Ndërlidhjet

KASUMI: VETËM BEOGRADI MUND TA SQAROJË FATIN E TË PAGJETURVE


Rrahman Paçarizi

Përfaqësues të asociacioneve të familjarëve të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë thonë se edhe një herë ata u janë kthyer shpresave, se hapja e një varreze të dyshuar masive në Rudnicë të Serbisë, afër kufirit me Kosovën, do të ndriçojë fatin e të pagjeturve, sado e dhimbshme të jetë e vërteta që mund të zhvarroset bashkë me trupat e pajetë. Burime jozyrtare kanë bërë të ditur se në varrezën e dyshuar, e cila ka nisur të hapet sot, dyshohet të jenë trupat e më se 300 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë. Haki Kasumi, kryetar i asociacionit të familjarëve të personave të pagjetur, tha se ka shumë gjasa që në këtë varrezë të ketë trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë dhe të dërguar atje pas zhvarrimit, në fillim të qershorit të vitit 1999. “Janë bërë të gjitha përgatitjet. Sot, më në fund, fillon puna praktike në hulumtimin, përkatësisht në mihjen e vendit të dyshuar si varrezë masive, që nga fotografitë dhe bisedat që pata edhe me kryetarin e Komisionit Qeveritar, zotin Arif Muçolli, i cili aktualisht gjendet atje, ekziston mundësia që aty të ketë diçka”, ka thënë Kasumi. Ai shtoi, se pavarësisht se sa e dhimbshme do të jetë e vërteta, familjarët së paku do ta mësojnë të vërtetën për fatin e më të dashurve të tyre, që i kërkojnë tash e tetë vjet. “Konsideroj se heq një mori dilemash dhe zvogëlon ankthin e familjarëve, të cilët presin dhe shpresojnë, ashtu si të gjithë ne, që të gjenden mbetjet mortore të një numri të madh të njerëzve, të cilët aktualisht janë evidencuar si të pagjetur, gjegjësisht të zhdukur”, u shpreh Kasumi. Ditë më parë ka dështuar një takim i paralajmëruar i grupit të përbashkët punues të Kosovës dhe Serbisë për të pagjeturit, pasi kryesuesi i këtij grupi punues, Francois Stamm, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ka refuzuar që në takim të marrë pjesë Simo Spasiq nga asociacioni i serbëve të zhdukur, meqë kishte marrë pjesë në një takim me përmbajtje nacionaliste, ku bëhej thirrje për dhunë në rast të pavarësimit të Kosovës. Për zotin Kasumi, zbulimi i një varreze masive tetë vjet pas përfundimit të luftës, tregon edhe për mosefikasitetin e mjaftueshëm të këtij grupi. “Kemi dilema, kemi skepsë për sukseset për punën e këtyre takimeve dialoguese. Por, mbetemi pranë qëndrimit tonë, se dialogu është një prej formave të mundshme të zgjidhjes së këtij problemi”, theksoi Kasumi. Ai tha se është i bindur, ashtu si edhe më parë, se ka vetëm një adresë ku duhet të bëhet presion dhe të kërkohet mbyllja e kësaj plage, që po e rëndon Kosovën e pasluftës dhe familjet që kanë humbur më së shumti. “Ne e kemi definuar adresën e saktë të mundshme të zgjidhjes së këtij problemi. Po e përsëris se adresë e vetme dhe e përgjithshme e problemit të zhdukjes së njerëzve, gjegjësisht të zhdukjes së shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës së fundit, është Beogradi. Pushteti aktual serb disponon dosje dhe dokumentacion”, tha Kasumi. Sidoqoftë, varreza që sot ka nisur të hapet në Rudnicë, në afërsi të kufirit Serbi-Kosovë, është e katërta varrezë masive me trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë e të transportuar më pas në Serbi. Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, edhe më shumë se 1500 persona ende konsiderohen të zhdukur, shumica dërrmuese e të cilëve shqiptarë.
XS
SM
MD
LG