkatësisht përmes himnit, flamurit dhe stemës.

XS
SM
MD
LG